Orkestra “Amadeus” rikthehet në Shkup me koncert më 12 dhjetor

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” do të mbajë koncert më 12 dhjetor, në orën 20, në Sallën e Madhe të Filharmonisë në Shkup. Nën drejtimin e Vehbi Shoshollit, muzikantët e rinj do të interpretojnë vepra të kompozitorëve botërorë dhe të kompozitorit shqiptar Lorenc Antoni, shkruan Portalb.mk.

Vanesa Petrovci nga “Amadeus” për Portalb.mk thotë se, në dy vitet që kanë kaluar nga paraqitja e parë, numri i muzikantëve në orkestër pothuajse është dyfishuar.

“Po rikthehemi para publikut të këtij qyteti pas dy vjetësh. Krahasuar me koncertin e parë, orkestra pothuajse është dyfishuar. Muzikantët tanë të rinj do të kenë mundësi t’i tregojnë publikut të Shkupit atë që kanë përgatitur me shumë punë e përkushtim. Orkestra ‘Amadeus’ është ndërtuar mbi idenë se edukimi muzikor nuk duhet të kufizohet në mësimin individual të instrumentit. Fëmijët dhe të rinjtë duhet të kenë mundësi ta përjetojnë muzikën së bashku, në prova dhe në skenë. Publiku mund të presë një mbrëmje me energji dhe emocione, ku krahas interpretimit do të ndihet edhe entuziazmi i muzikantëve të rinj që janë përgatitur me përkushtim për këtë koncert. Për këtë koncert kemi menduar një program të larmishëm, kemi ndërthurur vepra të muzikës klasike me pjesë të njohura nga repertori botëror dhe me muzikën e kompozitorit shqiptar Lorenc Antoni. Për ne është e rëndësishme që repertori t’i sfidojë e t’i motivojë muzikantët tanë dhe njëkohësisht të jetë i afërt e tërheqës për publikun. Disa surpriza kemi zgjedhur t’i lëmë për mbrëmjen e koncertit. Ato momente dhe emocionet që lindin në skenë janë pjesë e bukurisë së një koncerti të interpretuar drejtpërdrejt”, u shpreh Petrovci.

Petrovci thotë se dalja në skena si ajo e Filharmonisë ka rëndësi për formimin e muzikantëve të rinj.

“Për një muzikant të ri, të luajë në një skenë të përmasave dhe të rëndësisë së Filharmonisë është një përvojë që shkon përtej interpretimit. Është një mundësi për të fituar vetëbesim, për të marrë përgjegjësi artistike dhe për të zhvilluar disiplinën që do ta shoqërojë edhe më tej. Që nga themelimi i orkestrës në vitin 2022, kemi dashur të krijojmë një hapësirë ku fëmijët dhe të rinjtë, krahas mësimit të instrumentit, mësojnë ta dëgjojnë njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë dhe të krijojnë së bashku. Me koncertin në Shkup duam të përcjellim edhe një mesazh. Kur investojmë në edukimin artistik të fëmijëve, investojmë në të ardhmen e shoqërisë. Talenti kërkon punë, përkushtim e mbështetje. Mbi të gjitha, fëmijëve u duhen mundësi për t’u zhvilluar dhe për ta treguar punën e tyre para publikut”, tha Petrovci.

Për orkestrën, koncerti shënon edhe përmbylljen e një viti me paraqitje ndërkombëtare. Petrovci shpreson që rikthimi në Shkup të hapë rrugë për koncerte e bashkëpunime të tjera.

“Fundi i vitit ka gjithmonë një domethënie të veçantë. Përmes muzikës mund të ndajmë gëzim e emocione dhe t’i afrojmë njerëzit. Për muzikantët tanë të rinj, ky koncert është një mundësi për ta përmbyllur vitin me një përvojë të rëndësishme artistike dhe me kujtime që do t’i shoqërojnë në rrugëtimin e tyre muzikor. Për ne ka rëndësi edhe ana kulturore e kësaj paraqitjeje. Muzika na afron dhe na jep mundësi të komunikojmë përtej kufijve. Do të dëshironim që koncerti i dhjetorit të ishte fillimi i një tradite në Shkup. Paraqitja në Filharmoni na jep mundësi të krijojmë lidhje që mund të zhvillohen përmes koncerteve, bashkëpunimeve artistike dhe shkëmbimeve të përbashkëta. Do të ishte kënaqësi të riktheheshim edhe në vitet e ardhshme dhe ta bënim këtë koncert një takim të përvitshëm me publikun e Shkupit”, tha Petrovci.