Von der Leyen në Shkup zhvilloi disa takime zyrtare: BE-ja është e gatshme
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski priti sot pasdite në aeroportin e Shkupit Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në Qeveri u prit nga kryeministri Hristijan Mickoski. Si pjesë e turneut të saj ballkanik, Von der Leyen do të diskutojë disa çështje me kryeministrin Mickoski. Mickoski njoftoi se pret që vizita të riafirmojë perspektivën evropiane të vendit dhe të japë rezultate konkrete nga BE-ja. Ai konfirmoi se Qeveria, përmes Ministrisë së Transformimit Digjital, po bashkëpunon me KE-në në një projekt për hapjen e një qendre të inteligjencës artificiale në Maqedoni, me vlerë rreth pesë milionë euro, transmeton Portalb.mk.
“Sot pasdite, prita presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në aeroportin e Shkupit, e cila mbërriti sot në Shkup si pjesë e agjendës së saj për Ballkanin Perëndimor”, njoftoi Mucunski në Facebook.
Ministri vuri në dukje se pret konfirmim të mbështetjes për procesin e integrimit evropian nga takimet e sotme.
“Pres që mbështetja për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe përafrimi gradual i rajonit me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian do të konfirmohet në takimet e sotme. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një përparësi strategjike e politikës së jashtme maqedonase”, theksoi Mucunski.
Në hapësirat e qeverisë u zhvilluar takimi ndërmjet presidentes Ursula von der Leyen dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
“Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane. Ai nënvizoi se shteti pret nga Bashkimi Evropian përkushtim të qartë dhe konkret, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe si mbështetje për qytetarët të cilët me dekada mbeten të përkushtuar ndaj vlerave evropiane”, raportuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ata vlerësojnë se kjo vizitë konfirmon se dialogu është i hapur dhe ka gatishmëri për thellim të partneritetit për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ne mbetemi plotësisht pas Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të llogarisni tek ne. Hapi i radhës dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Duhet të realizoni ndryshimin kushtetues të rënë dakord. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme. ”, shkruan von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se po vjen në rajon me dy projekte – fabrika të inteligjencës artificiale në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Ky është një zgjerim i programit të Antenave të Fabrikës së Inteligjencës Artificiale (AIFA) në shtatë shtete anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerë, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
“Mund të njoftoj se do të hapim fabrikat tona të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor. Do të fillojmë me dy antena në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, duke prezantuar një rrjet të shpejtë digjital në të gjithë rajonin që do t’u lejojë kompanive në të gjashtë partnerët të lidhen me këto fabrika”, tha von der Leyen në një fjalim në Forumin e Investimeve në Tiranë.
Kjo, sipas von der Leyen, do të thotë që kompanitë nga Ballkani Perëndimor do të mund të hyjnë në infrastrukturën evropiane për inteligjencën artificiale.
“Me fjalë të tjera, fuqia llogaritëse e Unionit do të jetë në shërbimin tuaj. Meqenëse dua që e ardhmja e inteligjencës artificiale të krijohet në Evropë, dua që Ballkani Perëndimor të jetë në thelbin e saj”, tha von der Leyen.
Programi AIFA është zgjeruar në shtetet anëtare të BE-së – Belgjikë, Irlandë, Qipro, Letoni, Maltë, Sllovaki dhe Hungari, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Islandë, Moldavi, Serbi dhe Zvicër. KE njoftoi se gjashtë fabrika të reja të inteligjencës artificiale i janë bashkuar infrastrukturës evropiane të inteligjencës artificiale, duke e çuar numrin total të mbuluar nga rrjeti në 19 në 16 shtete anëtare të BE-së.
Mickoski: “Jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur”
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i kënaqur me njoftimet se një qendër e inteligjencës artificiale do të hapet në vend. Sipas tij, është një projekt që u nxit nga qeveria, përkatësisht Ministria e Transformimit Digjital.
“Kjo është diçka e shkëlqyer për qytetarët e Maqedonisë, sepse për herë të parë do të përdorim burimet tona vendase. E bëmë këtë me fakultetet FEIT dhe FShKIK, dhe kjo është diçka për të cilën jam vërtet i emocionuar dhe i lumtur”, tha Mickoski, duke shtuar se ky është një bashkëfinancim i përbashkët me vlerë rreth pesë milionë euro. Sipas tij, kjo do të thotë që praktikisht studentët dhe ekspertët maqedonas do të mund të përdorin dhe të tërheqin burimet që vetë BE ka.
“Deri më tani kemi përdorur përvojat dhe burimet e vendeve fqinje, që tani e tutje do të kemi qendrën tonë, e cila do të merret me inteligjencën artificiale”, shtoi Mickoski.
Cilat janë pritjet nga vizita?
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, vjen në Shkup sot (15 tetor) si pjesë e turneut të saj të fundit në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, ajo do të ketë takime të ndara me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi.
Sipas njoftimeve të Komisionit Evropian, turneu do të jetë një mundësi për Von der Leyen për të riafirmuar mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Union, qasjen e tyre graduale në Tregun e Përbashkët Evropian, si dhe për të diskutuar zbatimin e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Hristijan Mickoski, përpara vizitës, njoftoi pritjet e tij nga bisedimet me presidenten e KE-së. Ai pret një riafirmim të qëndrimit se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE, dhe shpreson që në atë proces të ketë edhe rezultate nga Unioni.
“Është sikur gjatë 25 viteve të fundit kemi humbur ngadalë fytyrën tonë, duke ecur në atë rrugë, sikur të ketë mbetur pak nga ai dinjitet dhe nga ajo fytyrë duke ecur drejt asaj rruge. Shpresoj që të ketë një rezultat nga BE, në mënyrë që të paktën të ruajmë pak fytyrën tonë para se të hyjmë, sepse me fytyrën dhe dinjitetin e humbur nuk do të bëjmë asnjë punë as për ta, dhe kjo Qeveri nuk ka ndërmend të humbasë më shumë nga dinjiteti dhe fytyrln e saj”, tha Mickoski.
Paraprakisht, kryeministri tha se do të diskutonte me Von der Leyen mundësinë që qytetarët maqedonas të kalojnë edhe nëpër korsinë e shpejtë gjatë kontrollit të pasaportave. Sipas tij, kjo temë do të hapet edhe gjatë procesit të Berlinit, pasi BE prezantoi një sistem të ri të kontrollit kufitar për qytetarët nga vendet jashtë zonës Shengen. Me të, të dhënat mbi hyrjen dhe daljen e qytetarëve nga të ashtuquajturat vende të treta regjistrohen në mënyrë digjitale dhe zëvendësojnë vulosjen e mëparshme manuale të dokumenteve të udhëtimit.