Yll Limani nesër me koncert live në Shkup: Dua të sjell një përvojë të paharrueshme për publikun    

Nesër me fillim nga ora 21 në stadiumin e ARM-së në Shkup, Yll Limani vjen para publikut me koncertin e tij live, shkruan Portalb.mk. 

Me një repertor të pasur hitesh dhe një bend prej 10 muzikantësh profesionistë, artisti premton një koncert të mbushur me emocione, energji dhe performancë ‘live’.

Në një intervistë për Portalb.mk, Yll Limani tha se koncerti në Shkup është një hap i madh për atë, sepse është hera e parë që dal me një shfaqje të plotë në këtë qytet dhe se dëshiron të krijojë një përvojë të paharrueshme për publikun. 

“ Synoj të sjell një përzierje të emocioneve-nga këngët e buta që lidhen me kujtime personale, tek ato që të bëjnë të kërcesh e të ndihesh i lirë. Dua që publiku të ndjejë se po kalon një udhëtim bashkë me mua”, tha Limani. 

Ai sqaroi se koncerti është i ndërtuar si një rrëfim-fillon me këngë më të ndjeshme, kalon në një kulm energjie dhe përfundon me një mesazh shprese e lidhjeje.  

“Është si një histori që udhëton nga brenda meje te publiku”, tha Limani. 

Koncerti pritet të zgjasë mbi 90 minuta dhe pritet të këndohen mbi 30 këngë. 

Hapjen e mbrëmjes do ta bëjë këngëtari Florent Abrashi me bendin e tij. 

Biletat janë të ndara në tre kategori: Fan Pit, Parter dhe VIP.  

Biletat mund të merren online përmes platformave: Avalonbooking.mkKarti.com.mkRave-travel.comKick-tick.com.

Biletat mund të merren edhe në pikat fizike të shitjes. 

Pikat e shitjes së biletave. Foto: Avaloonbooking
Pikat e shitjes së biletave. Foto: Avaloonbooking

Koncerti organizohet nga Avalon International Booking në bashkëpunim me Three60 Music dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha të sezonit në kryeqytet.

Kujtojmë që Yll Limani pati dy net të koncertit live dhjetorin e vitit të kaluar në Prishtinë.