Udhëheqësia dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të LSDM dhanë dorëheqje

Në seancën e sotme të Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, me propozim të kryetarit Venko Filipçe, zëvendës-kryetarja, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, sekretarët organizativë, si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv, dhanë dorëheqje, njofton kjo parti, transmeton Portalb.mk.

Dorëheqjet janë dorëzuar në Këshillin Qendror të partisë dhe te Filipçe, i cili udhëheq procesin e reformave të brendshme në LSDM.

“Me këtë hap të përgjegjshëm dhe moral, udhëheqja e LSDM-së hapi hapësirë për një kapitull të ri. Pas kësaj, pason një periudhë e rifreskimit dhe forcimit të kuadrove, përfshirja e fytyrave të reja, ristrukturimi organizativ dhe mobilizimi i brendshëm, për një forcë të re dhe energji të re të LSDM-së.” thuhet në kumtesë.

Në një nga seancat e ardhshme të Këshillit Qendror,  Filipçe do të propozojë zgjedhjen e anëtarëve për organet e partisë, ndërsa për funksionet do të zgjidhen personalitetet më kompetente.

Kohë më parë Filipçe e propozoi Aleksandar Trajanovskin për nënkryetar të ri të LSDM-së.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe pas zgjedhjeve lokale në RMV ku LSDM nuk arriti rezultate të kënaqshme tha se do të pasojnë ndryshime politike dhe kadrovike në udhëheqjen e partisë. Ai deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve janë një tregues i qartë se ku duhen bërë ndryshime dhe puna të intensifikohet, por se nuk do të japë dorëheqje.