Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor vjen në Shkup me koncert në Sheshin Skënderbeu
Në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, Shkupi do të jetë nikoqir i një mbrëmjeje të veçantë muzikore me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra, WBYO), transmeton Portalb.mk.
Koncerti do të mbahet më 19 gusht 2026, në Sheshin Skënderbeu në Çair, me fillim në ora 20:30, duke sjellë para publikut një program të pasur simfonik dhe muzikantë të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.
E themeluar në vitin 2019, WBYO bashkon muzikantë të rinj profesionistë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Përtej dimensionit artistik, orkestra është konceptuar si hapësirë bashkëpunimi dhe dialogu mes të rinjve të rajonit, duke përdorur muzikën si gjuhë të përbashkët për të kapërcyer dallimet kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore.
Në Shkup, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë vepra të Richard Wagner, Paul Dukas, George Enescu dhe Ottorino Respighi. Një moment i veçantë i mbrëmjes do të jetë edhe interpretimi i veprës fituese të një kompozitori të ri nga Ballkani Perëndimor, duke i dhënë hapësirë krijimtarisë së brezit të ri krahas emrave të mëdhenj të muzikës klasike.
Orkestra do të drejtohet nga Desar Sulejmani, pianist dhe dirigjent shqiptaro-gjerman i lindur në Shkodër. Sulejmani ka studiuar në Folkwang University of the Arts në Essen dhe në Robert Schumann Hochschule në Düsseldorf, ku është specializuar në piano dhe dirigjim orkestral. Prej vitit 2003 ai ka drejtuar orkestra në Gjermani dhe në skena ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2019 u emërua Drejtor Artistik dhe Dirigjent Kryesor i WBYO-së.
Programi realizohet në bashkëpunim me “Be Embraced” dhe “Music of Today 2026”, iniciativa që mbështesin dhe promovojnë talentet e reja muzikore nga Ballkani Perëndimor, Evropa dhe më gjerë.