Universiteti i Tetovës me ceremoni solemne e shënoi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës me një ceremoni solemne, e shënoi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit shqiptar. Kjo ditë përkujton jo vetëm shpalljen e pavarësisë, por edhe sakrificat e panumërta të heronjve dhe dëshmorëve tanë që luftuan për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar, transmeton Portalb.mk.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu tha se sot për të gjithë ne është festë e madhe, po aq e madhe sa edhe themelimi i këtij Universiteti.
“Në këtë ditë të rëndësishme dëshiroj të theksoj se vetëm arsimimi do të na shpjerë përpara gjithë kombin tonë. Krenohem me gjeneratat e reja, me bashkëpunimet shkencore që i bëjnë të padukshëm kufijtë administrativë ndër shqiptarë dhe këtu vend të rëndësishëm zë edhe Universiteti i Tetovës, që në vazhdimësi përmes konferencave, simpoziumeve dhe revistave shkencore është urë lidhëse e gjithë shqiptarëve për të përmirësuar gabimet historike. Tash është koha e lapsit dhe e fletores, prandaj nga këtu dëshiroj të jap mesazhin për më shumë përkushtim në shkencë, lexim dhe arsimim, sepse kjo është e vetmja rrugë që na bashkon gjithë shqiptarëve për të arritur aspiratat tona të përbashkëta”,tha Kadriu.

Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Rektori i Universitetit të Tetovës, u shpreh se ndihet krenar nga veprimtaria e tërësishme të cilën po e realizon Universiteti i Tetovës dhe me faktin se pikërisht në Tetovë janë të vendosura figurat e njërit nga ministrat e Nëntorit të Dytë, Ismail Qemalit dhe familjes Deralla, të cilët i japin kësaj shtëpie jetë dhe shpirt.
“Sigurisht mund të konstatojmë se ne, në Universitetin e Tetovës mbajmë fjalime, por e mbajmë edhe fjalën. Jam i bindur që profesorët tanë të historisë, do të flasin për betejat e Skënderbeut, për Nëntorin e Parë, do të flasin për Nëntorin e Dytë, për ngritjen e Flamurit Kombëtar me aq krenari nga udhëheqësi më i mençur që e kemi pasur, Ismail Qemali me bashkëveprimtarët e tij, në Vlorë. Duke pasur parasysh se Universiteti i Tetovës në këtë periudhë tridekadëshe, në prag të festës së madhe që jemi, ka shënuar mjaft të arritura, lirisht mund të shprehemi se Universiteti i Tetovës po e shënon dhe e feston Nëntorin e Tretë”, tha Zejneli.
Në vigjilje të festave të nëntorit u organizua edhe java e filmit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës në kuadër të së cilës, në amfiteatrin “Abdylselam Emini” sot u transmetua filmi “Nëntori i Dytë”, nga regjisori Viktor Gjika.
