“Ujësjellësi” i Shkupit humbësi dhe borxhliu më i madh, gjysma e ndërmarrjeve publike e mbyllën vitin 2024 me humbje totale prej 17.4 milionë eurosh

Gjysma e ndërmarrjeve publike në vend e mbyllën vitin 2024 me humbje. Sipas të dhënave nga llogaritë përfundimtare për vitin 2024, nga gjithsej 128 ndërmarrje publike të themeluara nga komunat, madje 71, ose 55%, e mbyllën vitin me humbje. Humbjet totale të këtyre 71 ndërmarrjeve arrijnë në 17.4 milionë euro, sipas hulumtimit të fundit nga Qendra për Komunikime Civile (QKC), transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi tregon se humbjet totale vetëm të 10 ndërmarrjeve të para me rezultatet më të mëdha negative financiare arrijnë në 13.5 milionë euro, që është sa 77% e humbjeve totale të ndërmarrjeve publike lokale. Tre vendet e para me humbjet më të mëdha në vend janë tre ndërmarrje publike të Shkupit “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, “Rrugë dhe rrugica” dhe “Higjiena komunale”. Vetëm ndërmarrja “Ujësjellësi” e Shkupit ka një humbje prej 4.2 milionë eurosh, “Rrugë dhe rrugica” prej 2.6 milionë eurosh dhe “Higjiena komunale” prej 1.2 milionë eurosh.

Në vendin e katërt dhe të pestë janë dy kompani të Manastirit, “Ujësjellësi” me një milion euro dhe “Komunalec” me 960,000 euro. Pas kësaj vijnë “Parqe dhe Gjelbërim” e Shkupit me 944,000 euro, si dhe kompanitë e shërbimeve “Ujësjellësi” nga Koçani me 902,000 euro, “Derven” nga Velesi me 600,000 euro, “Komunaleci i Ohrit” me 597,000 euro dhe “Ujësjellësi dhe kanalizim” nga Prilepi me 462,000 euro.

“Humbjet e ndërmarrjeve publike lokale në vitin 2024 u rritën krahasuar me vitin 2023 me deri në 56%, ose 6.2 milionë euro. Në vitet e fundit, numri i ndërmarrjeve që operuan me humbje është rritur gjithashtu, nga 54 në vitin 2023 në 71 ndërmarrje në vitin 2024. Prandaj, numri i ndërmarrjeve që rezultuan me fitim në vitin 2024 është ulur, por vlera e fitimit të këtyre ndërmarrjeve është rritur. Në vitin 2024, fitimi total është rreth 5.4 milionë euro, që është 24% më shumë se në vitin 2023″, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Civile.

Edhe më të mëdha se humbjet janë borxhet e ndërmarrjeve publike lokale, të matura përmes detyrimeve të tyre afatshkurtra. Sipas llogarive të tyre përfundimtare, deri në 126 nga 128 ndërmarrje publike lokale kanë borxhe që arrijnë në total 193.2 milionë euro.

Borxhet më të mëdha i ka e njëjta ndërmarrje që ka edhe humbjen më të madhe, përkatësisht “Ujësjellësi dhe kanalizim” e Shkupit. Vetëm kjo ndërmarrje ka detyrime afatshkurtra prej 53.3 milionë eurosh.

Më pas është Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) “Shkupi” e cila ka borxhe prej gati 17 milionë eurosh. Me borxhe prej gati 10 milionë eurosh secila janë “Ujësjellësi” e Kumanovës dhe “Komunalec” e Gostivarit. Në vendin e pestë, me borxhe prej 8 milionë eurosh, është “Higjiena Komunale” e Shkupit.

Dhjetë ndërmarrjet kryesore me borxhet më të mëdha së bashku përbëjnë 40% të borxheve totale të të gjitha ndërmarrjeve, ndërsa borxhi i 20 kompanive më të ngarkuara me borxhe arrin në 53% të borxheve totale.

Një e treta e ndërmarrjeve publike lokale kanë llogari bankare të bllokuar, pra 41 kompani.

Kur shikohet në aspektin e të ardhurave dhe shpenzimeve totale të ndërmarrjeve, vërehet rritje në të dyja anët. Në të njëjtën kohë, të ardhurat u rritën me 6.1 milionë euro, ose 2.7% në vitin 2024 krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa shpenzimet, nga ana tjetër, u rritën me 11.7 milionë euro, ose 5.%.

Në të gjitha këto 128 ndërmarrje në nivel lokal, ka 12,009 punonjës të përhershëm. Më shumë punonjës, me më shumë se një mijë secila, kanë tre ndërmarrje lokale të Shkupit – “Higjiena Komunale”, NTP dhe “Ujësjellësi dhe Kanalizim”. Nga qytetet e tjera, ndërmarrja me më shumë punonjës është Isar në Shtip.

“Numri i punonjësve në ndërmarrjet publike lokale është në një rënie të lehtë. Në vitin 2024, numri i punonjësve është 12,009, që është 171 punonjës (1.4%) më pak se në vitin 2023, ose 462 punonjës (3.7%) më pak se në vitin 2022”, tregon hulumtimi.

Kujtojmë se hulumtimi paraprak i Qendrës për Komunikime Civile mbi prokurimin publik në sektorin e shëndetësisë në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2024 tregoi ndër të tjera se shpenzimet për prokurime publike në sektorin e shëndetësisë janë rritur dy herë e gjysmë në 10 vitet e fundit, nga 126 milionë euro në vitin 2015 në mbi 315 milionë euro në vitin 2024. Kjo rritje po ndodh në një kontekst ku qytetarët vazhdimisht shprehin pakënaqësi për cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve shëndetësore. Diskrepanca evidente midis shpenzimeve si dhe sasisë dhe cilësisë së shërbimeve e forcon përshtypjen se prokurimet publike nuk janë pasqyrim real i nevojave dhe interesave të qytetarëve dhe në mënyrë plotësuese i ushqen mosbesimin dhe dyshimet për korrupsion, thuhej në raport.