BDI: Në Komunën e Sarajit janë kryer punë publike “në të zezë”, ka dyshime për tender të rregulluar

Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur akuza për keqpërdorim të detyrës dhe manipulim të procedurave nga kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi. Sipas partisë, punime për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës janë kryer më 2, 3 dhe 10 janar, para përfundimit të tenderit zyrtar, ndërkohë që kompania që realizoi punimet më vonë fitoi tenderin. Kjo sipas BDI-së ngrit dyshime për tender të rregulluar dhe pagesa jashtë procedurave ligjore. Kjo parti kërkon që Prokuroria dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hetojnë rastin dhe të sigurojnë përgjegjësi dhe transparencë, transmeton Portalb.mk.

“Jemi sot këtu për të denoncuar një rast të rëndë të mashtrimit të opinionit publik, shkeljes së procedurave ligjore dhe dyshimit serioz për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Kryetarit të Komunës së Sarajit, z. Muhamet Elmazi. Dokumentet dhe komunikimet zyrtare të komunës, si dhe postimet publike, krijojnë një situatë  të qartë: në Saraj duket se janë kryer aktivitete publike pa kontratë aktive, pra “në të zezë”, ndërkohë që qytetarëve u është shitur propaganda se gjithçka po punohet me rregull.

Çka ka ndodh thuhet në reagimin e BDI-së, tregojnë faktet që janë të thjeshta dhe të datuara:

  • • Më 2, 3 dhe 10 janar, Kryetari i Komunës, në faqen e tij zyrtare në Facebook, del para opinionit dhe lavdërohet se po bëhet mirëmbajtja dimërore e rrugëve, pastrimi i borës dhe hedhja e kripës.
  • Më 8 janar, i njëjti institucion – Komuna e Sarajit – publikon njoftim zyrtar për shpalljen e fituesit te “tenderit “ që do të thot se procedura akoma nuk ka perfunduar, madje as me 10 janar!

“Këtu kemi paradoksin që e rrëzon të gjithë narrativën: Si është e mundur të punohet në terren më 2 dhe 3 janar por dhe 10 Janar, kur më 8 janar tenderi ende është në proces dhe nuk ka përfunduar me kontratë aktive dhe nuk mund ta përfundon akoma për shkak të mundësisë së ankesave dhe procesi nuk ka përfunduar?

Kjo do të thotë njëra prej dy gjërave: ose Kryetari ka dalë publikisht duke gënjyer qytetarët ose punimet janë bërë realisht – por pa bazë ligjore, pa kontratë dhe jashtë procedurave. Por me shumë gjasa është kjo e dyta! Skandali bëhet edhe më i rëndë, pasi që aktivitetet me të cilat lavdërohet kryetari i komunës i realizoi  kompania që më vonë e fitoi tenderin. Sot, nga informacionet që dalin dhe nga ajo që po qarkullon publikisht, del se këto veprime (pastrimi/heqja e borës, hedhja e kripës) janë kryer nga një kompani/operator ekonomik, i cili më pas rezulton se është edhe operatori i përzgjedhur në tenderin që u finalizua më vonë”, thonë nga BDI.

Ata kërkojnë që Prokurorisë Publike: të hapë menjëherë procedurë verifikimi për punimet e kryera në datat e përmendura, bazën ligjore dhe pagesat eventuale, si dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hetojë konflikt interesi, paracaktim tenderi dhe çdo indicie të keqpërdorimit.

Kujtojmë se paraprakisht sot ekipi antikorrupsion i LSDM-së (EA) paraqiti akuza të reja në lidhje me një skandal që lidhet me shpërndarjen e tenderëve komunalë. Anëtari i Bordit Ekzekutiv të partisë, Jon Fërçkoski, zbuloi në një konferencë për shtyp se kompania “Pyramid Building Solutions” mblodhi një shumë të pabesueshme prej 16 milionë eurosh përmes 51 tenderëve në komunat e drejtuara nga kuadro të VMRO-DPMNE-së.