U anuluan konkurset për anëtarë të Këshillit gjyqësor nga radhët e Kuvendit dhe për zgjedhje të anëtarit të Komisionit antidiskriminim
Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot i anuloi konkurset për zgjedhje të anëtarit të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe për zgjedhje të anëtarit të Këshillit gjyqësor që e zgjedhë Kuvendi, raporton MIA.
Kryetari i Komisionit, Gjorgjia Sajkoski, deklaroi se konkursi anulohet dhe do të publikohet sërish për shkak të mungesës së kushteve për konstatim të propozim-listës për anëtar të Komisionit.
Komisioni paraprakisht mbajti debat publik me intervista me kandidatët e paraqitur rreth vendimit për publikim të konkursit publik për zgjedhje të anëtarit të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Ishin paraqitur shtatë kandidatë, dhe atë: Mile Stojanovski, Kadrie Mustafa, Usein Elezoski, Zhaklina Damçeska, Kire Vasilev, Irfan Limani dhe Daniella Stojanovska-Xhingovska.
Konkursin për zgjedhje të anëtarit të Këshillit gjyqësor që e zgjedhë Kuvendi, kryetari i shtëpisë ligjvënëse e publikoi më 7 prill, por për shkaqe teknike, ai nuk ishte publikuar në ueb-faqen e Kuvendit dhe për atë arsye nevojitet që Komisioni ta anulojë konkursin, sqaroi kryetari i Komisionit, Sajkoski. Kryetari i Kuvendit do të shpallë konkurs të ri.
Ndryshe, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dje (16 prill) ka reaguar për mënyrën se si Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po kryen zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas rrjetit, emrat e dy përfaqësuesve të organizatave që përbëjnë Rrjetin për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk janë fare në listën e kandidatëve të regjistruar.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut më 28 janar e zgjodhën Limko Bejzaroskin dhe Natasha Amdiun si anëtarë të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi. Kandidatët e propozuar u miratuan me 62 vota “për” dhe një deputet abstenoi.
Kandidatja Xhihan Ahmed, dha dorëheqje pasi u kritikua ashpër në opinion për paraqitjen e saj në intervistën publike, ku në vend që të fliste për Konventën e Stambollit, dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe barazinë gjinore, ajo foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut.
Shpallja e mëparshme për anëtar të Këshillit Gjyqësor gjithashtu ishte anuluar, pasi kandidati i propozuar ishte zgjedhur sipas ligjit të vjetër dhe kishte përvojë më të madhe si inspektor policie. Për herë të dytë është anuluar edhe shpallja për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor, pasi një nga kandidatët dyshohet se ka dhënë një deklaratë të rreme.