Vepra e Sinadinovskit një dritare në fund të tunelit

Shkruan: Ejup Ajdini

Me librin “ Josif Bageri” të autorit Branisllav Sinadinivski, u hap dritarja e madhe në fund të tunelit historik, edhe atë në kohën më të duhur dhe më të përshtatshme. Për këto raste të veçanta Hygo thoshte se të jesh i mirë është e thjeshtë, por të jesh i drejtë në vendime, është e vështirë, që nënkuptojmë se për Sinadinovskin nuk ishte e lehë të veprohet kësisoj në këto rrethana politike, kur albanofobia ballkanike nuk ka marrë fund!

Sa është kënaqësi që të shkruash dhe të flasësh për veprimtarinë interdiciplinare të Branisllav Sinadinovskit, po aq është edhe përgjegjësi e veçantë sepse kemi të bëjmë me një personalitet shumëdimensional, si në jetën kulturore, pulitke e diplomatike, po ashtu edhe në mbarë jetën shoqërore në Maqedoni dhe më gjerë. Që në antikë, Horaci thoshte: “Është kënaqësi dhe nder te vdesësh për atdhe”. Sinadinovski i lindur në Shtip, por, të gjitha shkallët e shkollimit i bëri në Shkup. Përveç se bashkëpunëtor i lartë shkencor për studime sociologjike, politike e juridike, ai edhe ligjëron në disa universitete të botës arabe. Ka punuar në shumë projekte ndërkombëtare. Dy dekada ka qenë diplomat karriere dhe shumë funksione në ish diplomacinë jugosllave. Njohës i pesë gjuhëve botërore. Pjesëmarrës në themelimin e VMRO-DPMNE-së. Ka qenë ministër i punëve të jashtme, kandidat i pavarur për president shteti më 1998 etj. Ajo që mua më ka bërë përshtypje është se, Branko Sinadinovski është edhe këshilltar special i liderit të BDI-së z. Ali Ahmetit. Siç duket, Sinadinovski e ka ruajtur në thellësinë e shpirtit atë më të shenjtën, siç thoshte edhe Sami Frashri : “ Sendet me te shtrenjta në botë janë nderi dhe atdheu.” Vetëm kjo mund të na krijoj një jetë të bukur dhe të lirë.

Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Koha e kaluar na bëri të ktheheshim në cinikë, në jonjerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet sepse na mungonte njerzillëku, na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta është dhunë dhe gjithçka është e humbur. Populli thotë: Nëse vonon, por nuk harron. Pra, kjo vepër për J. Bagerin na nxitë që të mendojmë se, urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njerëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E, derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur. Sunduesi mund të marrë gjithçka, por shpirti mbetet shpirt, nuk vdes dhe armiku s’ka si ta asgjësoj, ja pra, edhe pas 100 vitesh ky shpirt i i rekasve ngjallet, apo rilindet përsëri.

Sa i përket opusit krijues të Sindinovskit, përfshihen 33 libra shkencorë, 300 punime shkencore dhe profesionale, me 15 mijë faqe të shtypura dhe të publikuara në gjuhën maqedonase, gjuhën shqipe, serbe, sllovene angleze, franceze dhe arabe. Nga 33 librat shkencor e profesional të Sinadinovskit, me lerë të veçantë është edhe libri, “Josif Bageri”, rilindës, poet dhe publicist i madh shqiptar, që te unë, ma merë mendja edhe te çdo lexues tjetër, ka lënë mbresa të thella, si nga metodologjia e punës shkencore, qartësia, kompletimi i të dhënave të sakta e shumë bindëse, zhdukja e dilemave rreth ndonjë fenomeni të caktuar dhe veçmas stili i të shkruarit, që nuk të jep rast të shkëputesh nga ky lexim. Për këtë, një rol të veçantë ka dhënë edhe përkthyesi, nga maqedonishtja në gjuhën shqipe, Agim Avdiu. Një peshë të madhe libri tregon edhe me vetë biografinë e autorit të librit, që, unë, personalisht përherë të parë e njoha biografinë e Sinadinovskit, që lidhet me historinë e krahinës së Rekës dhe atë të Josif Bagerit. Veçmas vlen të përmendet se, rrënjët e këtij autori dhe familjes së të tij, janë nga Reka e Epërme…Deri me vdekjen e gjyshes së autorit, “gjuha shqipe ishte gjuhë komunikimi në shtëpi midis gjyshes dhe babait të autorit, të cilën e respektonte dhe adhuronte pa masë, ani pse që të dytë me kohë kishin mësuar edhe gjuhën maqedonase.” Mu këtu qëndron edhe mrekullia e këtij libri serioz, sa human, po aq edhe shkencor, sepse, që nga Bageri, babai i autorit dhe vet studiuesi, diplomati e shkencëtari Sinadinovski, “kurë nuk i kanë fshehur rrënjët e vjetra shqiptare ortodokse, prejardhjen dhe përkatësinë etnike.“ Kjo mrekulli e ardhur nga fuqia e Zotit të madhërishëm, me automatizëm na i kujton arbëreshët e Italisë, Fan Nolin, Çajupin, Gramenon, Migjenin, Asdrenin, Thoma Kacorrin e shumë të tjerë dhe nuk thuhet rastësisht se gjaku i arbrit rron dhe kurë nuk do të vdesë. Për këtë, nuk e di pse mu kujtua një thënie e Balzakut, i cili thotë: “Kush kërkon dekorata nuk i meriton ato. Kush i meriton s’ ka nevojë për to.

Pa marrë parasysh kufijtë administrativ, zhvillimi kulturor e historik i një kombi nuk njeh kufi administrativ. Fati historik i popullit tonë ka qenë dhe mbetet i padëshiruar sepse dallgët e historisë e kanë shkëputur padrejtësisht rreth vetvetes, dhe kësisoj është shtrënguar të jetoj dhe të veproj në brendinë tokës së vete, por në disa kufij shtetëror te Ballkanit, duke përjetuar kufizime nga më të ndryshmet dhe me ndrydhje të mëdha rreth vetëdijes kombëtare. 

Nuk ka fenomen më tragjik për një popull kur i fshihet një pjesë e shpirtit – letërsia, historia, apo edhe tërësia e qenies së identitetit kombëtar ose kur njohja e saj kufizohet me forma parciale. Një pjesë e madhe e popullit tone ngeli nen administratën e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ku përjetuan reprezaljet nga me te ndryshmet, por falë traditës se lashte kulturore, historisë se lavdishme te mbare kombit shqiptar, duke falënderuat bijtë dhe bijat e pushkës e te pendës të shqiptareve te kësaj ane, asnjëherë nuk pranuan prangat e robërisë. Ata ruajtën me krenari identitetin e qenies se tyre kombëtare, qëndruan stoikisht përballë hordhive osmane e sllave. Ky stoicizëm i shqiptareve te Maqedonisë ishte i gjithanshmen, si në planin politik, hoqëror, kulturor, luftarak etj. Sa i përket planit kulturor po përmendim disa figura të rëndësishme te Rilindjes nga shqiptaret e këtij krahu: R.Voka, Seid.Najdeni, Familja Qiriazi, Ibrahim Temo, Jusuf Nallbani, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Myfit Sonoimeri e veçmas Josif Bageri, për të cilin edhe është përkushtuar autori i këtij libri, Branko Sinadinovski, që po e promovojmë sot në këtë tempull të dijes, në USHT, i cili erdhi si dëshirë e kamotshme e rilindësve tanë dhe sot, mu në këtë tempull, nxjerr dritë edhe studiuesi e diplomati Sinadinovski që sot para nesh sjell librin për plagën më të madhe të shqiptarëve, veçmas të atyre të Rekës që edhe sot kullon gjak…

  1. Bageri erdhi si rrjedhojë e forcës se përbashkët kombëtare, i cili veproi në kushte dhe rrethana të përbashkëta historike, kulturore politike dhe ekonomike të mbarë qenies sonë kombëtare. Ai ishte, siç thotë edhe autori i librit që në titull, Rilindës, poet, por edhe publicist i mire i kohës. Përveç se atdhetar i devotshëm, ishte edhe njeri i aksioneve dhe me aftësi krijuese dhe organizative, që, bashkë me shokët e tij, ideal të vetëm e kishin lirinë e plotë për të gjithë shqiptaret e Ballkanit, por jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve tjerë të shtypur. Kjo ndjenjë e thellë kombëtare kishte zënë vend nga logjika dhe arsyeja e shëndoshë e rekasve. Për këtë edhe z. Sinadinovski dëshmon: në favor të fakteve se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve ka pa numër dëshmi… dhe … të mbijetuarit e pellazgëve të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, kështu që nuk është aspak e rastit që monedha e sotme shqiptare mban emrin “ lek “ ( nga emri shqip Leka i Madh), siç, po ashtu, nuk është e rastit që emri Skënderbe është marrë nga emri turk Iskender, që turqisht dhe arabisht është Aleksandër!”

Me 1912, me shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë, ku pjesa më e mashe e Shqipërisë mbeti jashtë kësaj pavarësie, të gjithë rilindësit tanë të kohës u ndjenë shumë të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga fuqitë e mëdha. Këtë zhgënjim të madh kombëtar edhe Bageri e ndjeu thellë dhe këtë e shprehu me një shkrim te veçante ku thotë: Ejani ta ngjallin kombin, se anmiku na përpiu e na gëlltiti... Për të arritur këto qëllime, ai nga popullata shqiptare kërkon që të lidhin besa-besë dhe Bashkërisht të punojmë për të mirën e kombit vet. Në tërësi ai ndjente gëzim edhe për pavarësinë e asaj pak Shqipërie, “ por e kundërshtonte idenë që në krye të saj të vij një mbret, pasi Josifi kishte dhënë prova si poet, Autori i librit, Sinadinovski i qaset edhe këtij problemi. Jo rastësisht Branisllav Sinadinovski librin e tij “ Josif Bageri” e fillon me këto vargje:

“ S’due ktu uni me vdek,

Po n’shqipni! Atje në Rek!

Ah dhe njëherë unë të ngrihem!

Pa n’vorr t’nanës un të shtrihem!

Atje në Rek para kishës;

Atje në Nistrovë, n’hijet pishës!

Një shekull më parë, intelektualë të shumtë, krijues e patriotë të vendit u larguan nga trojet tona etnike dhe u vendosën në shumë qendra të Evropës dhe jashtë saj, por bota e tyre krijuese, patriotike e revolucionare nuk qëndroi në heshtje, përkundrazi ata u mobilizuan fuqishëm dhe krijuan kolonitë, klubet, shoqëritë, shtypshkronjat e gjithçka që ishte në dobi të lëvizjes kombëtare. Njëra nga kolonitë shqiptare më e veçantë ishte edhe ajo e Sofjes, ku ishte aktivizuar thellësisht edhe J. Bageri, e që kishte marrë një orientim të mbarë për kauzën e madhe kombëtare, si në planin organizativ, politik, kulturor, arsimor, të informacionit dhe të atij letrarë që çonte drejt udhës së pavarësisë.

Në revistën “Shpnesa e Shqipnis“ që e drejtonte z. Ivanaj, Bageri do të gjej prehje intelektuale dhe do të botoj pandërprerë për një vit rresht, 1906-1907. Në këtë revistë ai botoi edhe punimin “ Detyra e shqiptarit “ që molisi e para platformë politike e tij për trasimin e rrugës deri te liria kombëtare. Për të ardhur deri te liria kombëtare e Shqipërisë etnike, ai në platformë parasheh edhe detyrat e çdo shqiptarit dhe duke filluar nga e para: “ Të ape dorën vllai vllait me t’pa dajtun të fes ”. Sipas Bagerit, kombit tonë nuk i munguan trimat, dhe njerëzit e dijes, por i mungonte organizimi, pasi këto njerëz ishin të shpërndarë gjithandej.

Detyra e dytë, në këtë platformë, ishte që shqiptarët të sigurojnë mjete financiare që do kërkonte lufta për liri. Me këto mjete do ndihmohej edhe shtypi shqiptar, pasi është pjese e pandarë e lirisë kombëtare. Bageri e quan te varfër shtypin shqiptar, pasi, gjithandej kemi vetëm katër gazeta shqipe- thoshte ai.

Punë e madhe që bënte me shkrimet e tij neper gazetat e kohës, e nxitën që të nisi punën me gazetën e tij “ Shqypja e shqypnis” e cila filloi të dalë në botim në muajin maj 1909 deri në muajin tetor 1911, pas Kongresit të Manastirit. Kjo ishte organ për politikë dhe dituri . Motoja kryesore e gazetës ishte: Perpara vllazën shqiptar! Ne luftën e rrept kunder padijes për mbrojtjen e kombit shqiptar dhe shndritjen e tij 

Rruga deri te kjo gazete ishte tejet e vështire, të cilën nuk e bënte për te përfituar, apo për ndonjë lloj tregtie, por për t’u treguar bashkatdhetarëve, se cila ishte detyra e tyre patriotike dhe rrugët qe do çonin drejt lirisë dhe pavarësisë se Shqipërisë Etnike.

Letërkëmbimet dhe urimet për gazetën i shtoheshin Bagerit dita më ditë nga katëranët e botës. Hil Mosi, me 2 korik 1909 i shkruante: “ Atdhetar i dashtun Z-ni Bageri! Nuk dim më se si t’ju rrëfejmë përgëzimet dhe urimet t’ona për këtë barr dhe pasi iniciativa që keni marë për me mpruejt të drejtat e kombit shqiptar…”

Gazeta e tij arrinte te lexohej edhe në Gostivar dhe ne katundet e Rekës për rreth. Një bashkatdhetar i tij që jetonte dhe vepronte në Egjipt, e që përfaqësonte shqiptarët e atjeshëm, shkruante: … Shqypja e Shqypnis” (e ) cila shkruhet fort bukur me të amblën gjuh t’on…të cilën e marrëqn vesht shum mir gjith ata zoqt e shqypnis , si prej toskëve, ashtu por, dhe prej gegëve…

Sa i përket vizionit të tij politik edhe sot e kësaj dite është aktual. Ai, që atëherë, shkruante: “… Serbia dhe Greqia jan ma t’rreptit armik të Shqipenis….”

Kjo vepër që po promovojmë me kaq kënaqësi është mjaft komplekse. Ajo përbëhet me mbi 300 faqe material ekskluziv shkencor, me mbi 94 burime shkencore dhe me 28 tituj të plotë që përbëjnë tërësinë kompozicionale të veprës në fjalë është një filozofi e kësaj ane e shfaqur si domosdoshmëri historike dhe imperativ i kohës, pikërisht në kohën kur populli shqiptar kalon vuajtje nga më të ndryshmet, veçmas ajo e anës së Rekës, e cila që një shekull lufton për moszhdukje. Ky libër, sa publicistik, po aq human edhe shkencor, u shkrua me frymën e dëshmisë se identitetit kombëtar të asaj pjese më të shkelur të qenies sonë kombëtare në këto anë, që edhe sot e kësaj dite këto plagët gjak arbërori. Motivi kulturor e gjuhësor, publicistik e shkencor i librit në fjalë, ka individualitetin e qarte prej një studiuesi, diplomati e burë shteti si z. Branisllav (Branko) Sinadinovski, që dëshmon për një aktivitet të pasur të kësaj vepre që sjellë një kontribut të veçantë në mbare publicistiken shqiptare të kohës sonë e që do jetë një vulë e përjetshme, jo vetëm për Josif Bagerin e Krahinën e Rekës, por edhe për pjesën e pandriçuar të Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo vepër përputhet edhe me thënien e Martin Luther Kinng-ut , kur u drejtohej patriotëve amerikan: mos pyesni se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju, pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.”

Pra, në emër të demokracisë duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë bashkërisht për një botë të re, për një humanizëm dhe rilindje të re, e cila nuk do të bëj dallime të thella fetare, racore e kombëtare, por duke ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë. Kësisoj edhe në kohën moderne “Presidentit francez, Sarkozi, më 2007 në katedralen e Latranit thoshte:“.. i bëj thirrje lindjes së një laiciteti pozitiv,… të mos i kqyrë fetë si një rrezik, por përkundrazi si një avantazh”. Edhe pse “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim”, thoshte Volteri.