U raportua për plan për atentat ndaj Kurtit në Shkup, MPB-ja e Maqedonisë mohon

Radio Televizioni i Kosovës njoftoi se burime nga institucionet e sigurisë në Kosovë kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë. Mirëpo nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut i kanë mohuar këto informacione, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, për këtë arsye janë vendosur masa të rrepta sigure gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në se me të marrë informacionin, institucionet e sigurisë së Kosovës i kanë njoftuar institucionet relevante në Shkup”, raporton RTK.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së maqedonase, shkruan Euronews.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar planin për atentat ndaj tij, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve.

Kurti ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.

“Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

Sipas burimit të RTK-së, në kuadër të planit terrorist serb, i ka paraprirë një shkrim në mediat serbe, ku akuzohet lideri opozitar serb, Dragan Gjilas se do të takohet me Kurtin.

“Sipas analizave, sulmi ka mundur të duket sikur sporadik, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas”, thekson burimi.

“Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse telegram. Njëri kanal “KORIDOR” i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri “BUNT” i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, thekson burimi.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku qe paralajmëruar sulmi që u bë me 24 shtator 2023.

“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi.

Pamjet që ka siguruar RTK, shihet që edhe sot në mëngjes ka pasur masa te sigurisë, duke kontrolluar çdo makinë në afërsi të vendit ku ka kaluar natën kryeministri Kurti.