U lëshua në përdorim Urgjenca e Tetovës (Video)

Shërbimi i urgjencës në objektin e Spitalit të Tetovës sot u lëshua në përdorim dhe u promovua nga autoritetet e shëndetësisë, hapja e kësaj qendre urgjente sipas tyre nënkupton ngritjen e kujdesit shëndetësor në këtë institucion. Megjithatë, nuk funksionalizohet i gjithë objekti por vetëm kati përdhese, shkruan Portalb.mk.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhitit, qendra urgjente para se gjithash do të lehtësojë repartin e sëmundjeve interne.

“Mjekët e këtij reparti do të mund të përqendrohen te pacientët e hospitalizuar në spital. Qendra emergjente përfshin sallën për kujdes intensiv, hapësirë për ekage, hapësirë për eho, për ndërhyrje të vogla intesive dhe të ngjashme”, tha Mexhiti.

Për drejtorin mjekësor të Spitalit të Tetovës, Pëllumb Vela Urgjenca ka qenë një ëndërr e kamotshme e cila sot bëhet realitet. Me hapjen e Urgjencës, sipas Velës në repartin internistik më nuk do të jepen shërbime.

“Prej sot do të kemi mjek të bllokut internistik, mjek të bllokut kirurgjik, do të bëhet pranimi i pacientëve, kontrollet e pacientëve, terapia. Nëse pacienti ka nevojë për shërim të mëtutjeshëm do të dërgohet në repartin internistik apo kirurgjik. Pas dhënies së terapisë nëse nuk ka nevojë të rijë më tepër do të lirohet të shkojë në shtëpi.”, tha Vela.

Drejtori organizativ, Blerim Osmani theksoi rëndësinë e kësaj qendre urgjente ku tha se misioni për jetësimin e së njëjtës është nisur shumë kohë më parë.

“Të jemi të qartë, nuk funksionalizohet i gjithë objekti, vetëm qendra e urgjencës që është në katin përdhese”, tha Osmani.

Ministri u pyet edhe për probleme të tjera të Spitalit si mungesa e mjeteve adekuate të punës, pastërtia në hapësirat e spitalit, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve. Mexhiti tha se janë të vetëdijshëm për gjithë këto dhe se brenda një nate nuk zgjidhen të gjitha, por që punojnë në këtë drejtim. Ndërkaq theksoi se Spitali i Tetovës në shtator do të ketë ashensorë funksional të ri.

Urgjenca ishte paralajmëruar se do të lëshohet në përdorim muajin shkurt të vitit 2023 por kjo nuk ndodhi në këtë afat.

Përndryshe, Spitali i Tetovës jep shërbime për mbi 200 mije pacientë nga rajoni i Pollogut.