Vogëlushët nga vise të ndryshme shqiptare shkëlqyen në Festivalin e Këngëve për fëmijë “Ylberi”
Me 25 nëntor, në Teatrin Popullor në Shkup, u mbajt edicioni i 25-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi”. Ky festival ka mundësuar të krijohen miqësi ndërmjet fëmijëve pjesëmarrës nga vendet e ndryshme, njofton Portalb.mk.
Në këtë edicion u paraqiten 18 këngëtarë nga vende të ndryshme si nga Maqedonia e Veriut, ashtu edhe nga Kosova dhe Shqipëria me këngë premier posaçërisht për festivalin “Ylberi”. Një festival i arrirë me vlerat më të larta artistike i organizuar me mjeshtëri artistike nga profesor Adem Ymeri, si çdoherë mblodhi këngëtarët dhe artdashësit e vegjël të këngës për fëmijë.
Adem Ymeri, drejtor i festivalit “Ylberi” për Portalb.mk tha se edhe ky edicion kaloi në mënyrë të përkryer, të gjithë fëmijët u ndanë të kënaqur, të gjithë ishin fitues dhe se misioni i tyre, është që t’i stimulojnë, veçanërisht të vegjëlit të moshës 5-6 vjeçare, që të regjistrohen në shkollën e ulët të muzikës.
“Këngët edhe të këtij festivali, kompozimet, tekstet edhe këtë edicion si gjithmonë erdhën premierë nga shkrimtarë dhe kompozitorë të njohur, nga vendi dhe më gjerë. Këtë vit risi kishim katër prezantime të reja nga Shqipëria. Pjesë e skenës së bukur ishin edhe baleti profesional i shkollës “Ilija Nikollovski Lui”, dhe në fund me një pikë muzikore u prezantua Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” Shkup”, tha Ymeri.
Festivalin e këngës për fëmijë “Ylberi” e zbukuruan edhe trupa e dytë e valltarëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” Shkup, ku mysafirëve dhe publikut të pranishëm ofroi emocione ashtu siç ja kanë zakon.
Ndryshe, këtë festival e mbështeti Ministria e Kulturës së RMV-së.