VMRO për Bërvenicën: Vullnetin e qytetarëve e respektojmë, mbështetja e Qeverisë do të vazhdojë
VMRO-DPMNE-ja ka deklaruar se e respekton rezultatin e zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, ku kandidati i saj, Stojanço Radiçevski, nuk arriti të fitojë në raundin e dytë. Zëdhënësi i partisë, Stefan Manasievski, tha se pavarësisht rezultatit, Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e kësaj komune, transmeton Portalb.mk.
Manasievski falënderoi qytetarët që votuan për kandidatin e tyre, duke theksuar se ai kishte ofruar një program me projekte infrastrukturore, rrugë të reja dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Ai akuzoi BDI-në se kishte nxitur ndarje etnike, ndërsa pretendoi se në raundin e dytë kandidati i AKI-së kishte marrë mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë edhe nga LSDM-ja, E Majta dhe VLEN-i.
Sipas Manasievskit, VMRO-DPMNE-ja ka shënuar rritje të mbështetjes, pasi krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë 1.300 vota më shumë në Bërvenicë. Ai tha se ky rezultat, ndonëse nuk ishte i mjaftueshëm për fitore, për partinë është pozitiv.
Ai kritikoi gjithashtu VLEN-in për mbështetjen ndaj kandidatit të AKI-së, duke pretenduar se kjo parti nuk arriti të dëshmojë se është ndryshe nga BDI-ja. Manasievski akuzoi edhe kandidatët e LSDM-së dhe së Majtës se kishin luajtur rolin e “kalit të Trojës” në favor të BDI-së, duke i shpërndarë votat e elektoratit.
“E respektojmë rezultatin, ndërsa vullneti i qytetarëve është i paprekshëm. Megjithatë, Bërvenica nuk do të harrohet. Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Mickoski, do të vazhdojë ta ndihmojë dhe të investojë në zhvillimin e Bërvenicës”, deklaroi Manasievski.
Kujtojmë se më herët, deputetja dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, në një paraqitje në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, drejtpërdrejt nga Komuna e Bërvenicës, vlerësoi se koalicioni VLEN nuk ka arritur të shkëputet nga politikat e BDI-së, por në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është rreshtuar pas kandidatit të AKI-t
Stojanoska theksoi se VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Maqedonia Jote” në raundin e parë mbështetën kandidatin e tyre, Stojanço Radiçevski, ndërsa VLEN garoi me kandidat të vetin, për t’iu bashkuar në raundin e dytë kandidatit të AKI-së.
“Shikoni, nuk besoj se VLEN është ndonjë faktor i madh në Komunën e Bërvenicës, këtë e treguan edhe rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve këtu. Përndryshe, është e qartë se në këto zgjedhje ne vepruam ndaras, përkatësisht partia jonë, së bashku me koalicionin ‘Maqedonia Jote’, qëndroi pas kandidatit tonë, Stojanço Radiçevski, ndërsa VLEN në raundin e parë punoi për kandidatin e vet, kurse në raundin e dytë vendosi t’i bashkohet kandidatit të AKI-t”, deklaroi Stojanoska.
Stojanoska kritikoi edhe koalicionin VLEN, duke e akuzuar se në raundin e dytë të zgjedhjeve në Bërvenicë veproi në favor të BDI-së, në vend që ta shfrytëzonte mundësinë për të dëshmuar se është politikisht i ndryshëm nga kjo parti. Ajo vlerësoi se VLEN luajti rolin e “kalit të Trojës”.
“Na vjen keq që VLEN nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të treguar se është ndryshe nga BDI-ja, por njësoj si LSDM-ja dhe E Majta. Mendoj se luajtën rolin e kalit të Trojës dhe vepruan për BDI-në, përkatësisht i shpërndanë votat nga baza elektorale. Sa i përket testit të koalicionit qeveritar, mendoj se zgjedhjet lokale në Bërvenicë nuk do të jenë test për këtë koalicion qeveritar. Përkundrazi, test për koalicionin është realizimi i programit qeveritar, i cili, për momentin, mendoj se po zhvillohet sipas planifikimit”, tha Stojanoska.
Duke folur për rezultatet zgjedhore dhe gjendjen politike në opozitë, Stojanoska vlerësoi se pas zgjedhjeve lokale LSDM-ja është shndërruar në parti politike margjinale, për çka përgjegjësinë ia atribuoi udhëheqësisë së partisë, të drejtuar nga Venko Filipçe.
“Kështu, LSDM-ja, do të thosha, pas këtyre zgjedhjeve lokale është bërë parti margjinale, veçanërisht për shkak të udhëheqjes së saj katastrofike nga Venko Filipçe. Mendoj se venkovistët ndoshta tani edhe do të gëzoheshin ose do të brohorisnin për fitoren e partnerit të tyre, BDI-së, gjë që dëshmon se sa herë që i përmendim BDI-në dhe LSDM-në, duhet të jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për dy anë të ndryshme të së njëjtës monedhë”, tha Stojanoska.