“Vrasje në Tetovë” nesër protestë për zjarrin në spitalin modular, para gjykatës së Tetovës

Nesër (16 gusht) para Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë së Tetovës me fillim në ora 12 do të mbahet protestë për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku vdiqën 14 persona dhe mos sjelljen e drejtësisë për viktimat, dy vite pas ndodhjes së tragjedisë, transmeton Portalb.mk.

Protesta organizohet nga nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” dhe e njëjta në rrjetet sociale ka filluar të merr përkrahje nga një numër i qytetarëve dhe aktivistëve.

Protesta vjen pas publikimit të dokumentarit “Vrasje në Tetovë i cili zbuloi edhe njëherë se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave.

Sipas informatave të zbuluara në dokumentar, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej.