Violina dhe misioni për ta kthyer muzikën në urë paqeje, Kledis Rexho rrëfeu rrugëtimin e tij
Nga një fëmijë që rrezikoi ta linte violinën për shkak të presionit, Kledis Rexho arriti në skenat ndërkombëtare përkrah emrave të mëdhenj, në një bisedë për Portalb.mk ai rrëfeu për betejat, sakrificat dhe misionin e tij për ta kthyer muzikën në urë mes kulturave dhe në thirrje për paqe.
Portalb.mk: Kur e kuptove se violina s’është talent, por betejë, dhe cila ka qenë beteja jote më e madhe?
Kledis Rexho: Marrëdhënia ime me violinën është e veçantë, por me dritë-hijet e saj ndër vite. Ndonjëherë, kur dal pa violinë, kam ndjesinë se kam harruar diçka… Kur fillon violinën në moshën 7-vjeçare dhe kalon orë të tëra çdo ditë me instrumentin, ai bëhet pjesë e trupit dhe e frymëmarrjes tënde. Dhe si në jetë, frymëmarrja nuk është gjithmonë e qetë. Ndonjëherë bëhet më e shpejtë, derisa gjen sërish veten. Rrugëtimi nuk ka qenë vetëm pasion. Ka pasur momente kur violina u kthye në kokëçarje. Një fëmijë 9-vjeçar nuk mund ta kuptojë pse nuk luan me shokët, dhe aq më pak mund të përballojë forma mësimdhënieje që në atë kohë kishin një rreptësi të pa kuptueshme për kohen që jetojmë sot. Për pak, më bënë ta lija violinën në moshën 12-vjeçare. Kjo ka qenë beteja ime më e madhe: të përballoja një presion jo normal për një fëmijë dhe të vazhdoja rrugëtimin. Sot jam krenar që nuk u dorëzova. Sa i përket talentit, besoj se talenti i vetëm i vërtetë është të gjesh vetveten në atë që bën, në çdo fushë.
Në moshën 20-vjeçare më emociononin pjesët virtuoze; sot më emocionojnë nuancat, historia brenda frazës muzikore, dialogu me publikun. Kur arrin të jesh një me muzikën, me historinë dhe ndjenjat që kërkon t’i përcjellësh me violinën tënde, dhe ta ndash këtë me ata që të dëgjojnë, aty ndodh magjia. Ndoshta këto “ingredientë” të mbledhura së bashku përbëjnë sekretin e atij “Pluhuri Zanash” që na bie në kokë pa arsye, duke transmetuar melodinë dhe që na e quajnë shpesh si “talent”.
Portalb.mk: Cila është kostoja e të vepruarit jashtë vendit: vetmia, presioni apo sakrifica?
Kledis Rexho: Nuk janë sfida të vogla. Kur largohesh, fillon gjithçka nga e para. Në një farë mënyre e sheh veten në pasqyrë dhe përballesh me pyetjen: kush jam unë? Je vetëm ti me veten tënde. Kjo të rrit. Dhe, pavarësisht sakrificave, ato janë pjesë e asaj që bëhemi sot. Sfida më e madhe është të kuptosh mekanizmin e një kulture të re. Thuhet shpesh “duhet të integrohesh”, por ku? Në një vend të madh si Franca ka shumë realitete dhe sensibilitete të ndryshme. Shumë të rinj, kur shkojnë në vende të mëdha, shpesh humbin kohë duke kërkuar një identitet të ri ose, në rastin më të keq, duke mohuar vendin nga vijnë. E kam vërejtur shpesh me kontaktet gjate studimeve në Francë. Lufta dhe sfida më e madhe është të mos humbasësh thelbin tënd. Të marrësh më të mirën nga vendi pritës, pa hequr dorë nga rrënjët. Kur arrin ta bësh këtë, krijon një identitet unik, të pasuruar nga dy kultura që bashkëjetojnë më pas në harmonie tek ty, dhe transmetohen në jetë dhe në muzikën tonë.

Portalb.mk: Ke luajtur si solist dhe në orkestër me emra botërorë si Frank Peter Zimmermann, Nathalie Dessay, Renaud Capuçon, dhe nën dirigjimin e Paavo e Neeme Järvi, çfarë të mësoi realisht puna pranë tyre: cili ishte ‘sekreti’ i nivelit të tyre dhe çfarë e ndryshoi përgjithmonë te ti si muzikant?
Kledis Rexho: Të punoja me Neeme Järvi në Radio France ishte një master-class i vërtetë, jo vetëm muzikor, por edhe njerëzor. E njëjta gjë me Paavo Järvi në Filarmoninë e Luksemburgut. Baba dhe djalë, dy figura madhore të dirigjimit botëror, që transmetonin një thjeshtësi të jashtë zakonshme në punë.
Emmanuele Krivine po në Radio France ku punova rreth 3 vite ishte një personazh shumë i veçantë. Puna me të më bëri të kuptoja abstraksionin dhe gjenialitetin e vetë muzikës. Një eksperiencë e paharrueshme. Frank Peter Zimmermann, një magjistar i teknikës së violinës, por me një buzëqeshje të ngrohtë dhe pa asnjë arrogancë.
Nathalie Dessay, me të cilën pata fatin të bashkëpunoj në New York për një koncert dhe gjatë udhëtimit me anijen “Queen Mary 2” ishte po aq e thjeshtë sa madhështore në skenë. Asnjëherë nuk të bënte të ndiheshe inferior kur flisje me të. Jean-Christophe Spinosi më mësoi se çfarë do të thotë kur muzika dhe orkestra kthehen në një dallgë deti ku vala shkon e gjitha në një drejtim.
Kur je pjesë e asaj vale frazash dhe notash, e koncepton melodinë ndryshe. Sikur rilind dhe e zbulon nga e para jetën. Një lloj rilindjeje e Neos tek filmi “Matriks”. Martha Argerich, legjenda e pianos, të imponon respekt vetëm duke e parë nga afër. Kisha fatin të flisja me të, duke mbajtur duart e njëri-tjetrit me shumë respekt. Çfarë fati të isha pranë atyre duarve që kanë bërë historinë e pianos. Renaud Capuçon ka profil tjetër, por një gjë është e përbashkët për të gjithë këto figura me të cilët pata fatin të bashkëpunoj dhe ti njoh nga afër: sa më i madh artisti, aq më i thjeshtë bëhet.
Ndoshta ky është sekreti, të mos ngurtësohesh kurrë, të jesh si uji, i cili ka forcën të zbusë edhe vetë shkëmbin.
Portalb.mk: Kur del në skenë, çfarë do të sundojë: teknika apo emocioni, dhe a e ka tradhtuar ndonjëherë njëra tjetrën?
Kledis Rexho: Është një proces. Ka etapa që duhen kaluar. Në fillimet e mia si solist kisha probleme të mëdha me emocionin. Harku dhe gjunjët më dridheshin në koncert. Sa më shumë përpiqesha ta kontrolloja, aq më keq bëhej. Derisa kuptova se emocioni nuk duhet shtypur, por pranuar dhe kanalizuar. Pak si në një marrëdhënie njerëzore: energjia pozitive dhe besimi funksionojnë më mirë se kontrolli. Një kthesë e madhe, që më hoqi frikën e skenës, ishte puna me Ansamblin Matheus. Një ansambël që ka shitur miliona disqe nëpër Botë. Aty kuptova muzikën jo si nota, por si histori, si ndjenja.
Tashmë kur luaj Chaconnen e Bach, përveç pjesës së nivelit të arritjes teknike, kam prioritet të tregoj diçka, të përcjell një mesazh.. Në atë moment teknika dhe emocioni nuk luftojnë më, por bashkëpunojnë. Dhe muzika bëhet terapi shpirtërore, si për atë që luan, ashtu edhe për atë që dëgjon.
Portalb.mk: Sa të rëndon Shqipëria mbi supe, është krenari që të ngre, apo si përgjegjësi që të detyron?
Kledis Rexho: Shqipëria është pjesë e imja dhe do të mbetet gjithmonë e tillë. Jo vetëm Shqipëria, por çdo vend ku ka shqiptar, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, në Preshevë, kudo. Ëndërroj të luaj në çdo vend ku jeton një shqiptar. Përmes projektit që kam krijuar “Life and Music Concept Orchestra”, së bashku me Presidenten e Nderi, Nevila Dudaj, dhe drejtoreshën e projektit Erisa Lipoveci, kërkojmë të zhvillojmë misione sociale dhe pedagogjike, të krijojmë ura mes muzikantëve dhe të rinjve në të gjitha trevat shqiptare por edhe më gjere, në Ballkan dhe në Evropë.
I besoj shumë shprehjes: mos prit çfarë do të bëjë vendi yt për ty, por çfarë do të bësh ti për të. Vetëm kështu ndërtojmë energji pozitive dhe zhvillim real, social, artistik dhe më gjerë akoma.

Portalb.mk: “Violina e Paqes” a është thjesht simbol i bukur, apo një mision që do të lërë gjurmë reale?
Kledis Rexho: “Violina e Paqes” dhe “Life and Music Concept Orchestra” janë mbi të gjitha një frymë e re. Një mënyrë e re për të bashkuar zhanre, breza dhe kultura të ndryshme në një melodi të bukur për shpirtin dhe zemrën. Është përpjekje për të sjellë vlerat më të mira të traditës shqiptare, të kombinuara me ato evropiane. Është një projekt që, edhe pse i ri, ka dhënë prova konkrete dhe po rritet çdo vit.
Portalb.mk: Çfarë projekti po përgatit tani dhe kur mund ta presim? Cili do të ishte mesazhi i juaj për gjithë lexuesit tanë?
Kledis Rexho: Po përgatis një projekt të madh ku violina do të vijë më pranë publikut se kurrë më parë, me një dimension human, social dhe kombëtar. Është një ide që e kam menduar prej vitesh dhe besoj se tani është momenti të marrë formë.
Mesazhi im për lexuesit është i thjeshtë: do të jem gjithmonë i lumtur të ndaj muzikën time me ju dhe të luaj në çdo cep të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë.
Muzika dhe arti janë ura më e bukur që mund të ndërtojmë mes nesh. Ura që lidhi rininë e Gjermanisë dhe Francës pas çmendurisë së Luftës së Dytë Botërore. Ura për një të ardhme evropiane, ku kufijtë mes popujve do të mbeten vetëm si suvenire të një kohe tjetër. Ura për respektin dhe paqen..
Menuhin thoshte diçka të ngjashme.. “Nëse arrij të luaj Chaconne-n e Bach ashtu si do të doja, jam i sigurtë që universi do të sillte paqen dhe dashurinë në të gjithë botën.. (pranoj që kjo shprehje është pak idealiste dhe vjen me pak ndryshime edhe nga unë personalisht. Por që për mua ka një domethënie të madhe për forcën e muzikës dhe artit në Botë).
