AEI: Formula per doganat e presidentit Trump nuk ka logjikë ekonomike – dhe është e bazuar në një gabim

Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve (AEI) publikoi një analizë të doganave të reja të SHBA-ve për 57 vende të botës, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, për të cilën janë paralajmëruar dogana prej 33 përqind, të cilat së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën (35 përqind) dhe Serbinë (37 përqind), janë tarifat më të larta doganore që presidenti Trump i vendos në vendet e Ballkanit, transmeton Portalb.mk.

Tekstin e studiuesve Kevin Corinth dhe Stan Weger, të publikuar më 4 prill, në vazhdim të këtij teksti e përcjellim në tërësi. Sipas tyre, nëse formula e administratës amerikane zbatohet saktë, dogana e vendosur për shumicën e vendeve, përfshirë edhe Maqedoninë, duhet të jetë vetëm 10 përqind.

Të mërkurën Presidenti Trump njoftoi dogana për pothuajse çdo vend të huaj, duke filluar nga njëminimum prej 10 përqind nderi në maksimum prej 50 përqind. Pasojat ekonomike ishin dramatike: S&P 500 humbi 9 përqind të vlerës, ndërsa parashikimet e recesionit u rritën ndjeshëm.

Trump i përshkroi doganat si reciproke – gjegjësisht të barabarta me gjysmën e normës së doganave dhe barrierave tregtare jotarifore të aplikuara nga vendet e tjera. Por në realitet, ata nuk janë të tilla. Formula që përdor administrata është: deficiti tregtar i SHBA-ve i pjesëtuar me importet totale nga një vend i caktuar, i pjesëtuar me dy – ose 10 përqind, në varësi të asaj se cila është më e lartë. Kjo do të thotë se edhe nëse SHBA-të nuk kanë deficit tregtar me një vend (ose kanë suficit), përsëri i imponohet doganë prej të paktën 10 përqind.

Për shembull, nëse SHBA-të importojnë mallra dhe shërbime me vlerë prej 100 milion dollarësh dhe eksportojnë 50 milion dollarë, administrata Trump pretendon se ai vend po vendos në mënyrë efektive doganë prej 50 përqind (diferenca midis importit dhe eksportit, pjesëtuar me totalin e importit). Tarifa “reciproke” do të ishte sa gjysma, pra 25 përqind.

Kjo formulë, e publikuar fillimisht nga Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë dhe Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-ve, nuk bazohet në logjikën ekonomike. Deficiti tregtar nuk varet vetëm nga tarifat dhe barrierat tregtare, por edhe nga faktorë të tillë si rrjedhat ndërkombëtare të kapitalit, zinxhirët globalë të furnizimit, gjeografia dhe avantazhet krahasuese.

Dhe edhe nëse e pranojmë këtë formulë, ajo përmban një gabim që katërfishon tarifat e vlerësuara të huaja, dhe rrjedhimisht tarifat e imponuara nga Trump.

Formula, përveç deficitit dhe importit, përmban dy terma shtesë në emërues:

  • Elasticiteti i kërkesës për import në raport me çmimet (ε),
  • Elasticiteti i çmimeve të importit në lidhje me tarifat doganore (φ).

Administrata supozon se ε = 4 dhe φ = 0,25, që jep rezultatin 1, dhe kështu termat anulohen. Por vlera reale e φ është rreth 1 (0.945), jo 0.25. Gabimi i administratës qëndron në atë që e kanë vlerësuar mbi bazën e reagimit ndaj çmimeve të shitjes me pakicë, dhe jo në çmimet  importit. Në hulumtimin e Alberto Cavallo-s dhe bashkëautorëve bëhet një dallim i qartë: doganat kalojnë pothuajse tërësisht në çmimet e importit, ndërsa efekti në çmimet me pakicë është më i dobët dhe më i paqëndrueshëm.

Nëse ky gabim do të korrigjohej, doganat që SHBA-të supozojnë se vendosin mbi vendet e tjera do të ishin katër herë më të ulëta. Me këtë do të uleshin në mënyrë drastike edhe doganat e shpallura nga Trump, përveç doganës minimale prej 10 përqind. Tabela e mëposhtme tregon se në asnjë vend taksa doganore nuk do të kalonte 14 përqindshin dhe te shumica do të mbetej në 10 përqind.

Mendimi ynë është se formula e përdorur nga administrata nuk ka bazë as në teorinë ekonomike dhe as në të drejtën tregtare. Por nëse tashmë pretendojmë se kjo formulë është një bazë e vlefshme për politikën tregtare, të paktën duhet të presim që llogaritjet të jenë të sakta. Korrigjimi i këtij gabimi do të kontribuonte në liberalizimin e tregtisë, gjë që do të ishte mirë për ekonominë dhe ndoshta do të ndihmonte në shmangien e një recesioni.

Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve është një Think-Tank i politikave publike i dedikuar mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, zgjerimit të potencialit njerëzor dhe ndërtimit të një bote më të lirë dhe më të sigurt. Puna e shkencëtarëve dhe stafit të tyre i avancon idetë e rrënjosura në besimin te demokracia, sipërmarrja e lirë, fuqia amerikane dhe lidershipi global, solidariteti me ata që janë në periferi të shoqërisë dhe një kulturë pluraliste, sipërmarrëse.