Vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë së bashku për mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë së bashku për avancimin e mbrojtjes së biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve të degraduara, përmes miratimit të dy dokumenteve kryesore rajonale, Planit Strategjik për Biodiversitetin e Ballkanit Perëndimor 2030 dhe Planit për Restaurimin e Peizazheve Pyjore të Ballkanit Perëndimor. Këto dokumente, të cilat paraqesin një hap të rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe harmonizimin e rajonit me objektivat evropiane dhe globale për mbrojtjen e natyrës, u miratuan në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Mal të Zi, transmeton Portalb.mk.
Së bashku, këto plane paraqesin një udhërrëfyes të përbashkët për ruajtjen e biodiversitetit, restaurimin e ekosistemeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2030. Objektivat kryesore të tyre përfshijnë mbrojtjen e të paktën 30 përqind të zonave tokësore, të ujërave të ëmbla, detare dhe bregdetare, restaurimin e të paktën 20 përqind të ekosistemeve të degraduara, ndalimin e humbjes së specieve dhe avancimin e lidhshmërisë ekologjike në të gjithë rajonin.
Plani Strategjik për Biodiversitetin e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030 i harmonizon prioritetet rajonale me Kornizën Globale për Biodiversitetin Kunming-Montreal dhe Strategjinë e BE-së për Biodiversitetin deri në vitin 2030. Plani synon forcimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, avancimin e monitorimit të gjendjes dhe mbledhjes së të dhënave për biodiversitetin, si dhe përfshirjen e mbrojtjes së natyrës në politikat dhe praktikat e sektorëve si bujqësia, pylltaria, energjetika, menaxhimi i ujërave dhe zhvillimi i infrastrukturës.
Plani për Restaurimin e Peizazheve Pyjore të Ballkanit Perëndimor, nga ana tjetër, promovon një qasje gjithëpërfshirëse ndaj restaurimit të natyrës, e cila ndërlidh ruajtjen e biodiversitetit me menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e tokës dhe burimeve ujore, si dhe reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore. Një qasje e tillë kontribuon në qëndrueshmërinë afatgjatë të ekosistemeve dhe komuniteteve lokale në të gjithë rajonin.
“Natyrës nuk i njohin kufijtë, prandaj kufij nuk mund të ketë as përgjigjja jonë ndaj humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të ekosistemeve. Me miratimin e Planit Strategjik për Biodiversitetin deri në vitin 2030 dhe Planit për Restaurimin e Peizazheve Pyjore, Ballkani Perëndimor tregon përkushtim të përbashkët për veprim të koordinuar në fushën e mbrojtjes së natyrës. IUCN pret vazhdimin e bashkëpunimit me qeveritë, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe partnerët, me qëllim që këto detyrime rajonale t’i shndërrojmë në masa konkrete për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës në terren”, theksoi Oliver Avramoski, drejtor i Zyrës Rajonale të IUCN-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Të dy dokumentet paraqesin instrumente kryesore për zbatimin e Kapitullit 5 të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor: Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit. Përmes tyre, detyrimet ndërkombëtare dhe evropiane shndërrohen në masa dhe aktivitete konkrete rajonale. Miratimi i këtyre planeve paraqet një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit më të fuqishëm rajonal dhe përballjes së përbashkët me sfidat që lidhen me humbjen e biodiversitetit, degradimin e ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike. Për zbatimin e tyre të suksesshëm do të nevojitet përkushtim afatgjatë nga qeveritë, komuniteti shkencor, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, së bashku me investime më të mëdha për ruajtjen, restaurimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Me kornizën e re rajonale vendosen themelet për veprim të koordinuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që natyra e ruajtur dhe e restauruar të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm, qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.