Aksion artistik për bakteret patogjene në parkun e qytetit të Shkupit dhe në qendrën tregtare “Bunjakovec”

Artisti i ri Ozbek Ajvaz sot në mëngjes në qendër të Shkupit prezantoi edhe dy skulptura të tjera nga projekti i tij për sensibilizimin dhe informimin e qytetarëve për rrezikun e përditshëm të baktereve patogjene që shfaqen në vendet ku nuk ka tualete publike dhe kushte sanitare, transmeton Portalb.mk.

Në afërsi të qendrës tregtare “Bunjakovec” shfaqet bakteri Klebsiella, i cili mund të jetë rrezik serioz për përhapjen e infeksionit. Është një bakter që mund të shkaktojë lloje të ndryshme infeksionesh, duke përfshirë infeksionet e traktit urinar, pneumoninë dhe infeksionet e qarkullimit të gjakut.

Foto: Ozbek Ajvaz
Foto: Ozbek Ajvaz

Skulptura e dytë, e vendosur në parkun e qytetit pranë shatërvanit Lotus, përfaqëson bakterin Proteus mirabilis, i cili është lehtësisht i transmetueshëm dhe gjithashtu shkakton infeksione të ndryshme.

“Mungesa e qasjes në kushtet elementare të higjienës i ekspozon njerëzit ndaj rrezikut të kontaktit me baktere të ndryshme patogjene që mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin e njeriut. Mungesa e qasjes në ujë të pastër, produkte higjienike dhe kushte të tjera higjienike sanitare mund të rrisë përhapjen e baktereve si klebsiella dhe proteus mirabilis duke rezultuar në një numër në rritje të problemeve shëndetësore në komunitet”, thotë artisti Aivaz.

Për mbrojtje më të mirë, sipas tij, është thelbësore që të sigurohen tualete publike të denjë, veçanërisht në vende publike si parqe, rrugë dhe qendra tregtare. Zgjerimi i qasjes në kushtet higjienike jo vetëm që përmirëson gjendjen shëndetësore të komunitetit, por gjithashtu parandalon përhapjen e sëmundjeve dhe rrezikon cilësinë e shëndetit publik.