Ditëve në vijim Kovaçevski do ta ftojë Mickoskin në takim

Lideri dhe kryeministër i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, njoftoi se në dhjetë ditët e ardhshme planifikon ta ftojë në takim të përbashkët kryetarin e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç tha kryeministri, potencialisht do të diskutohen dy tema.

E para – tha Kovaçevski – do të jetë në lidhje me marrjen e vendimeve që nevojiten për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në fokus të temës së dytë, siç tha ai, do të jetë harmonizimi i qëndrimeve për marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e vendit.

“Planifikoj ta ftoj gjatë 10 ditëve të ardhshme në një takim ku do të diskutojmë dy tema. Tema e parë do të jetë marrja e vendimeve të nevojshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe së dyti, harmonizimi i pikëpamjeve për marrëdhëniet me të gjitha shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Qendrën Klinike të Shkupit.

Kovaçevski tha se të gjitha partitë politike në vend duhet të përfshihen në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe të jenë të vetëdijshëm se ky proces është i domosdoshëm për shkak të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ai ka theksuar se anëtarësimi në BE nuk është proces i një personi dhe një partie, por i të gjitha partive politike dhe të gjithë qytetarëve.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese, të cilat vendi duhet t’i bëjë për të vazhduar rrugën e integrimeve evropiane, Kovaçevski tha se të hënën pret propozim-iniciativën nga grupi punues për formimin e ndryshimeve, me të cilat bullgarët dhe popujt e tjerë do të përfshihet në Preambulën e Kushtetutës dhe do të gjendet në arkivin e Qeverisë, e më pas do të shqyrtohet në seancë të qeverisë.

“Qeveria do ta shqyrtojë me kujdes propozim-iniciativën, duke qenë se në përgatitjen e saj kanë marrë pjesë profesorë të së drejtës kushtetuese, profesorë të të drejtave që lidhen me të drejtën kushtetuese, përfaqësues nga praktika e së drejtës kushtetuese dhe përfaqësues të partive politike. Më pas, sipas procedurës, pasi që Qeveria ta shqyrtojë dhe ta miratojë, do t’i dorëzohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, sepse ky është procesi më i rëndësishëm për momentin në vend”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se kanë rënë në ujë të gjitha akuzat e opozitës se vendi do të bëhet dynacional, duke thënë se propozim-iniciativa për ndryshimet kushtetuese e sjellë nga grupi punues është në përputhje me konkluzionet e Kuvendit, në mënyrë që të përmbushen detyrimet e kornizës së negociatave me BE-në.

I pyetur nëse partitë shqiptare do ta mbështesin propozimin, duke marrë parasysh kërkesën e tyre për fshirjen e fjalës “20 për qind” nga Kushtetuta dhe zëvendësimin e saj me termin “gjuhë shqipe”, Kovaçevski nuk është përgjigjur konkretisht. Ai vetëm tha se bashkësia ndërkombëtare ka dërguar mesazhe të qarta për zbatimin e ndryshimeve në Kushtetutë dhe detyrimet që ka vendi ndaj BE-së.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.