Vitin e kaluar u evidentuan 41 raste me HIV/SIDA, më e prekur është popullsia nga 20 deri në 39 vjeç

Në vitin 2025 në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) janë pranuar 41 raste të reja të regjistruara me HIV/SIDA në Maqedoninë e Veriut, që paraqet incidencë prej 2,1 në 100.000 banorë, transmeton Portalb.mk.

Vitin e kaluar është regjistruar ulje e numrit të rasteve të reja të diagnostikuara krahasuar me vitin paraprak dhe me mesataren dhjetëvjeçare, por trendi afatgjatë (10 vitet e fundit) tregon rritje graduale të numrit të rasteve, gjë që tregon se epidemia mbetet aktive, informojnë nga ISHP në raportin e ri për aktivitetet e realizuara sipas programit për mbrojtjen e popullsisë nga infeksioni HIV.

“Në vitin 2025 nga rastet e regjistruara, 39 janë të gjinisë mashkullore, 2 të gjinisë femërore. Mosha e rasteve nuk devijon ndjeshëm nga shpërndarja e moshës së rasteve të raportuara më parë. Mosha mesatare e rasteve të reja është 35,2 vjeç, me interval nga 23 deri në 64 vjeç, ndërsa 73,2% e rasteve janë në moshën 20 deri në 39 vjeç”, thuhet në raport.

Nga analiza e rasteve të pranuara vërehet se, sa i përket rrezikut të mundshëm për infektim me HIV (të dhëna të disponueshme për 35 persona), janë regjistruar 5 persona me transmetim heteroseksual dhe 30 persona nga djemtë që kryejnë marrëdhënie seksuale me djem (MSM).

“Numri dhe proporcioni i rasteve të regjistruara te MSM ndjek trendin e periudhës së mëparshme, ndërsa ajo që shqetëson është rritja e prevalencës së HIV-it në këtë popullatë. Sipas rezultateve të hulumtimit të fundit nga viti 2018, te MSM në Shkup, prevalenca e vlerësuar është 5,4%, që do të thotë se për herë të parë në RMV regjistrohet një epidemi e përqendruar në një grup të caktuar popullate”, theksohet në raport.

Në pjesën e konkluzioneve thuhet se gjendja epidemiologjike me HIV/SIDA në Maqedoni vazhdon të karakterizohet si me prevalencë të ulët, me incidencë relativisht të ulët krahasuar me vendet e BE/EEA.

Megjithatë, të dhënat tregojnë prani të vazhdueshme të infeksionit dhe trende të caktuara jo të favorshme që kërkojnë vëmendje të shtuar.

“Epidemia në Maqedoni ka karakter të përqendruar, me përfaqësim dominues te MSM, në përputhje me trendet në rajonin evropian. Struktura e moshës së rasteve të reja tregon se më e prekur është popullsia 20–39 vjeç, pra popullsia seksualisht aktive, gjë që ka implikime të rëndësishme për shëndetin publik dhe produktivitetin ekonomik”, thuhet në konkluzione.

Sa i përket rekomandimeve, nga ISHP theksohet nevoja për zgjerimin e qasjes në testim vullnetar dhe konfidencial, veçanërisht në mjediset urbane dhe rajonet me numër më të lartë rastesh.

Nga ISHP thonë se nevojitet edhe targetim aktiv i popullatave kyçe përmes bashkëpunimit me organizata joqeveritare, si dhe fushata për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e testimit të rregullt, si dhe forcimi i sistemit për mbledhje dhe analizë rutinore të të dhënave.