Pendarovski: Bullgaria mund ta përsërisë veton për integrim

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate, nuk beson se vendi do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç deklarojnë shumë përfaqësues të partive tjera politike, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Me bllokadën bullgare dhe, për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër Bullgaria mund sërish të përsërisë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Pendarovski në një intervistë për Radion Evropian e Lirë.

Kandidati për president që mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate dhe shumë parti tjera më të vogla dhe organizata joqeveritare, si problem shqetësues për Maqedoninë e Veriut e thekson humbjen e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore që lanë të lirë mbi 200 ish-zyrtarë të lartë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Ndryshe, kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta. Në fillim të prillit, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, përveç realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.