Zëri dhe imazhi i bukur
Derisa e dëgjoja një këngë të korit “Teuta” nga Tetova, m’u kujtuan shumë shkrime autorësh të huaj, që kanë shkruar mbi dashurinë e shqiptarëve për muzikën, por edhe për zgjuarsinë dhe bukurinë e gruas shqiptare.
Ky kor nuk është vetëm grupim muzikor, por edhe një tregues i kulturës qytetare në Tetovë.
Anëtaret e korit kanë dhënë kontribut të çmuar në disa fusha të dijes, veçanërisht në arsim. Ato janë shquar si rrezatuese të përhershme të dritës së kulturës dhe të emancipimit. Falë kontributit që dhanë për mbrothësinë e përgjithshme në viset tona, sot ato gëzojnë respekt në komunitet.
Le të rikthehemi te shkrimet e udhëpërshkruesve, të cilët e veçuan dashurinë e shqiptarëve për muzikën.
Profesori Edwin Rockstroh-u (1850 – 1909), që e vizitoi edhe Tetovën, në reportazhin “Skica udhëtimi nga Dardania dhe Shqipëria 1874”, shkroi se shqiptarët punonin duke kënduar, gratë këndonin duke tjerrë dhe duke endur, por kudo kumbonte edhe zëri i fëmijëve.
Andrej Stojanovi e botoi në fund të shekullit XIX fejtonin “Shënime nga udhëtimi im në Tetovë”, ku foli për muzikën shqiptare, por edhe për veshjet dhe elegancën e gruas tetovare.
Zoologu gjerman Franz Theodor Doflein-i (1873 – 1924), në librin Maqedonia (1921), e përshkroi Tetovën si një qytet të pastër, simpatik, miqësor, me gra që këndonin dhe me fëmijë të lumtur që vraponin rrugëve. Ai u mahnit nga bukuria e vajzave tetovare, që me ibrikë bakri mbushnin ujë në ndonjë pus apo çezmë.
Kompozitori Miloje Milojeviqi (1884 – 1946) u mahnit nga këngët popullore në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Manastir etj. I bënë përshtypje vallet shqiptare në rajonin e Sharrit, që luheshin pa instrumente. Ai shkroi se këngëtarët e shkolluar mund të mësonin shumëçka nga këngëtarët popullorë.
Sipas kompozitorit Stevan Mokranjac (1856 – 1914), vendet më të talentuara për muzikë ishin: Tetova, Vranja, Peja dhe Mitrovica.
Studiuesi kroat Dr. Ivan Krajaçi (1877 – 1945), që njihet si alpinisti i parë në Sharr, u mahnit nga melodia e kavallit dhe këngët melankolike të barinjve. Ai shkroi se këngëtarët autodidaktë krijonin melodi mahnitëse nëpërmjet “instrumenteve primitive”. Ata i shoqëronin me kavall “këngët entuziaste, me tingëllim melankolik, me mall për një rrojtje më të mirë e më të bukur, për një botë të gjerë e të paarritshme, të mbushur me dashuritë e parealizuara dhe të dhimbshme, si dhe me shumë mahnitje e vetmi malore”.
Autorë të huaj u mahnitën edhe nga zgjuarsia, bukuria dhe delikatesa e gruas shqiptare. Bukuria e gruas shqiptare dhe asaj tetovare, paraqitet artistikisht edhe në shumë piktura e vizatime të piktorëve europianë.
Mësuesi dhe gazetari Lazar Serafimov, në librin për Tetovën (Plovdiv, 1900), shkroi se gratë tetovare ishin të bukura, të paqme dhe të shëndetshme.
Shkrimtari dhe publicisti britanik Henri Noel Brailsford-i (1873 – 1958) shkroi në fillim të shekullit XX për bukuritë natyrore të Pollogut dhe Sharrit, por u ankua se gratë aty jetonin në kushte të mjerueshme dhe ishin “ana tjetër e imazhit të gëzuar të kalorësisë shqiptare”.
Gabriel Louis Jaray (1884 – 1964), në librin Në mbretërinë e re shqiptare (1914), shkroi për fshataret e bukura dhe të vyeshme tetovare, të cilat shisnin në treg veshjet e zbukuruara me ar, por edhe mbulesa e pëlhura të endura e të qëndisura me dorë, shami, vello, turbanë, jelekë apo këmisha të bardha prej leshi.
Gazetari Danail Krapçev (1880 – 1944), i cili Tetovën dhe Gostivarin i vizitoi më 1916, shkroi për “tipin interesant të gruas në Pollog”. Sipas tij, ajo “ishte shumë e këndshme dhe dallohej për kostumet e saj”. I pëlqente jelekët e ngushtë shumëngjyrësh dhe këmishët e mëndafshit. E bukur ishte edhe veshja e “hanëmeve”, me çizme, vello dhe mantel të veçantë, “aq sa dukeshin si kalorëse”.
Folkloristi bullgar, Mihail Arnaudov (1878 – 1978), në studimin “Udhëtime nëpër Maqedoninë Perëndimore” (1916), e përshkroi popullatën në Pollog si të vyeshme dhe punëtore, kurse gratë e krishtera dhe myslimane si shumë të ndershme.
Dr. Gustav Weigand-i (1860 – 1930), në librin Etnografia e Maqedonisë (1924), shkroi se gratë e pasura shqiptare dhe arumune pëlqenin kafenë, ëmbëlsirat, e ndonjëherë edhe rakinë.
Stanislav Krakovi (1895 – 1968) i lavdëroi burrat tetovarë. I quajti “kavalierë të vërtetë”, sepse vetë ecnin në këmbë, kurse gratë e tyre udhëtonin hipur mbi kuaj.
Udhëpërshkruesi slloven, T. Podveçar, në një reportazh të botuar më 1928, shkroi: “Askund në Maqedoni nuk kam parë kaq shumë vajza të bukura”.
Gazetari Bora Josipoviqi, në reportazhin “Letër nga Tetova” (Pravda, 1932), Tetovën e quajti “varosh vajzash të bukura, mollash të këndshme dhe si vendi më i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit”, ku në të kaluarën “bejlerët beqarë” dhe “ashikë” kalonin sokakëve dhe u këndonin serenada të dashurave të tyre.
Shkrimtari dhe poeti holandez, Dr. Felix Rutten-i (1882 – 1971), në reportazhin e botuar më 1934, e theksoi se Tetova njihej “për pemët dhe gratë e bukura”.
Shkrimtari, kronisti dhe skenaristi nga Brukseli, Albert t’Serstevensi (1886 – 1974), në librin Itinerari i Jugosllavisë (1938) shkroi për veshjet e grave shqiptare në Gostivar, që ishin me qëndisma ari mbi një sfond të bardhë.
Gazetari, shkrimtari dhe politikani Andra Nikoliq (1853 – 1918), në shkrimin “Tetova si qytet i nxënësve, vajzave të bukura dhe i mollëve” (Glas Pologa, 1939), tha se vajzat nga Tetova ishin të bukura, të gjalla, të shkathëta, të dashura, të shoqërueshme, e pëlqenin humorin, mbanin llogari për moralin, nuk përdornin shumë grim, përveç të moshuarave që e tepronin me “të bardhin”, një pudër që krijohej me një përzierje merkuri. Gjithashtu ato e adhuronin këngën, muzikën dhe lojën.
Pedagogu dhe gazetari shqiptar, Kostaq Stefa (1905 – 1948), që u pushkatua nga regjimi komunist me akuzën se ishte bashkëpunëtor i amerikanëve, në reportazhin e botuar në “Tomori”, më 1942, Tetovën e krahasoi me Korçën. Ai e përshkroi edhe bukurinë e elegancën e vajzave nga Pollogu. Sipas tij, “gustoja e elegancës së veshjes është mjaft e mirë”.
Shembujt e sipërpërmendur dëshmojnë se në këtë rajon ka traditë dhe dashuri të kahershme për muzikën, të bukurën dhe elegancën, prandaj nuk është rastësi shfaqja e një kori si “Teuta”, një ansambli si “Xheladin Zeqiri” apo një rok grupi si “Elita 5”. Që në vitin 1943 u themelua në Tetovë një orkestër frymore në kuadër të organizatës “Besa”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.