Tetovë, është hapur tenderi për projektin e filtrimit të ujërave të zeza, i cili premtohet prej vitit 2014

Faza parapërgatitore e projektit për filtrimin e ujërave të zeza në Tetovë dhe fshatrat përreth, i cili planifikohet prej vitit 2014, ka përfunduar. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Komuna ka bërë shpronësimin e pronave në pjesën ku do të kalojë kolektori i ujërave të zeza dhe me miratimin e dokumentacionit nga Departamenti i Financimit Qendror dhe Kontraktimit (CFCD), zyrtarisht shpallet i hapur tenderi për këtë projekt, shkruan Portalb.mk.

Ky projekt realizohet me IPA fonde dhe ka vlerë prej 30 milionë eurosh. Sipas Kasamit, në projekt janë të kyçur qyteti i Tetovës dhe fshatrat Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falisht.

“Të nderuar qytetarë, sot jemi këtu për të dhënë lajmin më të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët e Komunës së Tetovës, lajmin që ka të bëjë me projektin madhor, projektin në kuadër të programeve IPA 2, të kornizës buxhetore 2014-2020, që përfshin ndërtimin e sistemit për ujërat e zeza. Kjo nënkupton rrjetin primar dhe sekondar për qytetin si dhe rrjetin primar dhe sekondar deri në kyçje të qytetarëve për fshatrat Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falisht”, tha Kasami.

Projekti në fjalë premtohet prej vitit 2014, por përveç përgatitjes së dokumentacionit, nuk ka patur asnjë aktivitet konkret në drejtim të realizimit të tij. Sot në deklaratë për media, kryetari i Komunës së Tetovës deklaroi se është përfunduar procesi i shpronësimit të pronave dhe është miratuar dokumentacioni i tenderimit.

“Fillimisht me takimin që kemi pasur me përfaqësues të delegacionit Evropian të Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekologjisë është kërkuar që ne të përfundojmë procesin e shpronësimit të pronave në pjesën ku do të kalojë kolektori. Deri te Ministria e Financave, respektivisht tek Drejtoria për Çështje Pronësore – Juridike në afat rekord janë dorëzuar rreth 1400 lëndë të shpronësimit. Këto lëndë janë punuar për vetëm disa muaj”, tha Kasami, duke shtuar se dokumentacioni i tenderimit për projektin e ndërtimit të kolektorit dhe ujërave të zeza si dhe stacionit filtrues është miratuar nga CFCD pranë Ministrisë së Financave dhe e njëjta me datë 26.12.2023 është publikuar në faqen zyrtare të tyre.

Në fund, ai ju bëri ftesë të gjitha kompanive vendore dhe ndërkombëtare që të aplikojnë në tenderin në fjalë dhe bashkërisht të bëjmë një qytet më të mirë.

Rikujtojmë se lajmërimi për përgatitjen e këtij projekti është dhënë nga viti 2014, kurse tek në vitin 2019 kryetarja e atëhershme e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, njoftoi se po pastrohet lokacioni ku është vendosur të ndërtohet stacioni për pastrimin e ujërave të zeza.

Në vend që të nënshkruhet kontrata me ofertuesit më të përshtatshëm dhe të fillohet ndërtimi, në vitin 2021 u rishqyrtua dokumentacioni teknik dhe i tenderimit.

Më pas, në tetor të vitit 2022, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e riaktualizoi këtë temë, i cili përmendi se do të angazhohen që ky projekt sa më shpejtë të përfundojë.

Në shtator të këtij viti Portalb.mk u angazhua për të hulumtuar se pse nuk është shpallur ende tender për projektin në fjalë, por Ministria e Financave nuk dha përgjigje.