U zgjodh presidente e FWA-së në SHBA, Albana Theka: Misioni im është të fuqizojmë më shumë gra, dua ta çoj organizatën drejt 70 vjetorit me risi
Albana Theka është zgjedhur presidente e 60-të e Financial Women’s Association, një nga organizatat më me ndikim në SHBA që fuqizon gratë në sektorin financiar. Në intervistën e saj për Portalb.mk, ajo ndau rrugëtimin e saj, sfidat me të cilat është ballafaquar, planet dhe projektet e saj për të ardhmen dhe një mesazh të fuqishëm për të rinjtë që ëndërrojnë të arrijnë majat.
Portalb.mk: Jeni zgjedhur presidentja e 60-të e Financial Women’s Association, një nga organizatat më me ndikim në SHBA që fuqizon gratë në sektorin financiar, na tregoni më gjerësisht rreth këtij rrugëtimi?
Albana Theka: Për mua është një nder dhe përgjegjësi e madhe të udhëheq FWA-në në këtë etapë historike. Rrugëtimi im deri këtu ka qenë i formuar nga vendosmëria për të ndërtuar një karrierë në një vend të ri, pa rrjete dhe pa mbështetje fillestare, duke kapërcyer sfida kulturore, gjuhësore dhe profesionale. Gjatë viteve të para në botën financiare, shpesh ndihesha e vetme dhe nuk kisha mentorë ose modele frymëzimi. Kjo më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është të kesh një komunitet që të mbështet, dhe pikërisht këtë gjeta tek FWA. Rrugëtimi im brenda organizatës ka nisur si anëtare që kërkonte mundësi rrjetëzimi dhe zhvillimi, më pas mora role drejtimi në komitete, u zgjodha në bord dhe sot kam privilegjin të jem presidente. Ky progres nuk është vetëm rezultat i përkushtimit tim, por edhe i grave të tjera lidere që më kanë frymëzuar të jap më shumë për komunitetin tonë. Përmes këtij roli dua të vazhdoj këtë traditë mbështetjeje dhe të krijoj më shumë mundësi për gratë në financë.
Portalb.mk: Sot jeni në krye të të dhënave dhe analizave për një nga sistemet më të mëdha shëndetësore në SHBA. Çfarë do të thotë kjo përgjegjësi për ju dhe qytetarët që ju shërbeni?
Albana Theka: Puna ime te Fondi Shëndetësor ka ndikim të drejtpërdrejtë te qindra mijëra anëtarë dhe familjet e tyre. Përgjegjësia është e madhe: të siguroj që vendimet për kujdesin shëndetësor dhe shpenzimet të bazohen në të dhëna të sakta dhe analiza të thella. Kjo ndihmon të menaxhojmë kostot, të përmirësojmë qasjen në kujdes cilësor dhe të garantojmë që çdo dollar i investuar shkon në përfitim të pacientit. Më motivon ideja që puna ime, sado prapa skene, prek jetën e njerëzve realë.

Portalb.mk: Çfarë ju tërhoqi drejt fushës së të dhënave dhe analizave në sektorin e shëndetësisë?
Albana Theka: Gjithmonë kam pasur pasionin për të zgjidhur probleme komplekse dhe për të marrë vendime të zgjuara duke u bazuar në fakte. Shëndetësia është një fushë ku të dhënat mund të shpëtojnë jetë-jo vetëm të optimizojnë procese. Ky kombinim i analizës dhe misionit human më ka tërhequr gjithmonë. Është një fushë që evoluon shpejt, kërkon vazhdimisht inovacion dhe bashkëpunim.
Portalb.mk: Si presidente e zgjedhur e Financial Women’s Association, çfarë misioni synoni të përmbushni në këtë rol?
Albana Theka: Misioni im është të fuqizojmë më shumë gra për të arritur rolet më të larta drejtuese, të zgjerojmë rrjetin tonë dhe të krijojmë një platformë që reflekton ndryshimet e kohës digjitale, gjithëpërfshirëse dhe globale. Dua ta çoj FWA-në drejt 70-vjetorit me risi, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me kompani, universitete dhe rrjete ndërkombëtare.
Portalb.mk: Cilat kanë qenë sfidat më të vështira si grua profesioniste në një mjedis global dhe si i keni kapërcyer?
Albana Theka: Sfidat kanë qenë të shumta: të dëgjohesh në tavolina ku shpesh je e vetmja grua, të kombinosh karrierën me jetën familjare, të tejkalosh paragjykime të nënkuptuara. I kam kapërcyer me shumë punë, me guxim për të folur dhe me mbështetjen e një rrjeti të fortë mentorësh dhe aleatësh. Askush nuk arrin i vetëm.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ju të jesh grua në pozita drejtuese në një industri kaq konkurruese?
Albana Theka: Do të thotë përgjegjësi për të treguar që lidershipi nuk ka gjini, por ka vlera dhe vizion. Do të thotë shembull për vajzat e reja që sot shohin një grua në krye dhe besojnë se edhe ato mund të jenë aty nesër. Dhe më e rëndësishmja: të përdorësh zërin tënd për të hapur dyer për të tjerët.
Portalb.mk: Ju jeni edhe mentore për gra të reja dhe profesioniste. Cili është mesazhi juaj për to?
Albana Theka: Të mos kenë frikë të ëndërrojnë, të pyesin dhe të kërkojnë ndihmë. Të ndërtojnë rrjetin e tyre që në fillim të karrierës, të jenë të guximshme në vendime dhe të mos e lënë askënd t’u thotë që diçka është e pamundur. Besimi tek vetja është arma më e fortë.
Portalb.mk: Një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tuaj është edhe komunikimi, jeni e përfshirë në Toastmasters. Sa është e rëndësishme aftësia për të komunikuar në mënyrë efektive në suksesin profesional?
Albana Theka: Komunikimi është gur-themeli për çdo lider. Ideja më brilante humbet vlerën nëse nuk di ta shpjegosh qartë dhe të bindësh të tjerët. Toastmasters më ka ndihmuar të strukturoj mesazhet, të flas me vetëbesim dhe të inspiroj audienca të ndryshme. I inkurajoj të gjithë të investojnë në këtë aftësi.
Portalb.mk: Si e shihni të ardhmen tuaj profesionale? A ka projekte që dëshironi të ndani me ne?
Albana Theka: Unë e konsideroj veten një person shumë e shumanshme dhe fleksibil, me një botë të gjerë interesash dhe synimesh. Profesionalisht, synoj të thellohem më tej në fushën e Inteligjencës Artificiale, për ta integruar në punën e përditshme të ekipit tim dhe në mënyrën se si marrim vendime strategjike. Sa i përket FWA, kemi një plan ambicioz për dy vitet e ardhshme: të rigjallërojmë organizatën, të zgjerojmë ndikimin tonë jo vetëm për gratë në Nju Jork, por edhe në arenën globale. Në jetën personale, kam një pasion të madh për muzikën. Jam vokaliste dhe aktualisht po bashkëpunoj me bashkëshortin tim për të prodhuar dhe publikuar këngë origjinale. Ky është një projekt që më sjell shumë gëzim dhe më ushqen shpirtin artistik përtej angazhimeve të përditshme profesionale.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi juaj për gjithë lexuesit tanë?
Albana Theka: Punoni me zemër, mos ndalni së mësuari dhe mos harroni kurrë nga keni ardhur. Rrënjët tona janë forca jonë më e madhe për të shkuar më larg.