Haaland vendosi rekordin historik në Premier League

Ishte vetëm çështje kohe, megjithëse askush nuk mendonte se Erling Haaland do të vendoste kaq shpejt një rekord që qëndronte prej shumë vitesh në fuqi. Sulmuesi i Manchester City hyn në historinë e futbollit anglez, duke arritur në kuotën e 100 golave në Premier League pas vetëm 111 ndeshjeve, raporton ABC.

Norvegjezi le pas një legjendë si Alan Shearer, që këtë shifër e kishte kapur pas 124 sfidave të luajtura në kampionat.

Një arritje mbreslënëse, që e konfirmojnë Haaland një makineri të vërtetë golash.

Sulmuesi e vendosi këtë rekord në fitoren 5-4 të Manchester City në fushën e Fulham.

Rezultati flet qartë për një sfidë sat ë çmendur dhe po aq spektakolare.

Skuadra e Pep Guardiola dominoi në pjesën e parë, madje dha përshtypjen se e vrau garën përpara pushimit.

Haaland zhbllokoi rezultatin me golin e rekordit në minutën e 17-të, ndërsa më pas Reijnders dhe Foden thelluan në 3-0 epërsinë e “Cityzens”.

Smith-Roëe ngushtoi diferencën në shtesën e pjesës së parë, por pas pushimit shpresat e vendasve u sfumuan sërish.

Foden me golin e dytë personal dhe autogoli i Berge thelluan në 5-1 rezultatin.

Por të besuarit e Guardiola u relaksuan më shpejt seç duhej.

Fulham nuk u dorëzua, madje I shkoi shumë pranë realizimit të një misioni thuajse të pamundur. Iwobi dhe dy herë Chukwueze mbajtën garën të hapur deri në fund.

Gjithsesi, Manchester City arriti të ruajë fitoren, duke u ngjitur në kuotën e 28 pikëve në vendin e dytë, vetëm dy më pak se Arsenali kryesues.