#CtrlZ sfida: Shpallen fituesit e videokonkursit për të rinj me temë “arsimi”

U shpallën fituesit e çmimeve të #CtrlZ sfidës për të rinj – videokonkursi me temë “arsimi” të cilin e hapi Fondacioni Metamorfozis. Të drejtë për pjesëmarrje në këtë konkurs kishin të gjithë të rinjtë në moshë nga 14 deri në 29 vjet, raporton Portalb.mk.

Pjesëmarrësit duhej të krijonin një video të shkurtër lidhur me temën “arsimi” në të cilën do të përcillnin një problem të caktuar nga arsimi fillor, i mesëm apo i lartë. Sipas rregullave, videot mund të ishin në gjuhën maqedonase, shqipe ose angleze, por pranoheshin edhe përmbajtje në të cilat nuk kishte të folur apo tekst.

Videot mund të regjistroheshin me çfarë do kamere, telefon celular ose pajisje tjetër, ndërkohë që ishte i ndaluar përdorimi i materialeve me të drejtë autori ose plagjiatura.

Videot e dorëzuara u vlerësuan nga një komision që më shumë e vlerësonte idenë, kreativitetin në prodhim dhe forcën e mesazhit të përmbajtjeve.

Sipas votave të komisionit, vendin e parë në këtë videokonkurs e fitoi autori Boban Koçeski për videon e tij në të cilën flet për rëndësinë e ruajtjes së shëndetit mendor të nxënësve për shkak të presionit me të cilin përballen gjatë mësimit.

“Për sukses nuk duhet ta sakrifikojmë shëndetin tonë mendor. Para së gjithash ne duhet të kujdesemi për veten dhe mirëqenien tonë, pa e krahasuar veten me të tjerët. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë që janë të ekspozuar ndaj presionit dhe pritshmërive në shkolla dhe vendet e punës”, thuhet në videon fituese të çmimit të parë.

Vendin e dytë e fitoi autori me pseudonimin Kiko për videon në të cilën ai në mënyrë kreative, përmes ilustrimeve, e thekson nevojën e prezantimit të inteligjencës artificiale dhe formave të tjera të teknologjisë moderne në institucionet arsimore të Maqedonisë.

“Nuk duhet të kemi frikë nga inteligjenca artificiale, por duhet të gjejmë një mënyrë për ta prezantuar atë dhe për ta përshtatur me edukimin tonë, nevojat dhe mundësitë tona. Bota po lëviz dhe po zhvillohet me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe dhe edhe ne me sa mundemi duhet të jemi në hap me ndryshimet e shpejta që të mos mbesim prapa dhe të mos e thellojmë hendekun që tashmë ekziston mes nesh dhe shoqërive më të zhvilluara”, thotë autori në video.

Me vendin e tretë u vlerësua vepra e autorit Hristijan Stoimillov, i cili në një video-ese flet për rëndësinë e arsimit për çdo person, si dhe për gjendjen e arsimit në vend.

“Edhe pse ka sfida në sistem, siç janë burimet e pamjaftueshme apo cilësia e jo aq e mirë e mësimdhënies, po ndërmerren masa për përmirësimin e situatës dhe rritjen e aksesueshmërisë në arsim…Arsimi luan një rol kyç në zhvillimin e kombit dhe në krijimin e një kapitali intelektual dhe kulturor”, thuhet në video.

Autorët e videove fituese do të fitojnë kupona për pajisje informatike, përkatësisht: kupon në vlerë prej 15.000 denarë për fituesin e çmimit të parë, 6.000 denarë për fituesin e çmimit të dytë dhe 3.000 denarë për fituesin e çmimit të tretë të videokonkursit.

#CtrlZ sfida për të rinj ishte pjesë e projektit “Lajme të besueshme për të Rinj të fuqizuar” që Fondacioni Metamorfozis e implementoi me mbështetjen financiare të Ambasadës Britanike në Shkup.