BE planifikon ta izolojë Belgjikën si Hungarinë nëse nuk e pranon skemën financimin e Ukrainës me miliarda të ngrira ruse
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do ta trajtojë Belgjikën si Hungarinë nëse ajo vazhdon të bllokojë një plan për të përdorur miliarda të ngrira ruse si kredi për Ukrainën, raporton Politico.
Në samitin e 18 dhjetorit, detyra kryesore e udhëheqësve të BE-së do të jetë të bindin kryeministrin belg Bert de Wever, i cili deri më tani ka kundërshtuar planin për të mbledhur 210 miliardë euro për të mbuluar vrimën e zezë të madhe financiare në Ukrainë. Një pjesë e planit është të përdoren 140 miliardë euro fonde të ngrira ruse, shumica e të cilave mbahen në llogari në depozitën belge të letrave me vlerë Euroclear.
De Wever dëshiron që BE-ja të ofrojë garanci financiare dhe masa mbrojtëse të shtuara për të mbuluar paditë dhe zgjidhjet e mundshme, të cilat shumë qeveri i kundërshtojnë. Belgjika ka dërguar një listë amendamentesh që dëshiron për të siguruar që nuk do të detyrohet të paguajë vetë paratë ruse nëse hiqen sanksionet. Kryeministri belg ka thënë se nuk do ta mbështesë kredinë e dëmshpërblimeve nëse kërkesat e tij nuk plotësohen.
De Wever, i cili bllokoi për herë të parë planin e BE-së në tetor, tha se Rusia kishte kërcënuar me “hakmarrje të përjetshme” nëse Belgjika lejonte që fondet të përdoreshin.
“Belgjika është nën një presion të madh mbi debatin nëse asetet ruse duhet të sekuestrohen dhe transferohen në Ukrainë. Propozime të tilla janë të barasvlershme me vjedhje. Vjedhja e aseteve të ngrira nga një vend tjetër nuk është bërë kurrë më parë. Këto janë para që i përkasin Bankës Qendrore të Rusisë. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, asetet gjermane nuk u konfiskuan, vetëm u ngrinë”, tha De Wever javën e kaluar.
Diplomatët thonë se shpresa nuk është humbur ende.
“Ambasadorët do të shqyrtojnë kërkesat e Belgjikës dhe do të përpiqen t’i zgjidhin ato. Ka ende hapësirë për manovrim. Plani është të afrohemi sa më shumë me qëndrimin belg. Nëse De Wever vazhdon ta bllokojë planin, ai do të gjendet në një pozicion të vështirë si udhëheqës i një vendi që ka qenë gjithmonë pro-BE”, tha për Politico një diplomat evropian i njohur me diskutimet.
Ai shtoi se De Wever do të izolohej dhe injorohej, ashtu siç ka qenë Viktor Orban për shkak të politikave të tij në Hungari.
“Mesazhi për Belgjikën është se nëse nuk bie dakord, diplomatët, ministrat dhe udhëheqësit e saj do të humbasin zërin e tyre në BE, ndërsa lista e dëshirave belge do të lihet në fund të listës”, tha diplomati.
Ukraina përballet me një deficit buxhetor prej 71.7 miliardë eurosh vitin e ardhshëm dhe do të duhet të ulë shpenzimet publike nga prilli nëse nuk mund t’i sigurojë paratë. Ndërsa Donald Trump distancohet përsëri nga ofrimi i mbështetjes, ambasadorët e BE-së do të takohen tre herë këtë javë për të arritur një zgjidhje.