U arrestuan dy persona për dhunë familjare brenda ditës në RMV

Policia e Maqedonisë së Veriut ka pranuar pesë raportime për dhunë familjare brenda ditës, ashtu që ka arrestuar dy persona në lidhje me këto raste, transmeton Portalb.mk.

Për shkak sulmit fizik ndaj bashkëshortes dhe kërcënim të të afërmeve, Policia ka arrestuar 31 vjeçarin A.M. nga Gostivari. Po në Gostivar, u arrestua edhe 35 vjeçari për shkak se më parë ishte ankuar nëna e tij për sjellje agresive.

“Një grua 75-vjeçare ka denoncuar se më 03.05.2026, në shtëpinë e saj në zonën e Kisella Vodës, është sulmuar fizikisht nga djali i saj S.Gj. dhe bashkëshortja e tij, të cilët kanë dëmtuar edhe një pjesë të orendive shtëpiake”, raportoi Policia.

Vajza 19 vjeçare e paraqiti prindin në Policia, pasi ai e kishte sulmuar vajzën dhe bashkëshorten.

“Më 04.05.2026 në orën 07:05 në SPB Tetovë, një grua 30-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 06:50 në Tetovë, ish-partneri i saj S.K. nga Shkupi e ka ndjekur dhe e ka shqetësuar”, raportoi Policia.

Policia më 5 maj ka ngritur  padi penale me procedurë urgjente kundër 39-vjeçarit R. R., truproje e kryeministrit Hristijan Mickoski, për sulm fizik ndaj gruas së tij.

Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën. 

Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.