Në Maqedoninë e Veriut ka mbështetje, por jo edhe sistem të organizuar kujdesi për shëndetin mendor të nënave

“Nuk ekziston amësi universale, ndërsa shtatzënitë e mia më sollën sfida të ndryshme psikologjike dhe duke e parë nga perspektiva e sotme, secila prej tyre më çoi në një nivel më të thellë të vetëdijes personale“, thotë 41 vjeçarja Doroti Paçkova për Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Ajo është nënë vetushqyese nga Shkupi me tre fëmijë. Më i madhi është 14 vjet, ndërsa dy më të vegjëlit janë pesë dhe katër vjet. Duke folur për sfidat që sjell amësia, por edhe për faktin se ajo e përjeton atë si motivin më të madh, Doroti thotë se perspektiva e saj tani është ndryshe nga ajo që kishte kur u bë nënë në moshën 26-vjeçare.

Në shtatzëninë e parë ajo është përballë me frikën nëse është mjaftueshëm e aftë për jetën që e pret. Por, shtatzënia e dytë ka qenë krejt ndryshe.

“Ajo më nxiti të shihem në pasqyrë dhe të shoh se me çfarë njerëzish dhe çfarë rrethine kam rreth meje. Ky ishte leksioni im për kufijtë. Jo vetëm sa i përket amësisë, por edhe në marrëdhëniet me partnerin, familjen dhe ato profesionale“, thotë Doroti.

Përderisa e ka ushqyer me gji fëmijën e dytë, Noan e vogël, ajo ka ngelur shtatzënë për herë të tretë. Dhe pikërisht ardhja në këtë botë e Sofit të vogël e ka nxitur nënën e saj ta pyesë veten se si dëshiron të jetojë. Por, lindja e tretë i ka sjellë sfida shumë më të mëdha se ato dy të parat.

Bashkëbiseduesja thotë se ka ndjerë një lodhje të jashtëzakonshme – fizike, emocionale dhe mendore.

“Nuk ishte vetëm puna se “çfarë po më ndodh pas lindjes?“, por çfarë ndodh kur një grua është njëkohësisht nënë e tre fëmijëve, kur ende e ushqen me gji njërin fëmijë ndërkohë që është shtatzënë, kur ushqeja me gji në tandem për pothuajse dy vjet, kur foshnja varet tërësisht prej saj dhe kur praktikisht i gjithë sistemi i kujdesit mbështetet mbi të. Më kujtohen momente kur nuk kisha nevojë që dikush tjetër të më thoshte: “Ti je grua dragua, mund ta bësh atë që askush nuk mundet.“ Përkundrazi. Kisha nevojë për dikë që ta pranonte se unë jam njeri që gjithashtu kam nevojë që dikush të kujdeset për mua“, tha Doroti.

Ajo thotë se ndodh shumë e rrallë që dikush ta pyesë nënën se si është – a e ka rimarrë veten fizikisht pas lindjes, a fle, a ndihet e sigurt dhe a ka mbështetje, a ka kohë të ushqehet dhe të bëjë dush.

Pikërisht përvojat e tilla e ngrenë çështjen për atë se sa sistemi shëndetësor i identifikon me kohë nevojat për ndihmë dhe mbështetje psikologjike gjatë shtatzënisë, por edhe pas lindjes. Edhe pse ekzistojnë shërbime të caktuara dhe kornizë ligjore hulumtimet tregojnë se mbështetja ende nuk funksionon si një sistem i qartë dhe i lidhur.

Punëtori edukative për nënat

Nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe barazi të grave (ESE) kanë theksuar se përveç mbështetjes së kufizuar psikologjike që gratë e marrin gjatë shtatzënisë, mjetet dhe udhëzuesit ekzistues nuk zbatohen në mënyrë të barabartë.

Koordinatori për shëndet publik dhe shëndet të grave, Dr. Borjan Pavllovski nga kjo Shoqatë thotë se paralelisht nuk ka udhëzime të unifikuara për identifikim dhe udhëzim, ndërsa bashkëpunimi mes gjinekologëve, mjekëve amë, pediatërve dhe ekspertëve të shëndetit mendor shpesh nuk është i strukturuar.

Ai i thekson se rëndësia e skriningut nuk është që të vendosë diagnozë, por të identifikohet me kohë se një grua mund të ketë nevojë për vlerësim dhe mbështetje shtesë, gjegjësisht para se problemet të bëhen të dukshme për anëtarët e tjerë të familjes ose për rrethin. Pavllovski thotë se kujdesi për shëndetin mendor perinatal të nënës është i lidhur drejtpërdrejt edhe me kushtet në të cilat fëmija rritet dhe zhvillohet.

“Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë theksojnë se foshnjat shumë të vogla janë posaçërisht të ndjeshme ndaj mjedisit dhe cilësisë së kujdesit që u ofrojnë më të afërmit. Foshnja të cilës i flitet, që ngushëllohet kur qan, me të cilën vendoset kontakt dhe ndaj nevojave të së cilës reagohet në mënyrë të vazhdueshme, përmes këtyre ndërveprimeve të përditshme e ndërton sigurinë e saj emocionale dhe mëson për botën rreth vetes“, thotë Pavllovski dhe i rikujton gjetjet e UNICEF-it se mirëqenia mendore e prindërve dhe e personave të tjerë që kujdesen për fëmijën ndikon pikërisht në aftësinë e tyre për të siguruar një kujdes të tillë të mirë dhe përgjegjës.

Sipas tij kur gruaja përballet me depresion të theksuar, ankth, lodhje ose vështirësi të tjera psikologjike, mund ta ketë shumë më të vështirë të jetë vazhdimisht e pranishme emocionalisht dhe t’i plotësojë nevojat e foshnjës. Kjo nuk do të thotë se ajo është një nënë më pak e mirë apo më pak e përkushtuar. Përkundrazi, do të thotë se edhe ajo vetë ka një nevojë shëndetësore për të cilën duhet të marrë ndihmë.

Shtatzënë, lehonë, Foto: Pexels/SerrNovik
Shtatzënë, lehonë, Foto: Pexels/SerrNovik

Shoqata ESE, e cila e ndjek këtë çështje gjatë viteve të fundit, ka organizuar edhe punëtori edukative për shëndetin mendor perinatal, të cilat, siç thekson Pavllovski, u kanë ndihmuar grave t’i kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre dhe ta zvogëlojnë ndjenjën e fajit apo vetmisë.

“Nëna e mbështetur mund të kujdeset më lehtë edhe për veten edhe për foshnjën, të jetë e pranishme për nevojat e saj dhe ta ndërtojë lidhjen e sigurt që është e rëndësishme për zhvillimin e saj të mëtejshëm. Prandaj edhe në materialet tona të projekteve mesazhi kryesor është se shëndeti mendor perinatal nuk është kujdes individual vetëm i gruas, por çështje e mbështetjes familjare, shëndetësore dhe në komunitet“, shton Pavllovski.

Përderisa foshnja monitorohet, nëna zhduket nga sistemi i kujdesit

Me emocione të tilla të përziera është përballur edhe bashkëbiseduesja jonë Paçkova, e cila thotë se nëse ka sistem funksional gruas nuk do t’i duhet të zgjedhë “mes shëndetit të saj mendor dhe mbijetesës së familjes“.

“Sepse sistemi shëndetësor që e ndjek me sukses foshnjën, por nuk e sheh nënën që po shkatërrohet para tij, nuk është një sistem që e ka kuptuar plotësisht kujdesin perinatal. Foshnja nuk mund të jetë mirë nëse gruaja që e mban të gjithë barrën e kujdesit lihet pa kujdes. Kur gruaja lind sistemi shëndetësor shumë shpesh vazhdon ta monitorojë foshnjën: për peshën, ushqyerjen, vaksinimin, zhvillimin, kontrollet. Pas lindjes nëna zhduket nga sistemi i kujdesit. Por është pikërisht ajo që kalon përmes një ndryshimi të identitetit, që përballet me një përgjegjësi të re dhe shpesh me një ndryshim dramatik të jetës ekonomike dhe me partnerin“, thekson Doroti.

Sipas saj, nëse gruaja është e uritur dhe e frikësuar përgjegjësia për shëndetin e saj mendor nuk mund të reduktohet vetëm në seanca psikologjike:

“E kur kësaj t’i shtohet rreziku i lartë nga varfëria, punësimi i pasigurt, mungesa e kujdesit të qasshëm për fëmijët, diskriminimi në tregun e punës, mungesa e mbështetjes nga partneri dhe familja e gjerë, dhuna ose konflikti me prindin tjetër, atëherë bëhet fjalë për një nivel krejtësisht tjetër të stresit kronik“.

Të dallohet rreziku para se të kalojë në krizë

Ajo bën thirrje për përgjegjësi më të madhe nga institucionet shëndetësore që do t’i dallonin edhe rreziqet sociale para se ato të shndërrohen në krizë.

“Kjo do të thotë të dhëna. Skrining. Mekanizma referent. Monitorim. Shërbime të qasshme. Kuadër i trajnuar. Bashkëpunim multisektorial. Dhe, më e rëndësishmja, zëri i nënave duhet të jetë pjesë e dizajnimit të atyre shërbimeve“, thotë ajo.

Njohja e këtyre rreziqeve është posaçërisht e rëndësishme te nënat që i rrisin fëmijët vetë, sepse kjo shpesh bart me vete një rrezik kumulativ.

“Edhe pse jam e vetëpunësuar për më shumë se një dekadë për secilin nga të tre fëmijët e mi unë jam e vetmja që gjatë çdo pushimi mjekësor që kam qenë dhe jam me fëmijën që ka nevojë për mua. Dhe këtë mund ta kuptojë vetëm dikush që ka kaluar nëpër të njëtjën gjë — dhe që në të njëjtën kohë është kujdesur me dashuri dhe e ka paguar çmimin me plotë vetëdije“, thotë Doroti.

Gjidhënie, foshnje, nënë. Foto: MART PRODUCTION/Pexels
Gjidhënie. Foto: MART PRODUCTION/Pexels

Për t’u përballur me sfidat që ndonjëherë përsëri i shkaktojnë stres, ankth dhe lodhje, ajo tashmë ka kërkuar ndihmë psikologjike sepse, siç thekson, kjo nuk është shenjë dobësie, por përgjegjshmëri si ndaj vetes ashtu edhe ndaj fëmijëve.

“Fëmijët e mi më mësuan se amësia nuk do të thotë të heqësh dorë nga vetja që dikush tjetër të jetë mirë. Ata më detyruam të bëhem shumë më e vetëdijshme për atë se çfarë gruaje dëshiroj të jem, çfarë jete dua që të jetojmë dhe çfarë bote dëshiroj që ata të trashëgojnë“, thotë Doroti.

Jo vetëm psikoterapi, por edhe marrje përsipër e kujdesit

Në kuadër të projektit të organizatës “Reaktor“ në bashkëpunim me Qendrën për psikoterapi “Psiholarium“ me mbështetjen e Ambasadës Franceze për vetëm 24 orë mbështetje psikologjike kanë kërkuar më shumë se 150 gra. Ato organizuan dy grupe me nga 12 takime për mbështetje psikologjike të nënave. Pjesëmarrëset kanë folur për lodhje kronike, frikë se diçka do t’i ndodhë foshnjës, faj, zemërim dhe vetmi. Këtë e ndau Ana Bojçevska, koordinatore për hulumtime në Reaktor.

“Mua personalisht më së shumti më preku ajo se sa shpesh gratë e kishin ndjenjën se duhet të tregojnë se po ia dalin mbanë. Edhe kur janë tërësisht të rraskapitura ekziston një pritshmëri se duhet të jenë falënderuese, të lumtura dhe të afta për t’u përballur me gjithçka. Grupi për shumë prej tyre ishte një nga vendet e rralla ku nuk kishin nevojë ta bënin këtë. Kur një grua thoshte “jam shumë e lodhur“ ose “ndihem me faj“, shumë shpesh dëgjonim edhe nga të tjerat: “Edhe unë“, “Mendoja se isha e vetmja“ ose “Nuk e dija se është e lejuar të ndihem kështu““, thotë Bojçevska.

Por, sipas saj, gruaja jo gjithmonë ka nevojë për psikoterapi, por ka nevojë që dikush të marrë përsipër një pjesë të kujdesit për fëmijën, ose të ketë të ardhura të sigurta.

“Në këto grupe u fol shumë edhe për atë se këto gjëra nuk janë vetëm “në kokën“ e gruas. Nëse nuk fle, nëse nuk ka me kë ta lërë fëmijën, nëse e mban e vetme të gjithë barrën e detyrimeve, nëse është financiarisht e pasigurt ose nuk ka asnjë mbështetje, këto janë kushte reale që ndikojnë në shëndetin e saj mendor“, thotë Bojçevska.

Organizata, pjesë e së cilës është ajo, realizoi hulumtim për amësinë, shëndetin mendor dhe barrën e padukshme të pritshmërive, i cili nxorri në pah se Maqedonia ka vendosur bazë për mbështetje psikologjike në periudhën perinatale përmes më shumë strategjive dhe ligjeve. Por, problemi është se ajo mbështetje ende nuk është vendosur si sistem i qartë, i qasshëm dhe funksional, thekson hulumtimi.

Foshnje, të porsalindur, bebe foto nga Christian Bowen/Unsplash
Foshnje, të porsalindur, foto nga Christian Bowen/Unsplash

Në mesin e këtyre dokumenteve janë Ligji për Shëndetin Mendor, Strategjia Kombëtare për Promovimin e Shëndetit Mendor 2018–2025, si dhe Strategjia për Shëndetin Seksual dhe Reproduktiv. Bojçevska është e mendimit se këto janë lëvizje të rëndësishme sepse me ato ndryshohen politikat, por edhe krahas kësaj një sërë pyetjesh mbeten pa përgjigje në mungesë të një rruge të definuar qartë të kujdesit nga momenti i identifikimit të problemit deri te marrja e mbështetjes përkatëse.

“Për shembull nëse infermierja e patronazhit, gjinekologu amë apo pediatri identifikon se një nënë ka ankth serioz apo simptoma të depresionit, çfarë ndodh më pas? Ku e udhëzon më pas? A ekziston shërbim për këtë në qytetin e saj? A është ai shërbim falas apo i qasshëm përmes shëndetësisë publike? Kush e ndjek gruan më tej? Dhe çfarë ndodh kur problemi nuk kërkon hospitalizim, por përsëri kërkon mbështetje të vazhdueshme psikologjike apo psikoterapeutike?“, pyet Bojçevska.

Shëndeti mendor perinatal nuk është problem individual

Ajo thotë se shëndeti mendor perinatal duhet të trajtohet si pjesë përbërëse e kujdesit shëndetësor, e jo si problem individual që gruaja duhet ta identifikojë dhe ta zgjidhë vetë.

Për këtë arsye rekomandimi kryesor në hulumtimin e “Reaktor“ është që autoritetet shëndetësore të vendosin skrining me të cilin do të identifikohen në kohë vështirësitë psikologjike të nënave, në vend që të konsiderohen si “pjesë normale e amësisë“. Siç thekson Bojçevska skriningu do të japë të dhëna edhe për nevojat reale të grave, kështu që institucionet do t’i planifikojnë shërbimet dhe politikat mbi bazë të dëshmive.

Sipas saj edhe më e rëndësishme është përgjigjja në pyetjen – “si duhet të duket sistemi në të cilin skriningu do të çojë drejt kujdesit real“.

“Secila grua duhet ta ketë mundësinë të pyetet dhe të vlerësohet me kohë. Kjo mund të bëhet përmes instrumenteve të shkurtra dhe të validuara për skrining, të integruara në kontrollet ekzistuese gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Jo çdo skrining duhet të realizohet nga psikologu. Gjinekologët, mjekët amë, infermieret e patronazhit dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë të trajnuar mund të jenë pika e parë e identifikimit, ndërsa për gratë te të cilat do të konstatohet nevoja duhet të ekzistojë sistem i qartë për udhëzim“, thotë Bojçevska.

Prindi dhe fëmija. Foto nga Picsea / Unsplash
Prindi dhe fëmija. Foto nga Picsea / Unsplash

Por, a do të mjaftonte kjo? Ajo thotë se identifikimi i simptomave është vetëm hapi i parë pas të cilit duhet të zgjerohet sistemi i kujdesit.

“Duhet të ketë drejtime të definuara qartë për udhëzim tek psikologu, psikoterapeuti apo psikiatri, varësisht nga nevojat, por edhe grupe të qasshme për mbështetje dhe shërbime të tjera në komunitet. Këto shërbime duhet të jenë edhe gjeografikisht dhe financiarisht të qasshme, sepse nuk mund të flasim për skrining universal nëse ndihma e mëtejshme mbetet e qasshme vetëm për gratë që mund ta paguajnë vetë ose jetojnë në një vend ku shërbimi i tillë ekziston “, thotë Bojçevska.

Sipas saj, gruaja duhet të ndiqet edhe pasi të dalë nga materniteti, por edhe kujdesi për gruan të mos varet nga ajo se ku ka lindur, të ndërtohet një rrjet shërbimesh në të cilin gruaja do mund të drejtohet pa marrë parasysh se ku ka lindur dhe ku jeton. Materniteti duhet të jetë një nga pikat në atë rrjet, por jo edhe e vetmja qasje në kujdesin për shëndetin mendor“, thotë Bojçevska.

Ndihmë dhe mbështetje për shtatzënat dhe lehonat në KGjO

Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (KGjO) në Shkup gratë kanë qasje në ndihmë dhe mbështetje psikologjike si gjatë shtatzënisë ashtu edhe pas lindjes. Krahas psikologut me to punon edhe punonjës social.

Numri i pacienteve që kërkojnë mbështetje nga këta profesionistë rritet, sepse po rritet edhe vetëdija për ndryshimet emocionale, tregoi psikologia Maja Isaakidu nga kjo Klinikë. Ajo thotë se ndryshimet emocionale më së shpeshti janë në formë më të lehtë dhe janë kalimtare, por në disa raste gjatë shtatzënisë dhe periudhës pas lindjes mund të shfaqet çrregullim ankthi, i shoqëruar me frikë të tepërt, tension, shqetësim dhe pamundësi që nëna të çlirohet dhe ta shijojë vetë shtatzëninë.

“Mjaft i shpeshtë është edhe çrregullimi depresiv, me rënie të humorit, me energji të reguktuar psikike dhe fizike, i cili mund të ketë ekzistuar edhe para shtatzënisë, të shfaqet gjatë shtatzënisë ose të shfaqet pas lindjes si depresion postpartal dhe në varësi nga pesha e simptomave mund ta dëmtojë dukshëm funksionimin e përditshëm“, shpjegon Isaakidu.

Si është qasja?

Bashkëbiseduesja jonë nga KGjO thotë se çdo ditë shkon vetë te gratë lehona për t’u dhënë përgjigje pyetjeve dhe dilemave të tyre. Por, jo rrallëherë tek ajo udhëzohen edhe shtatzënat në rastet kur mjeku ose ndonjë nga punonjësit e tjerë shëndetësorë vë re shqetësim, frikë apo depresion te gruaja.

Por, pse amësia që edhe pse për shumicën e grave është roli më i dëshiruar jetësor mund të sjellë edhe shqetësime? Isaakidu shpjegon se ndryshimet emotive janë si pasojë e ndryshimeve hormonale që jo vetëm që e ndryshojnë trupin e gruas, por edhe mënyrën e jetesës, e që ndikojnë edhe tek marrëdhëniet me partnerin dhe të gjithë jetën sociale. Gjatë shtatzënisë gruaja i nënshtrohet një numri të madh kontrollesh, skriningjesh dhe ekzaminimesh, të cilat në varësi nga e kaluara obstetrike e gruas dhe nga shkalla e mbështetjes sociale që ka nga familja mund të shkaktojnë rritje të stresit, ndjenjës së frikës dhe shqetësimit për ecurinë dhe rezultatin e shtatzënisë, frikë për foshnjën pas lindjes.

Pas lindjes tek një numër i madh i nënave mund të shfaqet melankolia e paslindjes (baby blues), e cila është gjendje kalimtare dhe kalon brenda disa ditëve deri në dy javë. Por depresioni pas lindjes kërkon vëmendje të veçantë dhe ai diagostikohet nëse shfaqet deri në 12 muaj pas lindjes. Pas kësaj periudhe nëse vështirësitë psikike vazhdojnë edhe më tej apo nëse shfaqen pas kësaj periudhe, ndryshon edhe diagnoza te pacientja.

Rreziku nga përballja me probleme dhe vështirësi me shëndetin e tyre mendor është drejtpërdrejt i lidhur me kushtet socio-ekonomike të gruas, por nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë.

“Në rrezik më të madh nga shfaqja e problemeve me shëndetin mendor gjatë shtatzënisë dhe lindjes janë ato paciente që kanë histori të problemeve me shëndetin mendor, që janë viktima të dhunës familjare apo seksuale, që kanë pak ose aspak mbështetje nga partneri apo familja e gjerë, pacientet me status më të ulët socio-ekonomik, pacientet minorene ose pacientet me shtatzëni të paplanifikuar dhe të padëshiruar. Rrezik i rritur ekziston edhe te pacientet që paraprakisht kanë pasur aborte spontane ose kanë kaluar periudhë më të gjatë trajtimi për infertilitet“, thotë psikologia Isaakidu.

Nënat dhe fëmijët e shëndetshëm janë investimi më i mirë

Pikërisht cenueshmëria socio-ekonomike ua vështirëson rrugën drejt shërbimeve shëndetësore grave rome. Gjatë vizitave në terren të Shoqatës “Iniciativa për të drejtat e grave nga Shuto Orizari“ ata janë shprehur se nuk janë të kënaqura nga trajtimi dhe shërbimet në spitale.

Dëshmitë e tyre i përcolli Anja Simonovska, punonjëse sociale nga kjo shoqatë.

“Si problem serioz veçohen edhe rastet e lehonave dhe foshnjave të vdekura, me ç’rast tek një pjesë e rasteve rrethanat në të cilat ka ardhur deri te vdekja mbeten të paqarta. Dëshmitë e tyre tregojnë për probleme të lidhura me kushtet johigjienike, kujdesin e pamjaftueshëm dhe sjelljen e punonjësve shëndetësorë. Një nga gratë tha se në spital nuk i ishte siguruar çafçaf i pastër dhe veshje dhe se e kishin lënë të dergjej në gjak. Një tjetër tregoi se e kishin lënë me orë të tëra në sallën e lindjes pa praninë e punonjësve shëndetësorë. Ka edhe dëshmi nga një grua të cilën e kanë lënë të presë në korridor, edhe pse lindja tashmë kishte filluar“, tregon Simonovska.

Por, përvojat më shqetësuese kanë të bëjnë me lëshimet në kujdesin mjekësor. Një grua ka thënë se pas lindjes i është lënë gazë në trup, gjë që e ka zbuluar më vonë për shkak të erës së keqe që e ka ndjerë. Një tjetër ka dëshmuar se edhe përkundër dhimbjeve të forta dhe lutjeve për ndihmë infermierja i ka thënë se duhet të presë dhe të durojë.

Qumësht për fëmijë (foshnje). Foto: Afio Images në Canva
Qumësht për fëmijë (foshnje). Foto: Afio Images në Canva

Përveç grave rome, edhe të gjitha gratë që përballen me rrezik të rritur për çfarë do arsye duhet të marrin ndihmë më adekuate në kuadër të sistemit shëndetësor që do të krijojë ndjenjë sigurie dhe respekti.

Për këtë arsye Simonovska e thekson rolin e infermiereve të patronazhit që do t’i informonin dhe udhëzonin gratë. Kështu ajo e thekson edhe rëndësinë e skriningut, sepse siç thotë ajo, investimi më i mirë është të kemi nëna të shëndetshme dhe fëmijë të shëndetshëm. Në praktikë kjo do të nënkuptonte shpenzime më të ulëta shëndetësore, ndërsa zhvillim më të fuqishëm ekonomik.

“Vendet mesatarisht të zhvilluara humbasin rreth 10% të PBB-së për shkak të parandalimit dhe kujdesit të pamjaftueshëm për nënën dhe fëmijën në 1.000 ditët e para – nga ngjizja deri në moshën dy vjeçare. Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se kthimi i investimeve (ROI) në zhvillimin e hershëm fëmijëror sillet nga 6 deri në 17 dollarë për çdo dollar të investuar. Kjo tregon se investimet në parandalim dhe në zhvillimin e hershëm fëmijëror janë ndër mënyrat më efikase për optimizimin e mjeteve publike në shëndetësi dhe arsim“, konstaton Simonovska.

Në Maqedoni ka vetëm një Kabinet për gra

Se qasja ndaj shërbimeve nuk është e barabartë flet edhe fakti se në shtet ka vetëm një Kabinet për gra gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Ai gjendet në Klinikën e Psikiatrisë. Në të nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të muajit gusht të vitit 2026 janë realizuar më shumë se 530 kontrolle.

Të dhënat që i referohen periudhës janar-gusht në secilin nga vitet tregojnë se në tetë muajt e parë të vitit 2024 janë bërë 85 kontrolle. Në të njëjtën periudhë të vitit të ardhshëm janë realizuar 156 kontrolle, ndërsa numri i tyre në tetë muajt e parë të këtij viti është 145.

Në realizimin e këtyre kontrolleve rritet numri i udhëzimeve të rregullta, por vihet re rënie te ato urgjente. Sipas Klinikës kjo do të thotë se problemi po identifikohet gjithnjë e më mirë.

Por, nga atje  theksojnë se “për shkak të vetë sistemit nuk mund të veçojnë saktë se për çfarë diagnozash bëhet fjalë“. Këto të dhëna nuk do të thonë se gjithsej aq gra janë përballur me vështirësi gjatë shtatzënisë apo pas lindjes.

“Një pjesë e kontrolleve ndoshta janë evidentuar nga mjekë të tjerë, e jo nga ana e tre psikiatërve që punojnë në kuadër të Kabinetit. Përveç kësaj ka edhe pacientë që janë kontrolluar në mënyrë konziliare, e një pjesë e caktuar kanë marrë trajtim spitalor, e pastaj trajtimi është vazhduar në vend tjetër“, shpjegojnë nga kjo Klinikë.

Gratë mund të vijnë këtu gjatë shtatzënisë ose pas lindjes, së bashku me fëmijën e tyre. Duke i ndarë të njëjtat sfida dhe mendime disa nëna janë lidhur dhe kanë filluar të shoqërohen edhe në mjedise joformale, e kjo siç thonë nga Klinika, i bën posaçërisht krenarë.

“Krijohet një mjedis i sigurt ku fëmija, përkatësisht foshnja, mund të lëvizë lirshëm nëpër hapësirë, ndërsa nëna të ndihet e lirë. Bëhet trajtim individual dhe punohet në grupe, të cilat mbahen dy herë në javë“, theksojnë nga Klinika.

Kabinetin për gra e udhëheq drejtoresha aktuale, Prof. Dr. Arsova dhe disa psikiatër më të rinj dhe një psikolog i cili është i përfshirë në të gjithë këtë ndërhyrje terapeutike, pa dallim nëse ajo është individuale apo grupore.

Në mesin e grave që deri më tani kanë ardhur në kabinet ka viktima të dhunës familjare, nëna minorene ose lehona më të moshuara që kanë lindur për herë të parë. Ndihmë dhe mbështetje atje kërkojnë edhe gratë që paraprakisht kanë luftuar me infertilitet ose ato që e rrisin fëmijën pa partner. Por, faktor nxitës për çrregullimin e gjendjes mund të jetë ndonjë çrregullim i mëparshëm psikiatrik si çrregullimi shizofrenik, çrregullimi afektiv bipolar, çrregullimi depresiv rekurrent apo çfarë do çrregullimi tjetër neurotik.

Gjinekolog, mjek, shëndet
Ilustrim/Foto: Pexels-Mart production

Mbi bazë të trajtimit të tyre dhe rekomandimeve profesionale ndërkombëtare Klinika tashmë ka hartuar udhëzues në bashkëpunim me Asociacionin e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë (AGjOM). Udhëzuesi është i dedikuar për punonjësit shëndetësorë të cilët duhet ta bëjnë vlerësimin fillestar te gruaja para se ta udhëzojnë në vlerësim të specializuar.

Në rekomandime thuhet se qëllimi nuk është që çdo gjinekolog, mjek amë apo pediatër ta marrë rolin e psikiatrit, por të dijë se çfarë të identifikojë, çfarë të pyesë, kur kërkon gjendja vlerësim shtesë dhe ku duhet të udhëzohet pacientja. Në këtë mënyrë mund të shkurtohet koha nga shfaqja e simptomave deri te marrja e ndihmës adekuate dhe gradualisht të reduktohen dallimet në qasjen ndaj shërbimeve në mesin e grave nga mjedise të ndryshme urbane dhe rurale.

Trajnime për punonjësit shëndetësorë

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën pyetjes tonë për atë nëse do të prezantohet dhe kur do të fillojë skriningu për shëndetin mendor perinatal, por thonë se qëllimi është që punonjësit shëndetësorë të jenë të sensibilizuar për të identifikuar shenja dhe rreziqe te gratë që gjatë shtatzënisë.

“Po shqyrtohen mundësitë që kjo temë të marrë hapësirë edhe në programet arsimore për infermiere, mami, gjinekologë dhe pediatër, duke pasur parasysh se pediatrit mbeten në kontakt të rregullt me nënën pas lindjes – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në bashkëpunim me UNFPA-në dhe shoqatat profesionale relevante autoritetet shëndetësore po i shqyrtojnë edhe mundësitë për zgjerimin e përfshirjes së trajnimeve jashtë Shkupit, me qëllim që punonjësit shëndetësorë në të gjithë vendin të jenë të aftësuar për t’i identifikuar rreziqet me kohë.

Por, përderisa autoritetet ende po “kalkulojnë“ mes mundësive, e në kushte të rënies së natalitetit dërgohen mesazhe për rritjen e tij, amësia i nxjerr në sipërfaqe edhe mangësitë socio-ekonomike. Të ndara mes tyre nënat ndonjëherë nuk kërkojnë më shumë forcë, por mbështetje më të madhe, e pikërisht ky është edhe mesazhi i bashkëbisedueses tonë Doroti, e cila e ndau me ne historinë e saj personale.

“Çdo nëne vetëushqyese që në këtë çast mendon se nuk mundet më do i kisha thënë se vlera e saj nuk rritet me vuajtjen që mund ta përballojë. Unë besoj se dhurata më e madhe që mund t’ua japim fëmijëve tanë nuk është një nënë që nuk rrëzohet kurrë. Është një nënë që u tregon atyre se njeriu mund të rrëzohet, të kërkojë ndihmë, të ngrihet, të vendosë kufi, ta ndryshojë jetën e tij dhe përsëri të krijojë paqe e ta jetojë gëzimin e gjithëpranishëm“, tha Doroti.