Qeveria e RMV-së formoi Këshillin për aktivitetet e NATO-s: Porosi për unitet të fuqishëm në siguri

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot filloi seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s. Ngjarja është në organizim të përbashkët me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e së cilës u realizua formimi i Këshillit në kuadër të projektit për mbështetjen e Drejtorisë për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme, transmeton Portalb.mk.

Këshilli u miratua në mënyrë formale në një seancë qeveritare në janar të vitit 2024 si një mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n.

Seancën inauguruese e hapi dhe u drejtua i pari Kryeministri Talat Xhaferi. Në fjalën e tij ai theksoi: “Mbi të gjitha, ky Këshill sot e konfirmon përkushtimin tonë për sigurinë përmes unitetit dhe lidhjes tonë të fortë me aleatin dhe mbështetësin tonë – Mbretërinë e Bashkuar. Në kushte kur bota përballet me siguri të çrregulluar, me sfida ndaj vlerave dhe parimeve tona demokratike nga aktorë autoritarë, çdo përpjekje e përbashkët është një kontribut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe të përforcimit të pozicionit tonë si faktor stabiliteti në rajon. Pikërisht ky është efekti që pres të arrijë edhe ky Këshill. Megjithatë, ne nuk jemi vetëm një faktor stabiliteti në rajon. Ne kontribuojmë në mënyrë të barabartë dhe krah për krahu me aleatët tanë në NATO, aktualisht 31 a së shpejti 32, në ruajtjen e paqes së mbi një miliardë qytetarëve me të cilët i ndajmë përcaktimet e njëjta demokratike për paqe dhe stabilitet”, tha Xhaferi.

Fjalim mbajti edhe ambasadori britanik Metju Loson, i cili theksoi:

“Këtë vit NATO feston 75 vjetorin e themelimit të organizatës. NATO është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori, në kuadër të së cilës më shumë se një miliardë njerëz jetojnë në një mjedis më të sigurt. Mbledhja e parë e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO sot është pjesë e mbështetjes britanike për vendin, si partneri ynë i fuqishëm në NATO.  Punojmë edhe me NATO partnerë të tjerë  për të trajnuar grupin e batalionit që të jetë gati për sistematizim deri në vitin 2026/27. Ne gjithashtu zbatojmë edhe trajnime të shkëlqyeshme për zbulime dhe stërvitje tjera në Krivollak. Ju mbështesim në ngritjen e kapaciteteve për bashkëpunim civil-ushtarak në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jemi në pritje të zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe me ministritë tjera”, shtoi Loson.

Në ngjarje fjalim mbajti  edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke u përqendruar në këtë:

“Gjatë viteve të fundit kemi arritur rezultate të rëndësishme dhe kemi dëshmuar veten si aleat të besueshëm dhe kredibil, të përkushtuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ruajtjen e sigurisë kolektive. Megjithatë, ishte e nevojshme që Maqedonia e Veriut të themelonte një Këshill për koordinimin e aktiviteteve që dalin nga anëtarësimi në Aleancë. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme e inicoi  themelimin e këtij organi, i cili mundëson bashkëpunim dhe konsultim të sinkronizuar, efikas, por mbi të gjitha të integruar ndërinstitucional për të gjitha çështjet që dalin nga anëtarësimi në Aleancë. Është me rëndësi të përmendet se në procesin e zbatimit të kësaj iniciative, ne morëm mbështetje këshilluese nga Mbretëria e Bashkuar, si aleati ynë i rëndësishëm i NATO-s, në kuadër të projektit të mentorimit dhe ngritjes së kapaciteteve të Drejtorisë për çështjet e NATO-s dhe të sigurisë politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme”, theksoi Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO më 30 mars të vitit 2020, 26 vite nga Vendimi i Kuvendit për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike dhe 20 vite pasi më 25 prill të vitit 1999 në Samitin e NATO-s në Uashington u bë zyrtarisht kandidat për anëtarësim.