Padi ndaj 27 personave nga Maqedonia e Veriut nën dyshimet se kanë kryer keqpërdorime me patentat e shoferit
Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 27 personave nën dyshimet se kanë kryer disa vepra penale lidhur me vënien e paligjshme të kategorive në patentë-shoferët. Ata dyshohet se këto keqpërdorime i kanë kryer prej vitit 2020, transmeton Portalb.mk.
“Janë konstatuar keqpërdorime në procedurat për dhënien e patentë-shoferëve, përmes ndryshimit të paligjshëm të të dhënave në sistemin elektronik dhe dhënies së dokumenteve publike me përmbajtje të pavërtetë”, raportoi Policia, duke sqaruar se një e punësuar ka futur të pavërteta në patentat e shoferit.
Policia sqaroi që nga viti 2021 deri në vitin 2025 ajo ishte pezulluar nga puna, por me aktvendimin gjyqësor ishte kthyer përsëri në vendin e punës. Ajo përsëri u pezullua nga puna për shkak të rastit të fundit.
“Gjatë hetimit është konstatuar se katër persona kanë vepruar si ndërmjetësues. Në marrëveshje dhe bashkëpunim me të punësuarën në MPB, ata kanë ndërmjetësuar për dhënien e paligjshme të patentë-shoferëve. Ata kanë gjetur persona të interesuar, i kanë lidhur me punonjësen zyrtare dhe kanë koordinuar procedurën deri në futjen dhe miratimin e paligjshëm të kategorive në sistemin elektronik dhe dhënien e patentë-shoferëve”, raportoi Policia, duke treguar se bëhet fjalë për dhjetëra raste falsifikimi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike (PTHP) – Shkup dje (12 shtator) njoftoi se ka kryer kontrolle në 32 lokacione në Shkup, te persona, në shtëpi dhe në hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me falsifikimin e patentë-shoferëve.
Aksioni i sotëm vjen pas hetimit të nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, kur u zbulua se punonjës të shërbimeve administrative, për rreth 1.400 euro, në mënyrë të paligjshme u kishin regjistruar kategoritë C dhe D në patentë-shoferët e personave që nuk kishin dhënë provim për drejtimin e kamionëve apo autobusëve.
Sipas informacioneve të deritanishme, në këtë rast disa qytetarë dyshohet se e kanë anashkaluar të gjithë këtë proces. Në vend të orëve të trajnimit dhe provimeve, kundrejt pagesës, kategoria u është shtuar drejtpërdrejt në patentë-shofer.