WALDEN

Në këto ditë dimri të ftohta pa borë pata mundësi ta lexoj librin Walden nga Henry David Thoreau për të cilin kisha lexuar shumë të flitet mes esencialistëve modernë të cilët promovojnë një jetë të thjeshtë dhe esenciale, përpara bollëkut të pafund të kohërave moderne, ku ka gjithçka e asgjë nuk mjafton. Ishte vërtet eksperiencë e bukur të lexosh për qëndrimin e Thoreau mes pyjeve të Masaçusetsit, afër liqenit Walden, ku ai ndërtoi vet një kasolle në të cilën jetoi për dy vjet, dy muaj dhe dy ditë, për të bërë një jetë të vetmuar dhe një eksperiment sociologjik që kishte për qëllim të vërtetojë se njeriut nuk i duhet shumë për të bërë një jetë me kuptim. Thoreau e fillon përshkrimin e këtyre dy viteve të jetës së tij duke treguar se qëllimi i tij ishte të tërhiqet nga jeta e civilizimit të tepërt dhe të kuptojë esencën e jetës para se të jetë vonë, kur në shtratin e vdekjes njeriu papritmas kupton se nuk ka jetuar fare dhe po shkon nga kjo botë pa e kuptuar asgjë. Në kohën tonë, ku shpërqendrimet janë të gjithanshme dhe kur koha fluturon pa u kuptuar, mësimet që nxirren nga Thoreau janë më të rëndësishme se kurrë. Ne jemi aq të preokupuar me gjithçka që na rrethon sa që rrallë mundohemi ta gjejmë kuptimin e jetës dhe jetojmë aq sipërfaqësisht sa që pendimi në fund të jetës mund të jetë i paevitueshëm.

Thoreau në librin e tij prek disa tema me rëndësi nga të cilat e para është vetëmjaftueshmëria. Thoreau është pjesëtar i lëvizjes transendentaliste, karakteristike për pjesën e SHBA veriperëndimore për vitet 1920-1830 e cila konsideron që në esencë njeriu është qenie e mirë, por shoqëria e civilizuar është shumë e korruptuar dhe e bën njeriun të jetë i keq me të tjerët, ndërsa kur njeriu është i vetëmjaftueshëm dhe i pavarur nga të tjerët, kur nuk është në pozitë varësie nga të tjerët, ai është në esencë qenie e mirë. Edhe pse një gjë e tillë mund të kontestohet sepse ka më shumë gjëra që ndikojnë te karakteri njerëzor krahas shoqërisë së korruptuar, është e qartë që pavarësia e bën njeriun të ta tregojë qartë karakterin e tij. Kur njeriu nuk është nevojtar nga të tjerët, atëherë vjen tërësisht në shprehje karakteri i tij. Kur njeriu nuk varet nga dikush tjetër, ai është i lirë të veprojë dhe zakonisht vepron në mënyrë pozitive. Por në një shoqëri të civilizuar kapitaliste, rrallë gjenden njerëz të pavarur tërësisht të cilët janë të lirë të veprojnë ashtu siç e shohin të arsyeshme. Kjo për shkak të rendit shoqëror në të cilin secili ka nevojë për diçka dhe për dikë, dhe ku njerëzit nuk janë as të lirë dhe as të pavarur.

Tema tjetër që Thoreau e trajton është thjeshtësia. Ai me shumë të drejtë konstaton që jeta e thjeshtë vetëm me gjërat esenciale që i duhen njeriut, kontribuon që njeriu të bëhet i pavarur, pra i lirë. Kështu njeriu duhet të punojë më pak, të ketë më pak gjëra luksoze dhe të jetë më pak i varur nga punët që i sjellin atij shumë të mira materiale. Është bukur të jetosh në bollëk materialist, por çmimi që paguhet për këtë është i lartë dhe nuk përfshin vetëm paratë, por përfshin gjëra që nuk blihen dot me para, si që janë koha, liria dhe pavarësia. Këtë konstatim të Thoreau është shumë me rëndësi ta kuptojnë njerëzit që jetojnë në shoqëritë e sotme, ku gjithçka ka një çmim, ku paraja është miti në të cilin besojnë të gjithë, pa përjashtim, dhe ku njerëzit e shesin kohën e tyre të çmuar për para me të cilat duan të duken të pasur edhe kur nuk janë dhe ta lëshojnë të lirë lakminë e tyre të tërbuar. Në kohëra kur ka gjithçka dhe asgjë nuk mjafton, lakmia e tepërt është ajo që e shkatërron njerëzoren tek ne.

Tema tjetër që Thoreau e trajton është raporti i njeriut me natyrën. Kur njeriu tërhiqet nga bota materiale, ai mund ta vërejë natyrën që e rrethon dhe të kënaqet në të. Thoreau shkruan faqe të tëra me përshkrimin e natyrës rreth liqenit Walden, të cilat nuk janë vetëm të detajuara, por janë edhe poetike. Vlëehet qartë ndikimi që natyra e ka pasur mbi shkrimtarin i cili ka vdosur për dy vjet të largohet nga civilizimi dhe të afrohet me natyrën. Në qytetet tona qën bëhen çdo ditë më të mëdha e më të zhurmmshme njerëzit nuk kanë kohë t’i sodisin lulet kur lulëzojnë, cicërimat e zogjve nuk dëgjohen, e as yjet në qiell nuk shihen qartë nga smogu. Por kur njeriu tërhiqet për pak kohë në natyrë e vëren efektin shërues të saj. Sa më pak kohë që investojmë në gjërat materiale pa kuptim, aq më shumë kohë lirojmë për ta investuar në mirëqenien tonë dhe rehatinë që vetëm natyra është e aftë të na ofrojë.

Si përfundim, libri Walden edhe pse i botuar gati dyqind vite më parë pëçon një mesazh që nuk vjetërohet asnjëherë, dhe që vetëm ata që janë zgjuar dhe nuk i ndjekin me fanatizëm rregullat e shoqërisë moderne mund ta kuptojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.