UNShM pas mbajtjes së provimit të parë ekstern: Institucionet të pranojnë kërkesat e punonjësve të QShP-së

Sot nga ora 10 deri në orën 14, 1.5620 maturantë nga i gjithë vendi iu nënshtruan provimit të gjuhës amtare nga provimi shtetëror i maturës. Provimi i parë ekstern është i detyrueshëm për të gjithë nxënësit. transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, gjuhë dhe letërsi maqedonase kanë marrë rreth 10.800 maturantë, gjuhë dhe letërsi shqipe rreth 4.400, kurse gjuhë dhe letërsi turke 357 kandidatë.

Pjesa më e madhe e tyre janë të arsimit të mesëm profesional, pasuar nga gjimnazet, ndërsa më pak të përfaqësuar janë nxënësit e arsimit të mesëm artistik. Përkatësisht 6.750 të arsimit të mesëm, 8.598 nga arsimi i mesëm profesional dhe 272 nga arsimi i mesëm artistik. 

Më të regjistruarit – 13.922 – janë për provimin e gjuhës angleze, 1.397 nxënës janë regjistruar për matematikë, 29 maturantë do të japin gjuhën frënge, gjermanisht – 122 nxënës, 17 nxënës kanë aplikuar për provimin e gjuhës ruse, 81 nxënës zgjodhën Estetikën dhe shtatë maturantë zgjodhën filozofinë.

Sipas informacioneve paraprake të Unionit, provimi i parë ekstern ka shkuar pa probleme dhe në Union nuk kanë arritur ankesa pas provimit.

“UNShM konsideron se nuk duhet të harrohen punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve sepse falë tyre shteti arriti të organizojë provimin e parë ekstern të provimit të maturës shtetërore brenda afatit të caktuar. Duke pezulluar grevën, punonjësit e QShP-së e vendosin interesin e tyre ekonomik nën interesin e kësaj gjenerate maturantësh për t’i dhënë provimin e maturës shtetërore brenda afatit të caktuar dhe për të marrë në kohë rezultatet e nevojshme për regjistrimin në studimet e mëtejshme. Ndaj Unioni i bën një tjetër thirrje publike Ministrisë së Financave që të respektojë vendimin e këtyre 29 personave dhe të pranojë kërkesat e tyre për barazimin e pagave me rritje të pagës minimale”, thonë nga UNShM.

Maturantët  tashmë e kanë mbrojtur detyrën e tyre projektuese, që do të thotë se kanë ende provimin e dytë ekstern, i cili është caktuar për 10 qershor dhe dy provimet interne, të cilat do të zhvillohen nga 12 deri më 30 qershor.

Mbajtja e provimit vjetor të maturës shtetërore ishte në mëdyshje deri para pak kohësh për shkak të grevës së punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP). Ata kërkuan rritje të pagave nga autoritetet, gjegjësisht harmonizimin e tyre me pagën minimale, por thanë se takimet me përfaqësuesit e qeverisë lidhur me këtë çështje nuk dhanë fryte.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) këmbënguli që provimi i maturës shtetërore të zhvillohet sipas afateve të parapara dhe tha se nëse QShP është në grevë, Ministria do të dërgojë punonjësit e saj për të kryer të gjithë procesi.

Pas njoftimeve të tilla nga Ministria e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve vendosi pezullimin e grevës, me arsyetimin se nuk do të lejojë hyrjen e të huajve në procesin e maturës shtetërore dhe vënien në pikëpyetje të vlefshmërisë dhe rezultateve të testimit.

Megjithatë, para grevës së QShP-së, disa nga maturantët kanë protestuar disa herë para MASH-it, duke kërkuar nga autoritetet që t’ua lehtësojnë provimin e maturës shtetërore, pasi siç deklaruan ata, janë brezi më i dëmtuar që nuk ka kaluar asnjë vit shkollor pa asnjë ndërprerje.

Unioni i nxënësve të shkollave të mesme më pas doli zyrtarisht me kërkesa konkrete ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për lehtësimin e dhënies së provimit të maturës dhe Ministria e Arsimit i pranoi shumicën e tyre.

MASh pranoi kërkesën e Unionit për uljen e volumit, pra të numrit të pyetjeve në testin e gjuhës amtare, i cili do të ketë nga 60 në 80 pikë dhe jo nga 80 në 100 pikë si më parë.

Krahas kësaj, u pranuan kërkesat për ndryshimin e raportit të pikëve të provimit ekstern dhe intern nga provimi i maturës shtetërore për pranim në fakultet, dhe provimi i parë ekstern – gjuha amtare – të konsiderohet si i përshtatshëm për të gjitha programet e studimit.

Maturantët që nuk do ta kalojnë provimin e maturës në qershor, do të mund ta marrin atë në sesionin e provimit të gushtit – më 9 dhe 11 gusht.