Xhaferi: Në Ankara do të kërkohen informacione se çfarë tjetër duhet bërë për të ekstraduar Palevskin

Një delegacion i kryesuar nga ministri i Drejtësisë Krenar Lloga do të jetë më 8 shkurt në Ankara ku do të ketë takime me përfaqësuesit zyrtarë të Turqisë, ndërsa një nga çështjet që do të diskutohet është ekstradimi i Ljupço Palevskit, i dyshuari për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit. Kryeministri Talat Xhaferi në një intervistë për MIA-n thotë se nuk dëshiron të paragjykojë nëse këto bisedime mund ta përshpejtojnë ekstradimin e Palevskit, por thekson se nevojitet komunikim personal dhe i drejtpërdrejtë për të parë se çfarë duhet bërë më tutje, transmeton Portalb.mk.

“Tani nuk dua të paragjykoj se kush, çfarë do të jetë përmbajtja e bisedave atje. Por në çdo rast, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe personal është i nevojshëm për të qenë aty, për të parë se cilat do të ishin procedurat, çfarë do të duhej bërë shtesë, eventualisht. Prandaj ky komunikim është personal dhe është krijuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet përkatëse me të cilat ne bashkëpunojmë dhe me të cilat kemi marrëveshje bilaterale për komunikim”, tha Xhaferi në një intervistë për MIA-n.

Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-në konfirmuan se Lloga më 8 shkurt do të jetë për vizitë zyrtare në Turqi së bashku me përfaqësues të gjyqësorit. Ai do të takohet me ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, ndërsa janë planifikuar takime me kryetarin e Kuvendit, me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, si dhe me përfaqësues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se nuk mund të ndajnë informacione zyrtare se kur do të ekstradohet Palevski dhe sa mund të qëndrojë në Turqi, kjo është pyetje e autoriteteve turke sipas ligjeve të tyre. Pas sjelljes së tij në vend, Palevski me vendim të gjykatës do të dërgohet në burg dhe do të vazhdojë procedura para organeve të drejtësisë.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.  Në po të njëjtën ditë kur u gjetën dy trupat, u caktua paraburgim për tre të dyshuaritVllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. I dyshuar për përfshirje është dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, për të cilin po ashtu u caktua paraburgim. Megjithatë i dyshuari kryesor për organizim dhe kryerësi të vrasjes, është Ljupço Palevski, i cili fillimisht u arratis, por me 5 dhjetor u arrestua në Turqi dhe iu caktua paraburgim ekstraduesProcedura e ekstradimit të Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë. Në ndërkohë, pritet që Prokuroria të dalë me të dhëna shtesë për rastet, motivi i së cilave ende mbetet “përfitim financiar”.