“Udhë dashurie” sjell për lexuesit nuancat e dashurisë si një arkë e tërë me ndjenja

Doli në dritë botimi më i ri me poezi në gjuhën angleze, “Udhë dashurie”-“Love Journey”. Poezitë në gjuhën angleze janë përkthyer nga Avni Spahiu nga Prishtina. Krahas poezive të përkthyera në gjuhën agleze mbi 60 sosh, në këtë libër janë botuar poashtu në dy gjuhë vlerësime nga kritika letrare, nga emra eminent e të njohur shqiptar e ndërkombëtar, për krijimtarinë poetike për 27 titujt e botuar deri më tani, duke filluar që nga viti 1996 kur edhe është botuar libri i parë me poezi, shkruan Portalb.mk.

Libri “Udhë dashurie”-“Love Journey” është botuar nga Shtëpia Botuese “Fidani” nga Prizreni duke vazhduar rrugëtimin e botimeve në gjuhë të huaja.

Autorja Sadije Aliti për Portalb.mk tha se në çdo fjalë e vargjeve zbërthejnë shpirtin ngazëllues, por edhe shqetësues të motivuar nga përjetime e ndryshme që i sheh syri, që i ndjen zemra.

“Vargjet poetike e zbërthejnë shpirtin ngazëllues, por edhe shqetësues të motivuar nga përjetime e ndryshme që i sheh syri, që i ndjen zemra dhe që e prek përditshmëria reale, kjo shprehet në çdo fjalë të vargjeve, shqetësimet dhe gëzimi nëpërmjet metaforës poetike bëhen mënyra e konceptimit të realitetit, përkatësisht gjetjes së rrugëve të shpresës që buron nga pasuria e ideve të jetës për rreth nesh”, tha Aliti.

Aliti shtoi se libri do të jetë pjesë e bibliotekave të shtëpive të artëdashësve, por edhe në bibliotekat e qyteteve të ndryshme apo shkollave ku mësmi ndiqet edhe në gjuhën shqipe.

“Libri sapo ka parë dritën e botimit, besoj se do të pritet mirë ashtu si edhe botimet e deritanishme, do të renditet në agjendën e promovimeve në arenën ndërkombëtare e do të jetë pjesë në bibliotekat e shtëpive të artëdashësve por edhe në bibliotekat e qyteteve të ndryshme apo shkollave ku mësmi ndiqet edhe në gjuhën shqipe, nga fëmijët e mërgimtarëve tanë, në ato shkolla që ky libër u dedikohet vendeve anglishtfolëse në diasporë. Botimet e poezive të mia në disa gjuhë, por edhe promovimet, si në: Tuz -Mal i Zi, Bujanoc-Lugina e Preshevës, Selanik-Greqi, San Benedeto-Itali, Lubjanë-Slloveni, Zagreb-Kroaci, Boros-Suedi, Berlin e Frankfurt-Gjermani, Stamboll-Turqi, Tiranë e Korçë-Shqipëri, Prizren, Mitrovicë, Prishtinë-Kosovë, Kumanovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë-Maqedoni e Veriut, e shumë prezantime e Manifestime poetike”, tha Aliti.

Poezitë e këtij libri lidhen me ndjenjën e nënës, me vendlindjen, me trashëgiminë kulturore, nuancat e dashurisë si një arkë e tërë me ndjenja tha Aliti.

“Janë këto vargje që duken si një pikturë jete të qëndisur me dashuri për dashurinë, që fle në zemër, është një ndjenjë e fuqishme e thellë që e lidhet ngushtë me ndjenjën e nënës, me vendlindjen, me trashëgiminë kulturore, nuancat e dashurisë si një arkë e tërë me ndjenja. Poezia nuk mendoj se të thotë haptas dashuroni apo mos dashuroni, pra kuptoni vetë se dashuria vjen, ulet këmbëkryq në mendimet tona, në ndjenjat tona, por vetëm shpirtrat fisnik mund ta bartin atë dhe mund të krijojnë një mbretëri dashurie, se ekzistenca e njeriut varet nga dashuria sepse ajo është jeta mbi të cilën vendosim komunikimin, dëshirat ëndrrat, shpresat të ardhmen tonë, natyrisht se dashuria është më e madhe se kaq, tha Aliti.

Ajo foli për temat që tërheqin më shumë lexuesit dhe pse ka rënie të interesit për lexim.

“Lexuesi e lexon atë që i ofron autori, po sigurisht se në poezitë e mia janë të përfshira të gjitha motivet, i atdhedashurisë, ai social, i dashurisë, por edhe ai i peizaxhit dhe ai mendimtar. Kështu që besoj se secili adhurues i poezisë, apo secili lexues do të gjejë diçka nga vetja e tij, do të gjej një copëz jete aty, ashtu siç ka ndodhur edhe deri më tani pasi më drejtohen me atë fjalë se këtë poezi e ke shkruar për mua, e që e tëra ndodh rastësisht. Poezia lirike, lirikë e cila ka të bëjë me atë pjesën erotike, me atë lirikë të dashurisë, lirikën atdhetare, lirikën meditative dhe sociale, duke patur këtë hapësirë të gjërë komunikimi, tha Aliti.

Sadije Aliti është poete, shkrimtare nga Tetova. Ka diplomuar në Universitetin e Shkupit, profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku edhe ka magjistruar në shkencat e letërsisë.

Sadije Aliti më shumë se tre dekada në opinionin e gjerë  është e njohur si gazetare, profesoreshë dhe mësimdhënëse e gjuhës shqipe, humaniste dhe aktiviste e sektorit qytetar sidomos në aspektin e fushëveprimit të të drejtave të grave, poete me 21 tituj të botuar. Vargu i Sadije Alitit, komunikon në disa gjuhë të botës, pasiqë është e përkthyer dhe botuar, si: sllovenisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, arabisht, anglisht, greqisht, suedisht, maqedonisht, serbisht, rumunisht, maqedonisht, hungarisht, bullgarisht, danisht, norvegjisht.

Ka marrë pjesë në disa festivale kombëtare e ndërkomëtare si në Slloveni, Turqi, Suedi, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi e të tjerë, ku edhe është e shpërblyer me çmime e mirënjohje të shumta.

Pamje nga libri me poezi “Udhë dashurie”. Foto: Sadije Aliti
Pamje nga libri me poezi “Udhë dashurie”. Foto: Sadije Aliti