Shkupi kujton Çamërinë: Një javë përkujtimi, reflektimi dhe angazhim për drejtësinë historike

Nën moton “Trëndafili i Çamërisë”, për të pestin vit me radhë shoqata kulturore Vizioni M në Shkup shënon Javën Çame, një javë përkujtimi, reflektimi dhe angazhimi për drejtësinë historike të çështjes Çame, shkruan Portalb.mk.

Abdulla Berisha koordinator i shoqatës kulturore Vizioni M, për Portalb.mk tha se ky aktivitet sjell një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe ndërgjegjësuese që i japin zë të kaluarës së dhimbshme dhe kërkesës. Sipas tij, çdo ditë e javës do të ketë një mesazh të veçantë, që lidhet me drejtësinë, identitetin, kulturën dhe kujtesën.

“Aktivitetet e Javës Çame 2025-Shkup filluan që të shtunën, me vendosjen e pankartave nëpër lokacione të caktuara në Shkup. Pankartat mbajnë mbishkrimin “Trëndafili i Çamërisë”, që është motoja e sivjetme e aktiviteteve. Të dielën, kemi mbajtur një marshim simbolik në pyllin e Gazi Babës, duke përkujtuar peripecitë që kanë përjetuar Çamët gjatë shpërnguljes së tyre me dhunë nga vatrat e tyre. Dje kishim një ekspozitë me fotografi, pikturim dhe shpërndarje të trëndafilave në Çarshinë e Shkupit”, tha Berisha.

Foto nga marshi përkujtimor "Trëndafili e Çamërisë. Foto: “Trëndafili i Çamërisë” (Facebook)
Foto nga marshi përkujtimor “Trëndafili e Çamërisë. Foto: “Trëndafili i Çamërisë” (Facebook)

Ai edhe më tej shtoi se disa nga aktivitetet e tyre janë planifikuar të jenë më “guerile” për të tërhequr vëmendjen e sa më shumë personave.

“Si çdo aktivitet ndërgjegjësimi, asnjëherë nuk mund të arrini të depërtoni në të gjitha shtresat e shoqërisë. Disa nga aktivitetet tona janë planifikuar të jenë më “guerile” për të tërhequr vëmendjen e sa më shumë personave. Gjithashtu, të gjitha aktivitetet shoqërohen me një fushatë në rrjetet sociale”, tha Berisha.

Berisha edhe më tej shtoi se risi e këtij viti është ndrrimi i motës së këtij aktiviteti.

“Këtë vit, në fakt, është ndryshuar motoja e aktivitetit nga “I love Çamëria” në “Trëndafili i Çamërisë”. Simbolika e kësaj është se edhe varrezat memoriale në Kllogjer, Shqipëri, kanë formën e trëndafilit, andaj edhe aktiviteti i sotëm bart këtë simbolikë”, tha Berisha.

Foto nga ekspozita e Javës Çame. Foto: Abdulla Berisha
Foto nga ekspozita e Javës Çame. Foto: Abdulla Berisha

Ai gjithashtu tha se qëllimi i të gjitha aktiviteteve në kuadër të Javës Çame është ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare.

“Qëllimi i të gjitha aktiviteteve në kuadër të Javës Çame është ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare. Më lejoni të theksoj edhe një reagim që e kishim pasi njëra nga pankartat e vendosura, ishte hequr nga persona të panjohur, përkundër faktit se MPB është informuar në kohë dhe është marrë leje për vendosje të pankartave. Autoritetet policore nuk kishin informata për incidentin në fjalë. Megjithatë, aktivistët tanë vendosën sërish një pankartë të njëjtë në po të njëjtin lokacion, në përputhje me lejen e siguruar nga autoritetet. Sa i përket asaj se sa ia kemi arritur qëllimit, sigurisht falënderojmë të gjitha mediat që shfaqin interesim për t’i përcjellë aktivitetet tona, përfshirë këtu edhe Portalb.mk”, tha Berisha.

Foto nga ekspozita e Javës Çame. Foto: Abdulla Berisha
Foto nga ekspozita e Javës Çame. Foto: Abdulla Berisha

Për sot është paraparë të mbahet një tribunë ku panelistë do jenë dy gazetare nga Shqipëria, Luljeta Progni dhe Admirina, të cilat kanë realizuar një punë kolosale duke bërë reportazhe.

Gjithashtu sot kanë paraparë të mbajnë një karvan me vetura nëpër rrugët e qytetit të Shkupit, vetura të stolisura me motive çame dhe kombëtare.

Të enjten do të bëjnë dorëzimin e letrës protestuese pranë Ambasadës Greke në Shkup, ndërsa kanë paraparë edhe vizitë në varrezat memoriale në Kllogjer të Shqipërisë