​Vendet e botës me numrin më të madh të popullsisë në depresion

Depresioni është një çrregullim i shëndetit mendor që ndikon negativisht në mënyrën se si një person ndihet, mendon dhe vepron, raporton TopChannel. Global Health Data Exchange vlerëson se 251-310 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga depresioni. Ndërsa depresioni është i zakonshëm, ai është gjithashtu, për fat të mirë, i trajtueshëm.

Sipas një studimi të Barrës Globale të Sëmundjeve, në krye të listës së vendeve me popullsinë më depresive kryeson Grenlanda me 6.61 për qind, pasuar nga Greqia 6.52, Spanja 6.04, Portugalia 5.88, Palestina dhe Tunizia me nga 5.75 secila, Bahrejni 5.52, Maroku 5.49, Irani 5.48 dhe Lituania me 5.42 për qind.

Ndër vendet me më pak depresion janë Singapori 2.45 për qind, Timori Lindor 2.41 për qind, Peru 2.36, Mjanmari 2.28 dhe vendi me më së paku depresion është Brunei, shtet në Azi, me 1.83 për qind.

Shqipëria ndërkaq renditet e 162-ta me 3.05 për qind, derisa Kosova nuk është e përfshirë në listë.

Ndryshe, simptomat e depresionit mund të variojnë nga të lehta në të rënda dhe përfshijnë si më poshtë: një ndjenjë e vazhdueshme trishtimi, humbja e interesit për aktivitetet e shijuara dikur, ndryshimet në oreks – humbje ose shtim në peshë, probleme me gjumin etj.

Faktorët e rrezikut për depresion përfshijnë: biokiminë (dallimet në kimikatet në tru), gjenetikë (depresioni mund të jetë i trashëguar), personaliteti (ata që janë përgjithësisht pesimistë ose kanë vetëvlerësim të ulët kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion) dhe mjedisin (ata që janë të ekspozuar ndaj dhunës, abuzimit, neglizhencës ose varfërisë kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion).

Depresioni prek rreth 1 në 15 të rritur në çdo vit të caktuar dhe 1 në 6 njerëz do të përjetojnë depresion në një moment të jetës së tyre.

Një studim “Our World In Data” vlerëson se rreth 3.4% (2-6% kur përfshihet marzha e gabimit) e popullsisë globale ka depresion. Bëhet fjalë për rreth 264 milionë njerëz në mbarë botën.