Paraburgim dhe arrest shtëpiak për dy të dyshuarat në “Lotarinë Shtetërore” për përvetësim të 1.3 milionë eurove
Masa e paraburgimit dhe arresti shtëpiak iu caktuan drejtoreshës dhe shefes së financave në SHA “Lotaria Shtetërore”, të dyshuara se kanë kryer përvetësim në detyrë në vlerë prej rreth 80 milionë denarësh, përkatësisht rreth 1.3 milionë euro, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale Shkup, transmeton Portalb.mk.
Kjo pason vendimin e Prokurorisë Themelore Publike Shkup, e cila, pas një aksioni të zhvilluar nga Drejtoria e Policisë Financiare, ka hapur procedurë hetimore ndaj drejtoreshës dhe shefes së financave në “Lotarinë Shtetërore”.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarat e kanë kryer veprën gjatë vitit 2024, me qëllim që për vete të siguronin përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Në përshkrimin e rastit thuhet se ato nuk e kanë paguar dhe depozituar të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024, të cilin e kishin marrë në mirëbesim nga pikat e shitjes, në llogaritë e transaksioneve të shoqërisë në bankat afariste, por e kanë përvetësuar për vete dhe në këtë mënyrë kanë përvetësuar para që u ishin besuar në detyrë në vlerë prej 1.3 milionë eurosh.
“Gjatë gjithë vitit 2024, e dyshuara e parë, në pozitën e drejtoreshës së Sektorit për Financa dhe Kontabilitet, dhe e dyshuara e dytë, si shefe e punëve financiare në SHA për organizimin e lojërave të fatit ‘Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut’, duke ushtruar autorizimet dhe detyrat e tyre të veçanta të përcaktuara me ligj, së bashku kanë marrë pjesë në veprimet për kryerjen e veprës penale të përvetësimit, me qëllim që për vete të siguronin përfitim të kundërligjshëm pasuror”, thonë nga Prokuroria.
Të dyshuarat, siç thuhet, kanë përvetësuar shumën prej 79.989.444 denarësh, para që u ishin besuar në detyrë.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup që ndaj të dyshuarave të caktohet masa e paraburgimit.