Turistët kinezë sërish mund të udhëtojnë në mënyrë të organizuar në Maqedoninë e Veriut, Pekini hoqi kufizimet për 78 vende të tjera

Kina e ka përfshirë Maqedoninë e Veriut në grupin e vendeve, në të cilat mund të udhëtojnë grupet e organizuara turistike kineze. Ministria kineze e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se hiqen kufizimet për udhëtimet e organizuara turistike, të vendosura gjatë pandemisë Kovid-19, edhe për 78 vende të tjera, transmeton MIA.

Përveç Maqedonisë së Veriut, turistët nga Kina do të munden në mënyrë të organizuar të udhëtojnë edhe në Gjermani, Britani të Madhe, Austri, Bullgari, Poloni, SHBA, Japoni, Kore e Jugut, Australi…

Ky është grupi i tretë i vendeve për të cilat hiqen kufizimet e udhëtimeve për grupet e organizuara nga Kina.

E para u miratua nga autoritetet e Pekinit në janar dhe përfshiu 20 vende, duke përfshirë Rusinë, Tajlandën, Kubën dhe Argjentinë. Udhëtimi në grupin e dytë prej 40 vendeve u lejua në mars. Mes tyre ishin Franca, Portugalia, Brazili dhe Nepali.

Para pandemisë, udhëtarët nga Kina shpenzonin më shumë jashtë vendit në krahasim me turistët nga të gjitha vendet e tjera. Në vitin 2019, turistët kinezë jashtë vendit kanë shpenzuar gjithsej nga 255 miliardë dollarë, ndërsa 60 për qind e kësaj shume i takon grupeve të organizuara turistike.

Mungesa e turistëve kinezë gjatë pandemisë ka pasur ndikim negativ financiar në shumë biznese në mbarë botën që mbështeten në turizëm, raporton BTA.