Yll Limani për Portalb: Trendet mund të ndryshojnë por autenticiteti mbetet, nëse nuk je i vërtetë me veten dhe publikun gjithçka bie poshtë

Pak ditë para koncertit të tij live në Stadiumin e ARM-së, Yll Limani flet ekskluzivisht për Portalb.mk mbi emocionet, sfidat dhe pritshmëritë që e shoqërojnë në këtë hap të ri të karrierës. Për herë të parë me një shfaqje të plotë në Shkup, këngëtari zbulon konceptin e koncertit, lidhjen e fortë me publikun dhe mënyrën se si përpiqet të ruajë autenticitetin në një treg muzikor gjithnjë e më kërkues.

Portalb.mk: Si po e përjeton këtë fazë të re të karrierës tënde dhe çfarë do të thotë për ty ky koncert në Shkup?

Yll Limani: Jam në një fazë ku muzika ime po merr një formë të re-nga koncertet intime e deri tek skenat e mëdha live. Koncerti në Shkup është një hap i madh për mua, sepse është hera e parë që dal me një shfaqje të plotë në këtë qytet dhe dua të krijoj një përvojë të paharrueshme për publikun këtu.

Portalb.mk: Çfarë lloj përvoje artistike synon të ofrosh për publikun përmes kësaj performance?

Yll Limani: Synoj të sjell një përzierje të emocioneve-nga këngët e buta që lidhen me kujtime personale, tek ato që të bëjnë të kërcesh e të ndihesh i lirë. Dua që publiku të ndjejë se po kalon një udhëtim bashkë me mua.

Portalb.mk: Sa rëndësi ka për ty skena “live” në raport me muzikën që krijon në studio?

Yll Limani: Studio është vendi ku lind ideja, por skena është vendi ku ajo merr jetë të plotë. Muzika ime merr kuptim të vërtetë vetëm kur ndahet me njerëzit, kur dëgjoj zërin e publikut dhe shoh reagimet e tyre.

Portalb.mk: Si është ndërtuar koncepti dhe repertori i këtij koncerti? A ka një narrativë që e udhëheq mbrëmjen?

Yll Limani: Koncerti është i ndërtuar si një rrëfim-fillon me këngë më të ndjeshme, kalon në një kulm energjie dhe përfundon me një mesazh shprese e lidhjeje. Është si një histori që udhëton nga brenda meje te publiku.

Portalb.mk: Në këtë rrugëtim muzikor, çfarë vendi zë publiku shqiptar jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë?

Yll Limani: Ata kanë qenë gjithmonë një shtyllë e fortë për mua. Kudo ku kam performuar, diaspora ka sjellë dashuri e përkushtim që më jep ndjenjën e një familjeje të madhe.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha për një artist në ditët e sotme, përtej krijimit të muzikës?

Yll Limani: Sfida kryesore është presioni për të qenë gjithmonë present-në rrjete sociale, në media, në treg. Shpesh, pjesa artistike humbet në mes të kërkesave të shumta që nuk lidhen drejtëpërdrejt me muzikën.

Portalb.mk: Sa vend ka autenticiteti në tregun aktual muzikor dhe si përpiqesh ta ruash atë në punën tënde?

Yll Limani: Autenticiteti është e vetmja gjë që mbetet. Mund të ndryshojnë trendet, por nëse nuk je i vërtetë me veten dhe publikun, gjithçka bie poshtë. Mundohem të mos bëj kompromise në tekstet e mia dhe të shkruaj atë që ndiej vërtet.

Portalb.mk: Çfarë roli luajnë emocionet personale në krijimet e tua dhe si përkthehen ato në tekst e muzikë?

Yll Limani: Çdo këngë është një pjesë e jetës sime. Shpesh kam shkruar në momente të vështira ose shumë të lumtura, dhe ato emocione natyrshëm kthehen në fjalë e melodi.

Portalb.mk: Si e sheh evolucionin tënd artistik, ku ka ndryshuar Ylli në këto vite dhe çfarë mbetet i njëjtë?

Yll Limani: Kam ndryshuar shumë në mënyrën se si e shoh muzikën-tani e shoh si një përgjegjësi më të madhe, jo vetëm si pasion. Por ajo që mbetet e njëjtë është lidhja ime me ndjenjat dhe dëshira për t’i ndarë ato pa filtra.

Portalb.mk: Pas këtij koncerti, cilat janë synimet e tua dhe ku do ta shohim Yll Limanin në muajt që vijnë?

Yll Limani: Pas Shkupit, po punoj për të sjellë projekte të reja muzikore dhe koncerte të tjera në rajon e më gjerë. Dua që ky vit të jetë i mbushur me surpriza dhe bashkë me publikun tim të ndërtojmë kujtime të reja.

Ndryshe, më 20 gusht (e mërkurë) Yll Limani sjell koncertin e tij live në Stadiumin e ARM-së në Shkup. Me një repertor të pasur hitesh dhe një bend prej 10 muzikantësh profesionistë, artisti premton një koncert të mbushur me emocione, energji dhe performancë ‘live’. Koncerti pritet të zgjasë mbi 90 minuta dhe pritet të këndohen mbi 30 këngë. Hapjen e mbrëmjes do ta bëjë këngëtari Florent Abrashi me bendin e tij.