VLEN: Disa “studentë” i janë futur lojës së pistë, këta nuk përfaqësojnë studentët, por agjendën e BDI-së

Koalicioni VLEN ka lëshuar akuza të rënda ndaj protestës së organizuar nga një grup studentësh, duke pretenduar se pas saj qëndron partia BDI dhe funksionarë të saj. Sipas VLEN, kjo protestë nuk përfaqëson zërin e vërtetë të studentëve, por është pjesë e një “lojë politike” të BDI-së, e cila, sipas tyre, po përpiqet të përdorë të rinjtë si instrument për interesa partiake dhe për rikthimin e ish-zyrtarëve të saj në skenën politike, transmeton Portalb.mk.

Në reagimin e tyre, VLEN akuzon se studentët shfrytëzohen si “mashë politike”, duke theksuar se pas 20 vitesh qeverisjeje, BDI po tenton të ndikojë opinionin publik përmes protestave të organizuara nga të rinjtë.

Po ashtu, VLEN përmend edhe çështje të pazgjidhura institucionale, përfshirë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se këto tema janë lënë pas dore gjatë qeverisjes së BDI-së dhe po përdoren tani për qëllime politike.

“I gjithë opinioni tashmë e ka kuptuar se disa “studentë” i janë futur lojës së pistë të BDI-së. Këta nuk përfaqësojnë studentët, por agjendën e BDI-së. Ata po përdoren si mashë për t’i rikthyer në jetë Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin, Talat Xhaferin dhe karrigaxhinjtë e tjerë të BDI-së, të cilët shqiptarët i përzunë me votë. Këta nuk janë zëri i studentëve. Janë zëri i BDI-së. Janë instrument politik i një partie që pas 20 vjet pushtet, luks, poste, tenderë dhe agallëk, po mundohet të fshihet pas të rinjve për t’u rikthyer nga kapexhiku. Për 20 vjet BDI kishte ministra, deputetë, kryeparlamentar, kryeministër teknik, drejtorë dhe pushtet absolut. Por provimin e jurisprudencës në shqip nuk e kryen asnjëherë, veç na lanë pengesa e stërkëmbëza rrugës. Të njëjtët që heshtën gjithë këto vite, tash po i nxjerrin fëmijët e funksionarëve të tyre në protestë. Pyetja është e thjeshtë. Kundër kujt po protestojnë. Kundër prindërve të tyre. Ky film nuk do të kalojë. Nuk do të lejojmë që të rinjtë tanë të përdoren për agjenda politike të BDI-së. Provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe të gjitha çështjet që këta karrigaxhinj i kanë lënë përgjysmë, VLEN do t’i rregullojë me përgjegjësi”, thonë nga VLEN.

Studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protestë të re që do të mbahet nesër, më 18 maj 2026, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkupi, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe. Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Kjo protestë vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore, përfshirë edhe protestën e mbajtur më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe.