Afganistani dhe Pakistani arritën armëpushim

Afganistani dhe Pakistani kanë arritur marrëveshje për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën pasdite, pas bombardimeve vdekjeprurëse dhe luftimeve tokësore që ngjallën frikë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve fqinje, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pakistani kreu sulme ajrore në provincën jugore të Afganistanit, Kandahar, duke shkaktuar viktima të shumta, thanë banorët vendës për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë (REL).

Sipas banorëve të Kabulit, të cilët folën për Radion Azadi, shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqytetin afgan.

Pamje të paverifikuara në rrjetet sociale shfaqin re tymi që ngrihen në qiell mbi Kabul. Nuk është ende e qartë se çfarë i ka shkaktuar shpërthimet.

Luftimet tokësore shpërthyen gjithashtu përgjatë kufirit 2.600 kilometra të gjatë midis dy vendeve, duke lënë disa të vdekur nga të dyja palët.

Në një deklaratë më 15 tetor, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se palët kanë arritur pajtueshmëri për një “armëpushim të përkohshëm për 48 orët e ardhshme”, duke filluar nga ora 6:00 e pasdites me orën lokale të Pakistanit.

Dhuna shpërtheu pas luftimet të ashpra mes luftëtarëve talibanë dhe forcave të sigurisë së Pakistanit më 11 dhe 12 tetor, duke lënë dhjetëra të vdekur dhe duke shkaktuar mbylljen e pikëkalimeve kryesore kufitare.

Këto ishin përleshjet më vdekjeprurëse ndonjëherë mes këtyre dy palëve.

Përplasjet kufitare ndodhën vetëm disa ditë pasi Pakistani kreu sulme me dronë në qendër të Kabulit, si dhe sulme ajrore në lindje të Afganistanit.

Dhuna ka nxitur frikën e një konflikti të plotë mes Pakistanit dhe talibanëve afganë, aleatëve të moçëm por tani të përçarë.

Islamabadi i akuzon talibanët afganë se po strehojnë grupin ekstremist Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP), i cili po zhvillon një kryengritje gjithnjë e më vdekjeprurëse kundër Pakistanit.

Talibanët afganë, të cilët morën pushtetin në vitin 2021, e mohojnë këtë akuzë.

Civilë nga të dy anët e kufirit thanë se përleshjet e fundit i kanë detyruar disa prej tyre t’i braktisin shtëpitë nga frika e një lufte më të gjerë.

“Shumë njerëz në të dy anët e kufirit kanë lënë shtëpitë dhe janë larguar drejt zonave më të sigurta, nga frika se luftimet mund të përhapen”, tha për Radion Mashaal të REL-it Muhammad Naeem, një gazetar vendës në qytetin kufitar Çaman.

Banorët e Spin Boldakut, një distrikt në provincën afgane të Kandaharit që kufizohet me Çamanin, thanë se helikopterët ushtarakë pakistanezë bombarduan një treg.

“U goditën makina dhe shtëpi civile”, tha një banor, që foli në kushte anonimiteti. “Shumë civilë u vranë dhe u plagosën”.