Është arrestuar personi që dëmtoi xhamin e derës hyrëse të ambasadës bullgare në Shkup

Policia e Maqedonisë ka arrestuar personin i cili dje ka dëmtuar xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup. Arrestimi i Sh.A. (54) nga Shkupi u krye sot rreth orës 12:40 nga NJPB Qendër dhe Bit Pazar. Pas dokumentimit të rastit dhe sqarimit të rrethanave, do të përpilohet një njoftim përkatës, thanë nga MPB, transmeton Portalb.mk.

“Sot (12.01.2026) në orën 12:40 në rrugën “Kiril i Metodij” në Shkup, zyrtarët e policisë nga NJPB Qendër dhe Bit Pazar e privuan nga liria Sh.A. (54) nga Shkupi, pasi dje (11.01.2026) ai dëmtoi xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u ndërmorën masa dhe aktivitete për gjetjen e autorit dhe sqarimin e rastit dhe Sh.A. u privua nga liria, dhe pas dokumentimit të rastit, do të përpilohet një njoftim përkatës”, thonë nga MPB.

Kujtojmë se dje u njoftua që është sulmuar ambasada e Bullgarisë në Shkup. Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme lëshoi reagim të ashpër dhe dënim të fortë pasi një person i panjohur sulmoi ambasadën bullgare në Shkup dje (11 janar). Sofja zyrtare e vlerësoi aktin si një sulm të papranueshëm ndaj një misioni diplomatik dhe shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës, duke akuzuar drejtpërdrejt institucionet maqedonase për krijimin e një klime pandëshkueshmërie.

Në deklaratë, Ministria e Jashtme Bullgare nuk kursen kritikat ndaj autoriteteve maqedonase, duke e lidhur incidentin me ngjarjet e mëparshme.

Së fundmi, Sofja paralajmëron se po e monitoron nga afër rastin dhe “rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime shtesë” për të mbrojtur interesat e saj.

Ministria e Brendshme më vonë dje konfirmoi rastin duke thënë është raportuar dëmtim në xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ndërkohë dënoi incidentin.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dënon incidentin që ndodhi sot, në të cilin një person i panjohur theu xhamin e ndërtesës ku ndodhet Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shkup”, tha Ministria e Punëve të Jashtme.

Tensionet mes dy vendeve nuk arrijnë të qetësohen, me Bullgarinë që akuzon Maqedoninë e Veriut për gjuhë të urrejtjes dhe mungesë vullneti institucional për të luftuar incidentet anti-bullgare, ndërsa Shkupi zyrtar shpesh i hedh poshtë këto pretendime, duke theksuar se incidente të tilla (paraprake) janë akte të izoluara.