U zbuluan dy rrëqebuj të rinj në Malin Sharr, rritet popullata e species së rrallë

Parku Kombëtar Mali Sharr po shënon zhvillime pozitive në ruajtjen e biodiversitetit. Monitorimet e fundit në terren kanë sjellë lajme inkurajuese për një nga speciet më të rralla në rajon. Siç njofton Parku Kombëtar, falë përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës, popullata e rrëqebullit Ballkanik po tregon shenja të qarta rikuperimi. Ky është një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të kësaj specie të rrezikuar, transmeton Portalb.mk.

Së fundmi, kamerat kurth të vendosura në territorin e Parkut kanë regjistruar dy rrëqebunj Ballkanik. Ata janë vërejtur gjatë monitorimit të rregullt në zonën që administrativisht i përket Komunës së Vrapçishtit. Me këtë zbulim, numri i individëve të identifikuar është rritur nga 3 në 5.

“Në kamerat tona kurth në territorin e Parkut, së fundmi janë regjistruar dy individë të rinj të rrëqebullit Ballkanik. Të njëjtit janë vërejtur gjatë realizimit të monitorimit të rregullt, në pjesën e territorit që administrativisht i përket Komunës së Vrapçishtit. Me këtë, numri i individëve të identifikuar të rrëqebullit rritet nga 3 në 5. Të dy individët janë në gjendje të mirë shëndetësore, gjë që paraqet tregues për stabilizimin dhe rikuperimin e popullatës së këtij lloji të rrallë në Malin Sharr”, thanë Parku Kombëtar Mali Sharr.

Rrëqebullit Ballkanik. Foto: Parku Kombëtar Mali Sharr/Facebook
Rrëqebullit Ballkanik. Foto: Parku Kombëtar Mali Sharr/Facebook

Sipas vlerësimeve, të dy individët janë në gjendje të mirë shëndetësore, çka konsiderohet një tregues i rëndësishëm për stabilizimin dhe rikuperimin e popullatës së këtij lloji të rrallë në Malin Sharr.

“Falë angazhimit të ekipit të I.P. Parku Kombëtar Mali Sharr, numri i kafshëve të egra, e veçanërisht i rrëqebullit, është në rritje, duke konfirmuar efektin pozitiv të masave për mbrojtjen e natyrës”, thanë Parku Kombëtar Mali Sharr.

Autoritetet e Parkut theksojnë se do të vazhdojnë me përkushtim përpjekjet për ruajtjen e botës së egër dhe përmirësimin e ekosistemeve në Malin Sharr.