Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në RMV prek drejtpërdrejt dinjitetin e shqiptarëve, alarmoi MMPT

Më Mirë për Tetovën (MMT) ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese rreth ndryshimit të emrave të rrugëve e shesheve në Tetovë. Ata fajësuan edhe “shqiptarët e mirë” rreth vasalitetin kundër interesit të popullit shqiptarë., transmeton Portalb.mk.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës të vitit 2007 për emërtimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve nuk është vetëm çështje juridike ose administrative, ky vendim prek drejtpërdrejt dinjitetin e shqiptarëve dhe është sulm ndaj realitetit demografik, historik dhe shoqëror të Tetovës”, vlerësoi Më Mirë për Tetovën.

Ata vlerësojnë se emrat e ndryshuar nuk e përfaqësojnë shumicën qytetarë, duke përkujtuar edhe sistemin represiv ndaj shqiptarëve. Vendimin e fundit të Gjykatës e vlerësuan si imponim, antidemokratik dhe dhunë psikologjike.

“Për shqiptarët, këta emra lidhen me një sistem represiv dhe me një periudhë të errët, kur ata përndiqeshin në mënyrë sistematike, dëboheshin nga shtëpitë e tyre, pengoheshin në përdorimin e emrave shqip për fëmijët dhe identiteti shqiptar shërbente si bazë për diskriminim”, deklaruan nga Më Mirë për Tetovën.

Më Mirë për Tetovën këtë vendim e renditën si vazhdimësi e injorimit të historisë shqiptare në Muzeun e Tetovës dhe zhvillimeve të fundit në Monopolin e Tetovës.

Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.

Në pika të shkurta:

  • Në prill 2007 Këshilli Komunal i Tetovës ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit, pa pëlqim të Qeverisë. Sheshi dhe shtatë rrugë morën emra shqip, tre rrugë u riemëruan maqedonisht.
  • Në shkurt 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit.
  • Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese hapi lëndë.
  • Në qershor 2026 Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal.

Gjithçka nisi në 2007

Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.

Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:

  • Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
  • Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
  • Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
  • Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
  • Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
  • Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
  • Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
  • Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
  • Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
  • Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.

Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.

Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.

Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.

Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.

Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese

Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.

Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë

Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin

Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.

Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues sot tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranaur 600 propozime për riemërimn e rrugëve.

Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra do të mbeten.

“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.

Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.