Xhaferi-Loson: Mbretëria e Bashkuar ka rol kyç në ndërtimin e demokracisë evropiane në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në vend, Metju Loson. Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e forta të partneritetit që Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe i kultivojnë në kuadër të NATO-s, si dhe marrëdhëniet e vendosura tregtare dhe ekonomike që janë në nivel të lartë ndërmjet dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Xhaferi e potencoi rëndësinë që Mbretëria e Bashkuar është partneri ynë i dytë tregtar dhe investitori i huaj i drejtpërdrejtë i dytë sipas vëllimit në Maqedoninë e Veriut. Njëherazi, Maqedonia e Veriut është partneri tregtar më i madh i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa bizneset britanike në vend vazhdimisht rriten, gjë që ishte arsye për krijimin e Odës Ekonomike Britanike-Maqedonase.

Ambasadori Loson ia uroi Xhaferit zgjedhjen për Kryeministër të Qeverisë, duke theksuar se ky hap historik është një konfirmim se vendi është model pozitiv i multikulturalizmit dhe shembull për vendet e tjera.

Kryeministri Xhaferi falënderoi ambasadorin Loson për përkushtimin e fuqishëm të Mbretërisë së Bashkuar në integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, duke e theksuar rolin kyç të Britanisë së Madhe në ndërtimin e vendit tonë si një demokraci e pavarur evropiane në 3 dekadat e fundit.

Xhaferi dhe Loson biseduan edhe për tema aktuale në lidhje me situatën e brendshme politike në vend dhe aktivitetet e Qeverisë në përgatitjen e zgjedhjeve të dyfishta të ardhshme.

Kujtojmë se dje në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajtë seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s. Ngjarja ishte në organizim të përbashkët me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e së cilës u realizua formimi i Këshillit në kuadër të projektit për mbështetjen e Drejtorisë për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Këshilli u miratua në mënyrë formale në një seancë qeveritare në janar të vitit 2024 si një mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n.