RMV, janë duke përgatitur rekomandime për rritjen e sigurisë nëpër shkolla dhe parandalimin e dhunës së bashkëmoshatarëve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke përgatitur rekomandime për shkollat për rritjen e sigurisë në objekte, si dhe uljen e dhunës së bashkëmoshatarëve. Baza e procesit janë konkluzionet e dala nga takimet e deritanishme me profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës, nga takimet me përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira si dhe nga vizitat në shkolla ku së bashku me kuadrin mësimor dhe shërbimet profesionale po analizohet gjendja e sigurisë, transmeton Portab.mk.
“Pas finalizimit të rekomandimeve, të njejtat do t’i përcillen Qeverisë dhe do të miratohen në seancën e ardhshme. Ndërkohë, çdo propozim konstruktiv është i mirëpritur dhe mund të jetë pjesë e planit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkolla dhe në ndërtimin e mjedisit ku nxënësit do të fokusohen vetëm në përvetësimin e njohurive dhe aftësive ndërsa dhuna nuk do të jetë temë”, thonë nga MASh.
Njëkohësisht MASH-i vazhdon procesin e konsultimit, me përfshirjen e disa faktorëve shoqëror të cilët mund të ndihmojnë në krijimin e protokolleve gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë në shkolla dhe manualeve për trajtimin në rast të zbulimit të dhunës nga bashkëmoshatarët.
Gjithashtu aktiv janë e-mail adresat [email protected] dhe [email protected] ku mund të raportohen raste të dhunës në shkolla. Deri më tani janë pranuar rreth 20 porosi disa prej të cilave janë nga ish-profesorë në formën e sugjerimeve se si të parandalohet dhuna në shkolla dhe raportime nga nxënës që kanë pësuar një formë të caktuar dhune, për të cilat është kompetent të veprojë Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
Këto veprime vijnë pasi një javë më parë në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjes pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.
- LEXO: Shaqiri: Vazhdojnë takimet për kufizimin e Tik-Tokut
- LEXO: Edhe një vrasje masive në Serbi, është arrestuar sulmuesi i dyshuar