Posta e RMV-së ka problem me punëtorët që marrin rrogë e s’shkojnë në punë, studimi i fizibilitetit me gjetje skandaloze për punën e këtij institucioni

Organizimi dhe menaxhimi i dobët i Postës në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, mungesa e digjitalizimit, puna manuale dhe gabimet njerëzore në raportet financiare, mungesa e një sistemi të njëjtë të punës dhe punëtorë të papërgjegjshëm që nuk shkojnë në punë. Këto gjetje skandaloze janë disa nga problemet e përshkruara Studimi i Fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut të kryer në vitin 2021 për të cilin shteti ka paguar afër 800 mijë euro, shkruan Portalb.mk.

Posta e Maqedonisë së Veriut, e cila është në pronësi të shtetit me vite me radhë punon në humbje. Për shkak të vështirësive të Postës, Qeveria në vitin 2020 hapi debatin për privatizimin e saj dhe për këtë arsye Qeveria angazhoi edhe një kompani të kryejë studim të fizibilitetit të punës së Postës. Rikujtojmë se për këtë studim, ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri u akuzua dhe u dënua me dy vite e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, për arsye se ka lidhur kontratë për analizimin e situatës së postës pa procedurë për prokurim publik. 

“Muhamed Zeqiri është fajtor sepse nga prilli 2021 deri në mars 2022, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm, ka kryer dy veprime të lidhura në kohë. Ai në cilësinë e zyrtarit ka ndërmarrë një veprim me qëllim përfitimin pasuror për një tjetër. Më 4 maj 2021, pa kryer procedurë publike, ka lidhur kontratë me kompaninë Interholding në shumën 795 mijë euro pa TVSH, në të cilën është ndihmuar qëllimisht nga shtetasit e dyshuar kroatë të cilët nuk janë në dispozicion të organeve të rendit“, tha më 1 dhjetor të vitit 2023 gjatë prezantimit të aktgjykimit gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska, duke shtuar se kompania është hapur 20 ditë para nëshkrimit të marrëveshjes.

Çfarë përmban studimi i fizibilitetit?

Portalb.mk në bazë të Ligjit për Qasje në Informata me Karakter Publik dërgoi kërkesë për të analizuar studimin që gjendet te Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe te Posta e Maqedonisë së Veriut. Nga të dy palët na u mundësua qasja te studimi i fizibiliteti, mirëpo nuk na u lejua të marrim një kopje të studimit për shkak se nuk ishte në formë të digjitalizuar dhe Posta kishte vetëm një kopje të saj.

Studimi i Fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut është një dokument që analizon situatën e Postës së Maqedonisë së Veriut. Ky studim është bërë në periudhën prej maj deri në nëntor të vitit 2021 nga kompania “InterFinance” nga Zagrebi dhe kompania “Interholding” nga Maqedonia e Veriut. Studimi është kryer në periudhën kur drejtor i Postës ka qenë Jani Makraduli, ndërsa studimi përfshin vitet 2012-2020. Në këtë periudhë me postën kanë udhëhequr Rafiz Aliti, Goce Bobolinoski, Fadis Rexhepii, Ejup Rustemi, Jani Makraduli.

Studimi në shikim të parë është i paqartë. Në tabelën e përmbajtjes shkruan se studimi ka rreth 100 faqe, por në fakt studimi është rreth 490 faqe. Në hyrjen e studimit përshkruhen definime të shumta ndërkaq qëllimi i analizës së Postës përshkruhet në fund dhe arsye e vetme shkruhet debati për privatizimin e Postës. Studimi nuk ka konkluzion përfundimtar, por në çdo kapitull që përfundon ka një konkluzion gjë që e bën më të vështirë përdorimin e këtij studimi.

Në pamundësi të marrim një kopje të studimit me qëllim të analizimit të studimit, Portalb.mk fotografoi afërsisht 500 faqe të studimit dhe i rregulloi në një dokument të cilin mund ekskluzivisht ta lexoni më poshtë.

Sipas studimit, Postës i mungon organizimi i punës dhe menaxhimi efikas. Sipas studimit, udhëheqësit e njësive postare, drejtorët nuk i kryejnë kompetencat e tyre për t’i angazhuar punëtorët me gradë më të ulët. Në fakt, thuhet se njësitë postare të shpërndara në vend funksionojnë si njësi të pavarura dhe punën e tyre e kryejnë në mënyra të ndryshme dhe jo me një sistem të caktuar, pra, çdo qytet punon me praktika të ndryshme.

“Përgjegjësia nuk përcillet te nivelet më të ulëta organizative, nuk ekziston ndërlidhje midis të ardhurave dhe shpenzimeve, që është pasojë e mungesës së strukturës në procesin e planifikimit dhe procedimit, dhe për më tepër, problemi thellohet nga vetë fakti se njësitë organizative të shpërndara në vend funksionojnë si njësi të pavarura dhe të veçanta. Ato kanë rregullatorët e tyre të brendshme që përcaktojnë mënyrat dhe praktikat e zbatimit të aktiviteteve operative: shërbimet bazë postare (mbledhja, transporti, klasifikimi, dërgimi), marrëdhëniet me përdoruesit e shërbimit dhe qëllimet e zhvillimit të marrëdhënieve të tilla, mënyrën e regjistrimit, përpunimit dhe interpretimit të të dhënave të planifikimit të biznesit dhe të rezultateve që rrjedhin prej tij”, thuhet në studimin e fizibilitetit për postën.

Meqenëse, njësitë postare raportet e tyre të punës i përgatisin në mënyra të ndryshme dhe që më pastaj duhet të analizohen një pas një, kjo gjë rrit mundësinë e gabimeve që është evidentuar në raportin e revizionit të vitit 2020 ku në të thuhet se disa pjesë në raportet financiare nuk janë vlerësuar saktë.

“Të gjitha raportet e paraqesin punën në mënyrën e tyre, dhe në mes të njëri tjetrit i plotësojnë raportet. Kjo është arsyeja përse ato duhet të studiohen dhe analizohen në tërësi. Futja e të dhënave dhe interpretimi i tyre për të bërë raportet e Postës së Maqedonisë së Veriut janë të mbështetura me programe informatike, funksionaliteti i të dhënave nuk është i ndërlidhur mes vete, kështu që, ka hapsirë manipulimi në formë të futjes simultane të të dhënave. Edhe vetë raporti i revizionit i vitit 2020 paralajmëron se disa zëra buxhetor në raportet financiare nuk janë vlerësuar saktë për matje.” thuhet në studimin e Postës.

lidhje me organizimin e punës së postës si konkluzion thuhet se ka mbikëqyrje të ulët të funksionimit dhe kontrollit të rezultateve, efikasitet të ulët për shkak të infrastrukturës fizike të rrënuar dhe nivelit të ulët të digjitalizimit, dyfishimi i detyrave të punës, ekzistimi i punës në një sistem joformal.

Një nga problemet më shqetësuese të Postës së Maqedonisë së Veriut është se të punësuarit nuk paraqiten në punë dhe për ta nuk përcaktohen masa. Sipas studimit, ky problem shfaqet më shumë në periudhën e zgjedhjeve dhe anashkalohen nevojat e postës.

“Problemi i dytë i theksuar vazhdimisht është ai i mungesës në vendin e punës, i cili nuk kontrollohet, pra nuk bëhet asnjë regjistrim dhe analizë, ndërkohë që masat sanksionuese janë ose të ulëta ose joekzistuese. Kjo situatë krijon pakënaqësi të madhe, domethënë prish në mënyrë proaktive atmosferën e punës për shkak të mungesës së mekanizmave të shpërblimit dhe skemave të jashtëzakonshme të kompensimit që lidhen me performancën e përgjithshme të punës”, thuhet në studimin e fizibiliteti.

Sipas studimit, që nga viti 2012 deri në vitin 2019 numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut është rritur vazhdimisht për dallim nga vendet tjera si Kroacia, Polonia, Hungaria, Rumania.

Në Postën e Maqedonisë së Veriut ka rreth 2000 të punësuar 

Ndërkaq, të dhënat e siguruara nga Posta e Maqedonisë së Veriut tregojnë se në vitin 2019 Posta ka pasur gjithsej 2092 të punësuar, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 1814 të punësuar.

Numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk
Numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk

Sa i përket numrit të postierëve të në Postën e Maqedonisë të Veriut, në vitin 2019 ka pasur 752 postierë, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 725.

Numri i postierëve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk
Numri i postierëve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk