Dy studentëve të Fakultetit Juridik në Nish u është instaluar softuer spiunazhi

Studentët që po marrin pjesë në bllokadën e Universitetit të Nishit njoftuan sot se kanë zbuluar se softueri spiunazhi ‘Pegasus’, përveç telefonave të studentëve që folën për këtë çështje në konferencën për media në Beograd, është instaluar edhe në telefonat e dy studentëve të Fakultetit Juridik në Nish, transmeton N1.

Ata thanë se telefonat e dy kolegëve të tyre do të dërgohen për ekzaminime të mëtejshme forenzike, ndërsa për rezultatet e analizave do ta informojnë publikun më vonë.

Studentët paralajmëruan se do ta informojnë publikun për të gjitha të dhënat e reja, përfshirë edhe zbulimet eventuale të reja nëse ky softuer “keqdashës“ është instaluar në pajisjet e ndonjë studenti tjetër.

Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale u tha gjithashtu se sulmi ndaj privatësisë së studentëve paraqet dobësi të regjimit aktual.

“Nuk kemi asgjë për të fshehur. Ne nuk jemi kriminelë. Sa më shumë që përpiqeni të na gjurmoni, frikësoni dhe heshtni, aq më shumë tregoni se sa shumë keni frikë nga të rinjtë që luftojnë për drejtësi, të vërtetën dhe përgjegjësi“, thuhet në njoftim.

Ata shtuan se studentët nuk do të ndalen, nuk do të heshtin dhe nuk do të harrojnë, si dhe se nuk do të frikësohen, sepse po fitojnë.

“Kështu themi: Do të ketë revanshizëm juridik, institucional dhe politik, përmes përcaktimit të përgjegjësisë së të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në veprime të paligjshme dhe në keqpërdorimin e aparatit dhe sistemit shtetëror kundër studentëve“, thuhet në publikim.

Në konferencën për media të mbajtur më 4 shtator në Beograd, studentët që po marrin pjesë në bllokadë njoftuan se të paktën 14 kolegë dhe bashkëpunëtorë të tyre në Serbi kanë qenë cak i softuerit spiunazhi izraelit ‘Pegasus’, me kosto jashtëzakonisht të lartë, i cili blihet nga shërbimet shtetërore.